Stacioni i Autobusëve në Prishtinë 80 % të buxhetit e shpenzon për paga

Stacioni i Autobusëve në Prishtinë 80 % të buxhetit e shpenzon për paga

14:02, 01/12/2020

Për anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, gjetjet në Raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019 për Stacionin e Autobusëve në Prishtinë janë shqetësuese. Sipas tyre, këto gjetje tregojnë se gjatë vitit të kaluar ka pasur keqpërdorime.

Një gjë të tillë e tha edhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Hajnuni, e cila theksoi se gjetjet nënvizojnë se parat e mbledhura të biletave nuk janë dorëzuar në fund të ditës.

"Mjetet e mbledhura të biletave dhe mosdorëzimi në kohë. Është e papranueshme që të mos dorëzohen për shtatë ditë, sepse keqpërdorimi i tyre mund të jetë i madh. Çështja tjetër është pagesa e punëtorëve me kontratë mbi vepër", tha ajo.

Kryesuesi i Bordit të Stacionit të Autobusëve, Faton Raci para anëtarëve u shpreh se shpenzimet më të mëdha janë për paga.

"Mbi 47 mijë të hyra nga inkasomi gjatë vitit të 2019, 129 mijë të hyra nga parkingu, shpenzimet për paga kanë qenë mbi 893 mijë. I kemi ulur në 829 mijë", u shpreh ai.

Kryeshefi i Stacionit të Autobusëve, Luan Hoti theksoi se kjo ndërmarrje nuk është menaxhuar mirë, me 100 punëtorë ku 80 për qind e buxhetit ka shkuar në paga.

Ai ka përmendur rastet edhe kur ish-kryeshefi ia kishte rritur pagën vetës ilegalisht.

"Janë 19 gjetje të vitit 2017 dhe 2018 ku disa nga rekomandimet janë zbatuar. Në shumicën e gjetjeve jemi pajtuar. Nuk pajtohem që nuk ka plan të veprimit, me krenari them që 99 për qind të këtyre rekomandimeve i kemi zbatuar", tha ai.

Kryetari i Komisionit, Bedri Hamza tha se ky raport tregon se kjo ndërmarrje ka vend për shumë përmirësime.

Ndërsa, deputetja Besa Gaxherri tha se Bordi aktual dhe kryeshefi duhet të ngrenë padi për keqpërdorimet që janë bërë deri më tani në këtë ndërmarrje publike/KsP.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco