Partia e Topallit/ Për inat të Bashës apo për hesap të Ramës?!

Partia e Topallit/ Për inat të Bashës apo për hesap të Ramës?!

14:53, 24/10/2020 Nga Syri.net

Edhe pse e kishte hedhur poshtë, edhe pse kishte deklaruar se shtëpia e saj pavarësisht se kush është ulur këto kohë në krye të konakut, ka qenë dhe mbetet Partia Demokratike, Jozefina Topalli, ka krijuar partinë e saj.

Emrin ia ka vënë “Lëvizja për ndryshim”.

Lëvizje e Topallit, “Lëvizje Demokratike Shqiptare” e Muslim Murrizit, “Bindje” e Astrit Patozit, e “Nismë” e Rudina Hajdarit.

Të gjithë të dalë nga konaku i madh i Partisë Demokratike, ku gjithmonë kanë qenë në krye të “tryezës”.

Të gjithë i bashkon inati ndaj Lulzim Bashës, por nuk i shqetëson edhe aq shumë synimi dhe plani i Edi Ramës, që me çdo kusht; nëpërmjet përçarjes së shqiptarëve dhe frontit anti-Ramë; nëpërmjet dhjetëra miliona eurove për të blerë dhe tjetërsuar votën dhe votimet; nëpërmjet sponsorëve PPP…kërkon që të mbretërojë deri në vitin 2030.

E gjitha kjo në një situatë, kur emergjencë kombëtare është përzënia e tij nga pushtetet e uzurpuara më 25 prill 2021. Kur ajo që po ndodh, nuk ka të bëjë më me rotacionin politik, por me shpëtimin e Shqipërisë nga kthetrat e një organizate klepto-kriminale me pushtet absolut! 

Duket si lajm i beftë ky i themelimit emergjent të një “partie të djathtë” nga Jozefina, kur mendon se në intervistën e saj të fundit u mor me tjerrjen e inatit që ka me Lulzim Bashën dhe mohoi aktivizimin në ndonjë forcë aktuale apo të re politike.

Gjithsesi jemi në kohë emergjencash për “Rilindjen” dhe Edi Ramën dhe surpriza si kjo, nuk përbëjnë habi.

Jozefina e ka me Bashën që nuk e futi në listat për deputet në vitin 2017 dhe kjo, edhe mund të kuptohet.

Kanë qenë të mirëkuptuara nga shumëkush, edhe qëndrimet e saj të ashpra e personale kundër kreut të PD-së. Madje edhe nga vetë lideri historik i PD-së, Sali Berisha.

Nuk ishte surprizë dhe mirëkuptohet edhe refuzimi i Topallit për tu rikthyer që të kandidojë apo kontribuojë në partinë mëmë siç po bëjnë Genc Ruli, Besnik Mustafaj, Mark Marku, Tomor Alizoti, etj.

Edhe këta njësoj si Topalli ishin viktima të “Listës Basha”, por ja ku janë sot; pjesë aktive e partisë dhe frontit anti Ramë.

Por të futesh “pykë” brenda këtij fronti në kohën që Edi Rama e ka shpallur përçarjen e tij si synim madhor, ka diçka që nuk shkon.

Jozefina Topalli e suportuar në fillesat e saj shumë fort nga Sali Berisha, nën siglën e Partisë Demokratike morri gjithçka nga PD, edhe për meritat e saj. Ajo pasi nuk u zgjodh më deputete, gjithmonë ka deklaruar se “urren” Bashën, por dashuron Partinë Demokratike.

Tani jemi në një situatë kur qoftë edhe formalisht, qoftë edhe për perceptim publik, Jozefina Topalli, nuk e kontrollon dot inatin për ato që i ka bërë “vjehrra” dhe në rastin më të mirë, po i shkel syrin “mullixhiut” të pasur dhe plot pushtet.

Në planin e madh të Ramës për të mbajtur pushtetin në funksion të skemës gjigante të grabitjes së vendit edhe 4 vite të tjera, hapi i parë ishte përçarja e opozitës dhe e gjithë frontit anti një organizate mafioze, e cila ndryshe nga simotrat nëpër botë, ka edhe qeveri.

E synoi këtë duke shkelur marrëveshjen e “5 Qershorit” e duke ndryshuar Kodin Zgjedhor, në pabesi dhe në mënyrë antikushtetuese, me të vetmin synim; prishjen e koalicionit të madh opozitar.

Shpresa, llogaritë meskine, se duke përçarë votën e frontit të madh kundër tij, po e bëjnë që të punojë vetëm për përçarje. Këtë rrugë (përveç skemës së blerjes dhe ndihmës nga krimi i organizuar që përdori në vitin 2017) i tregojnë sondazhet ku del humbës i thellë, këtë i këshillojnë `strategët elektoral` të huaj që paguan për zgjedhjet e vitit 2021.

Përça PD-në me LSI-në, përça aleatët me PD-në e tento me çdo mjet e mënyrë që të përçash vetë Partinë Demokratike.

I pëlqen apo jo, Jozefina Topallit, “Lëvizja (e saj) për Ndryshim” që ka themeluar pa paralajmërim dhe kaq urgjentisht sa që nuk dihen as nismëtarët dhe bashkë-themeluesit; nuk perceptohet thjesht për “inat të Lulit”, por mbi të gjitha, “për hesap të Edi Ramës”!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco