Heqjen e akcizës për naftën e fermerëve Rama e premtoi edhe në 2013: Programi fshihet nga faqja e PS Edi Rama dje me Ministrin e Bujqësisë, Blendi Çuçi dhe Drejtoren e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca

Heqjen e akcizës për naftën e fermerëve Rama e premtoi edhe në 2013: Programi fshihet nga faqja e PS

11:31, 14/10/2020

Në programin e Partisë Socialiste “Aleanca për Shqipërinë Europiane 2013 - 2017” janë të përfshira premtimet të cilat kryeministri vijon t’i bëjë edhe sot, në fund të vitit 2020.

Rama ka premtuar asokohe lehtësime të taksave për fermerët, si psh. heqja e akcizës për karburantin. Dje ai e dha sërish këtë premtim.

Ai gjithashtu premtoi se do të ulë çmimin e naftës për fermerët dhe se do të heqë taksën e qarkullimit dhe karbonit për bujqësinë, duke u bërë ripërsëritës në fjalën e tij.

Përpos përmendjes së të njëjtave premtime, prej faqjes zyrtare të Partisë Socialiste është fshirë edhe programi ku dokumentohen të gjithë premtimet e bëra 7 vite më parë.

PROGRAMI I PS NË 2013-ën

Inputet bujqësore dhe punimi i tokës, zënë një peshë kryesore në koston e përgjithshme dhe për këtë arsye:

- Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanët, materialin gjenetik shtazor, plehrat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.

- Do të krijohet dhe vihet në funksion qendra e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së inputeve bujqësore.

- Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.

- Do të nxitet shpërndarja me çmime të favorshme e farërave të zgjedhura dhe të rendimenteve të larta.

- Do të nxitet dhe mbështetet, blerja në grup e pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve.

Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore, përbën një tjetër përparësi. Ulja e kostos së lëndëve të para është thelbësore, prandaj do të përjashtohen nga barra fiskale lëndët e para, ato të ndërmjetme dhe të ambalazheve për prodhimet e eksportit.

Nuk ka prodhim bujqësor konkurrues pa një sistem funksional të ujitjes dhe të kullimit të tokave. Aktualisht, vetëm 30% e tokës bujqësore është nën ujë. Ne angazhohemi që brenda 4 vjetësh të ketë ujë për vaditje në çdo parcelë të tokës së punueshme. Për këtë qëllim është e rëndësishme të rimëkëmbet sistemi kullues dhe vaditës i vendit. Për këtë arsye:

- Do të zgjerohet parku i mjeteve të nevojshme publike dhe private, të duhura për mirëmbajtjen e sistemit kullues dhe vaditës të vendit.

- Do të miratohen tarifat e reja të furnizimit me energji elektrike për sistemin e kullimit dhe të vaditjes.

- Do t’u jepet një rol më i madh komunave në mirëadministrimin e burimeve ujore dhe rrjetit ujitës dhe kullues.

Synojmë të investojmë 160 mln USD për rimëkëmbjen e sistemit të kullimit dhe vaditjes. Konsolidimi i titujve të pronësisë mbi tokën është baza e nxitjes së investimeve në bujqësi. Mbështetja financiare e bujqësisë është e domosdoshme për të patur pritshmëritë e programuara për zhvillimin rural. Për këtë:

- Do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agropërpunimin,

- Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural,

- Do të mbështeten me përparësi ngritja e qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtise me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale,

- Do të mbështeten me fonde të garancisë, zbatimi i skemave të sigurimit të prodhimeve nga dëmtimet natyrore të kulturave bujqësore dhe blegtorisë,

- Do të përcaktohen modalitetet e nxitjes së kreditimit për bujqësinë dhe agropërpunimin në raport me fondet e garancive që do të vihen në dispozicion për këtë qëllim,

- Do të ristrukturohet dhe fuqizohet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Në fushën e ushqimit dhe të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së tij, do të ndiqet një përqasje e integruar sipas parimit “nga ferma në tavolinë”.  Për këtë do të merren masa për:

- Të vënë në funksion të plotë sistemin e identifikimit dhe të regjistrimit të blegtorisë;

- Të modernizuar sistemin e identifikimit, sinjalizimit të sëmundjeve infektive dhe parazitare në bimë dhe kafshë;

- Të zgjeruar mbulesën vaksinale në blegtori për të parandaluar dëmtimet në kafshë dhe shpendë dhe pasojat mbi shëndetin publik;

- Të mbikëqyrur tregjet e kafshëve si dhe kontrolluar procesin e përpunimit dhe shpërndarjes te tyre për mish në tregjet e vendit;

- Të promovuar të gjitha ndërmarrjet e agropërpunimit, të cilat zbatojnë sisteme të përparuara të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore si dhe për të caktuar afate mbi ndërmarrjet që ende nuk i përfshijnë këto standarde në teknologjinë e prodhimit.

- Të përfunduar akreditimin ndërkombëtar të qendrave kombëtare të referencës në fushën e sigurisë ushqimore.

Një përmirësim thelbësor do të ketë në informacionin bujqësor, hartografinë e kulturave dhe racave sipas rajoneve, si dhe përcaktimit të nevojave të specialiteteve të bujqësisë. Për këtë:

- Do të përfundojë harta e rajonalizimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe e racave të ndryshme që do të mbështeten me financime publike;

- Do të përcaktohen nevojat për specialitete të reja dhe do të plotësohen nevojat me specialistë të bujqësisë, si dhe do të hartohet një program 4-vjeçar i edukimit dhe i formimit profesional në fushën e bujqësisë;

- Do të zbatohet programi i promovimit dhe i shpërndarjes së pervojës së historive të suksesit në bujqesi, blegtori dhe agropërpunim;

- Do të kryhet një inventar i plotë, si dhe do të mbikëqyret shkalla e zbatueshmërisë për të gjithë projektet në fushën e bujqësisë.

Peshkimi, është një sektor shumë i rëndësishëm, i cili kërkon mbështetje. Për këtë kërkohet një rishikim i skemave të furnizimit me naftë pa akcizë, për t’i bërë më të efektshme.

- Do të mbështetet rifreskimi i flotave të peshkimit dhe pajisja e tyre me mjete të peshkimit në thellësi, për të bërë të mundur furnizimin me lëndë të parë, të fabrikave të përpunimit të peshkut në vend.

- Do të ngrihen markatat e peshkimit për të harmonizuar interesat e peshkatarëve dhe të tregtarëve.

- Do të zhvillohet akuakultura.

- Do të hapet eksporti për molusqet drejt vendeve të BE.

Marrë nga Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco