Deputetët kërkojnë kontroll të shtuar në kufi

Deputetët kërkojnë kontroll të shtuar në kufi

21:00, 26/10/2020

Edhe pse në muajin shkurt në Kosovë nuk kishte asnjë rast të konfirmuar me COVID-19, autoritetet kosovare kishin filluar kontrollet mjekësore nëpër pika kufitare dhe në aeroport.

Kjo gjë s’u bë më me mbylljen e kufijve, ndërsa tani kur në Kosovë numri i të infektuarve ka kaluar 18 mijëshin dhe gjendja në rajon është përkeqësuar po kërkohet që këto kontrolle të rikthehen.

Kështu të paktën thotë Albena Reshitaj, kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

“Duke pasur parasysh që në vendet fqinje është rritur dukshëm numri i të infektuarve, sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe vendet tjera, atëherë konsiderojmë që është shumë e rëndësishme si komision të kërkojmë raportim nga Ministria e Shëndetësisë nëse po planifikojnë kthimin e ekipeve shëndetësore nëpër pikat kufitare”, ka thënë Reshitaj.

Një përgjigje zyrtare për këtë Ministria e Shëndetësisë nuk e ka ende për Komisionin Parlamentar, por sipas ministrit Armend Zemaj janë të gatshëm që të veprojnë në çdo moment konform situatës.

“Mbyllja e kufijve, kthimi i personelit shëndetësor në pikat kufitare, kufizimet në numrin e pjesëmarrësve në takime të ndryshme, kufizime të lëvizjeve në zonat më të prekura dhe disa të tjera janë masat e radhës në shqyrtim, varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend”, është shprehur Zemaj.

Kontrollet nëpër hyrje-daljet e vendit janë të mirëseardhura edhe për qytetarin Premtim Muriqi që vlerëson se kjo do të ishte në favor të popullatës.

“Vendimi për t’i kthyer kontrollet në kufi është shumë i mirë, sepse i ndihmon edhe popullatës që të ruhet më shumë nga rastet të cilat vijnë nga jashtë e që nuk dihet nëse janë të infektuar”, vlerëson Muriqi.

E një qytetar tjetër, Fjezë Kabashi, kërkon që kjo të mos ndikojë në vonesa dhe maltretime për udhëtarët.

“Nuk është mirë që të shkojë shumë në kurriz të qytetarëve duke iu bë barrë apo vonesa dhe ngarkesa shtesë qytetarëve, por të gjendet një formë që të bëhet kontrollë, por edhe qytetarët mos të pengohen në lëvizjen e tyre”, thekson ai.

Pas hapjes së kufijve, Kosova vendosi kritere për qytetarët e vendeve të cilat i konsideron me rrezikshmëri të lartë të infektimit, por asnjë prej vendeve të rajonit aktualisht nuk është në këtë listë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco