Shëndetësia nuk është fasadë/ PD rrëzon 'vizionin' e Ramës për sektorin e financuar vetëm 3%

Shëndetësia nuk është fasadë/ PD rrëzon 'vizionin' e Ramës për sektorin e financuar vetëm 3%

10:52, 16/10/2020

“Shëndetësia nuk është thjesht tullat e atyre pak investimeve...” ka qenë reagimi i Partisë Demokratike sot ndaj të ashtuquajturit “vizion për shëndetësinë” të kryeministrit Edi Rama, shpallur sot nëpërmjet një videoje nga spitali i rikonstruktuar I Elbasanit.

Dorjan Teliti, Shefi i Kabinetit në PD, rrëzoi tesën e Ramës me këto argument: “Shëndetësia nuk është thjesht tullat e atyre pak investimeve të viteve të fundit, por baza e shërbimit të saj janë stafet e mjekëve dhe infermierëve që punojnë në to.

Gjatë viteve të fundit janë rreth 950 mjekë që janë larguar nga Shqipëria, aktualisht sot jemi vendi me numrin më të vogël të mjekëve për frymë, vetëm 1.2 mjekë për 1 mijë banorë, ndërkohë që vendet fqinje janë disa herë më mirë se ne.

Shëndetësia në Shqipëri është e nënfinancuar me vetëm 3% të PBB-së dhe nëse vazhdon të lihet pas dore gjendja thjesht do të përkeqësohet akoma më shumë.

Koha nuk pret, rritje pagash dhe investime të qënësishme janë domosdoshmëri për të përmirësuar sistemin tonë shëndetësor,” i ka bërë thirrje Teliti, Kryeministrit, në emër të PD-së.

Replika erdhi pasi Rama publikoi një video me këtë shënim krenarie: “Me spitalin e ri të urgjencës dhe patologjisë në Elbasan, dikur një ngrehinë që rrinte në këmbë si shëmbëlltyrë e shëndetësisë që trashëguam dhe sot mishërim i vizionit tonë për shëndetësinë që po ndërtojmë ditë pas dite duke ju përgjigjur nevojave të qytetarëve aty ku banojnë, ju uroj një ditë të mbarë.”

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco