Ish-kryetari i Kllokotit dhe të tjerët, shpallen fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ish-kryetari i Kllokotit dhe të tjerët, shpallen fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

16:17, 01/12/2020

Të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, tashmë nënkryetar i kësaj komune, Sasha Mirkoviq dhe zyrtarët e kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, janë shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare është shpallur fajtorë edhe pronari i kompanisë N. T. P “Metali”, Elbasan Alidema.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Islam Thaçi të akuzuarin Sasha Mirkoviq për dispozitivin e parë të aktakuzës e ka dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 180 ditësh.

Të akuzuarit e tjerë Zeqir Selimi, Strahinja Steviq dhe Nebahate Pira, gjykatësi Thaçi u ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 90 ditësh, përderisa të akuzuarit Elbasan Alidema i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 180 ditësh.

Të akuzuarit dënimin me burgim do ta mbajnë pasi që aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm.

Gjykatësi Thaçi ka detyruar të akuzuarit që t’i paguajnë Komunës së Kllokotit shumën prej 2 mijë e 740 euro e 20 cent, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Njëkohësisht të akuzuarit detyrohen që secili veç e veç të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumë prej 50 euro, si dhe të njëjtit do të paguajnë 50 euro edhe për viktimat e tjerë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, më 15 prill 2019, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-kryetarin e Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, tre zyrtarët e kësaj komune, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq, Nebahate Pira, si dhe pronarin e kompanisë “Metali”, Elbasan Alidema.

E pakënaqur ndaj këtij vendimi të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit, e ka aprovuar ankesën e prokurorisë dhe lëndën në fjalë e ka kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është marrë në bazë të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, sepse dispozitivi është në kundërthënie me argumentet e nxjerra në seancën gjyqësore dhe shkresat e lëndës, derisa në aktgjykim nuk ka arsye për faktet të cilat janë treguar në lëndë, ndërsa arsyet janë dhënë në mënyrë të paqartë dhe në masën e njohur kundërthënëse, për çfarë edhe gjetja faktike ka mbetur e vërtetuar në mënyrë të gabuar, ashtu siç tregohet me bazë në ankesën e prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë, më 22 dhjetor 2015, ndaj ish-kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, i cili akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Sipas aktakuzës, Mirkoviq në dhjetor të vitit 2012, në cilësinë e kryetarit të komunës ka lejuar nënshkrimin e kontratës për shitblerje me kompaninë NTP “Metali” për inventarin-mobile për zyra, i cili asnjëherë nuk kishte arritur ne objektet e komunës.

Ndërkaq, Zeqir Selimi, Strahinja Steviq dhe Nebahate Pira, akuzohen që si anëtarë të komisionit për pranimin e inventarit të komunës, kanë nënshkruar përmbushjen e kontratës edhe pse një gjë e tillë nuk kishte përfunduar, e gjithë kjo me qellim që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të bëjë pagesën për kontratën e blerjes së inventarit nga NTP “Metali”, me çka Komuna e Kllokotit është dëmtuar në vlerë prej 29,330.00 euro.

Ndërsa, i pandehuri Elbasan Alidema, akuzohet se si pronar i firmës N.T.P “Metali”, me qëllim përfitimi, i ka shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti më 17 dhjetor 2012 edhe pse nuk e kishte dërguar në komunë inventarin, duke përpiluar faturat, kinse në tërësi është përmbushur kontrata e 5 dhjetorit 2012, në tenderin sipas konkursit KI 660 12 025 121, e që si pasojë nga MAPL-ja i kryhet pagesa nga Komuna e Kllokotit, në vlerë prej 29,330.00 euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco