Anëtari i Komisionit të Pavarur të Mediave, emërohet njeriu i PDK-së

Anëtari i Komisionit të Pavarur të Mediave, emërohet njeriu i PDK-së

21:01, 26/10/2020

Granit Musliu, ish-nënkryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, është zgjedhur anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave.

Musliu ka qenë anëtar edhe i komisionit zgjedhor në zgjedhjet e brendshme të PDK-së të mbajtura në fund të vitit 2018 dhe ka qenë aktiv në politikë duke marrë pjesë në shumë takime të PDK-së deri në vitin 2020.

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Musliun anëtar të KPM-së së bashku me Xhevat Latifin dhe Azdra Deshiq.

KPM-ja është institucion kushtetues dhe anëtarë të saj nuk mund të jenë personat që në 2 vitet e fundit kanë qenë anëtarë të organit udhëheqës të një partie politike.“Personat që nuk mund të jenë anëtarë të KPM-së: është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 12 të Ligjit të KPM-së.

Kryesuesi i Komisionit ad-hoc, deputeti Valon Ramadani, ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni për të kaluarën politike të Granit Musliut. 

Ai ka thënë se kandidati Musliu nuk e ka njoftuar Komisionin për të kaluarën politike, përkundër që ka qenë i obliguar. 

“Gjatë procedimit të kandidaturave për anëtarë të KPM-së, ne nuk kemi qenë të njoftuar për parregullsi rreth përzgjedhjes së kandidatit në fjalë. I njëjti, gjithashtu, nuk ka njoftuar Komisionin, as gjatë intervistimit e as në CV-në e tij se ka qenë pjesë e strukturave të një subjekti partiak, për çka ai ka qenë i obliguar ta njoftojë Komisionin intervistues, sipas përgjegjësise personale që duhet të ketë secili person”, ka thënë deputeti Ramadani.KALLXO.com ka kërkuar përgjegjësi edhe nga Zyra Koordinuese e Komisionit ad-hoc nëse kanë qenë në dijeni për të kaluarën politike të Musliut.

“Zyra jonë nuk është e informuar për këtë situatë, Zyra Koordinuese e Komisionit ka shqyrtuar aplikacionet e të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të KPM-së, dhe i kemi prezentuar para Komisionit ad-hoc, lidhur me këtë, zyra jonë vepron vetëm në bazë të dokumentacionit që kandidatët i ofrojnë në momentin e aplikimit kjo nënkupton që ne si administratë nuk kemi të drejtë të hulumtojmë info shtesë, çka do të thotë se kjo është e drejtë e deputetëve”, ka shtuar Drita Morina nga Zyra Koordinuese e Komisionit ad-hoc.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco