Një mandat të tretë me çdo kusht apo anëtarësim në BE?! Ja çfarë zgjedh Edi Rama

Një mandat të tretë me çdo kusht apo anëtarësim në BE?! Ja çfarë zgjedh Edi Rama

11:24, 21/09/2020

Tentativa e dështuar e Edi Ramës për 2 ditë rresht gjatë një vizite në Gjermani për një takim apo të paktën një telefonatë me kancelaren Angela Merkel, zbuloi se ky vend nga përkrahës i madh për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, është futur mes shteteve të tjera skeptike, si Franca, Holanda e Danimarka.

Edi Rama mori një paralajmërim të fortë në Gjermani jo vetëm sepse Kancelarja i mbylli derën në mënyrë gati brutale, por sepse u refuzua hapur edhe nga kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadephul, si dhe kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum.

Më herët zyrtarë të lartë gjermanë kanë thënë se Shqipëria rrezikon që të ndahet nga Maqedonia e Veriut për Konferencën e Parë Ndërqeveritare të bisedimeve këtë vit, me rastin e hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Thelbi i gjithë këtij zemërimi gjerman nuk ka të bëjë vetëm me mosbërjen e detyrave dhe zbatimin e kushteve që gati një vit më parë përcaktoi Bundestagu gjerman për Shqipërinë, por edhe me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, e më konkretisht me truket dhe lojërat që po bën Edi Rama në një parlament të kontrolluar prej tij, për të bërë një Kod Elektoral që e favorizon në zgjedhjet e ardhshme.

Në një shkrim të DW ditën e premte, mes të tjerave u zbulua, se përse Gjermania është future papritur mes vendeve skeptike për hapjen e dritës jeshile Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

“Në një konferencë të Institutit Aspen në Berlin, të zhvilluar po të enjten (17.09.) si dhe në një konferencë të mëparshme të zhvilluar javën e kaluar në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, të dyja me rregulla “chattam house”, ka dalë në pah, se deri tani vendet e zakonshme skeptike të BE-së, ndër to edhe Gjermania, nuk janë bindur ende se Shqipëria e meriton çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Dy pikat më delikate në argumentimin e skeptikëve nga Gjermania janë: ligji anti shpifje dhe ndryshimet që iu bënë marrëveshjes për ligjin elektoral në parlament, vetëm disa ditë pasi palët, opozita dhe qeveria, ishin dakorduar pas ndërhyrjeve të diplomatëve perëndimorë në Shqipëri. `Do të duhet shumë punë diplomatike dhe politike deri sa të vijë dita e hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare`, thonë skeptikët në Berlin”, shkruhet në shkrimin në fjalë të DW.

Pra përveç të ashtuquajturit “ligj anti-shpifje” i cili synon që të frikësojë dhe vërë nën kontroll mediat kritike me qeverinë vendet e zakonshme skeptike të BE-së, tashmë ndër to edhe Gjermania, nuk janë bindur ende se Shqipëria e meriton çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, edhe për arsye të ndryshimit që iu bënë marrëveshjes për ligjin elektoral në parlament vetëm disa ditë pasi palët, opozita dhe qeveria, kishin dakord pas ndërhyrjeve të diplomatëve perëndimorë në Shqipëri.

Duket qartë se ajo që po bën Edi Rama me Kushtetutën dhe Ligjin Elektoral duke ndryshuar rregullat e lojë (Koalicionet sidomos) në mes të rrugës dhe në mënyrë të njëanshme pa llogaritur opozitën që përfaqëson të paktën gjysmën e elektoratit, po rrezikon shtyrjen e anëtarësimit të vendit në BE, për në kalendat greke.

Pikërisht për shqetësimin, se pluralizmi politik në Shqipëri po rrezikohet nga lëvizjet e njëanshme që po bën këtu në skenën politike të brendshme të Shqipërisë, Edi Rama u pyet gjatë një uinterviste po në DW.

“Shqipëria është para zgjedhjeve. Çfarë do të bëni ju për të garantuar që pas zgjedhjeve Shqipëria të ketë një sistem të fortë pluralist partiak që përfaqësohet edhe në parlament?”, ishte pyetja e medias shtetërore gjermane.

Kurse përgjigjia e Ramës ishte:

“Nuk ka qenë ndonjëherë në diskutim sistemi pluralist që nga viti 1990. Sistemi pluralist vihet në diskutim, nëse një qeveri apo një shumicë pengon pjesëmarrjen në zgjedhje. Nuk vihet në diskutim, nëse një parti vendos të ikë nga zgjedhjet. Është një vendim katastrofik për ata që e marrin. Sigurisht, nuk është një vendim që i bën nder vendit apo që ndihmon në shkëlqimin e demokracisë. Por nuk është absolutisht një vendim që cenon pluralizmin”.

Pra kryeministri është i vendosur që të ecë përpara me planin e tij për të bërë rregulla të reja loje elektorale siç i do ai dhe pa pyetur lojtarin tjetër kryesor (opozitën e bashkuar), i cili përfaqëson të paktën gjysmën e votuesve.

Por edhe pse ndërkombëtarët po ia thonë qartë që të mos shkelë marrëveshjen e dalë nga Këshilli Politik, e cila u arrit me mundim nën bekimin e SHBA-BE, edhe pse rrezikon që të penalizojë vendin në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE, Edi Rama, duket se është i vendosur që mes rikonfirmimit të pushtetit të tij me çdo kusht e mënyrë dhe të parës, të zgjedh pushtetin personal.

Këtë e konfirmoi edhe këtë të shtunë kur deklaroi, se Kuvendi mund të miratojë i vetëm ndryshimet e nevojshme të Kodit Zgjedhor (ato që do ai), në rast se opozita jashtëparlamentare vazhdon të shtyjë bisedimet.

“Kuvendi është legjitimi dhe mund të vazhdojë punën për të reflekuar në kodin zgjedhor ndryshimet kushtetues”, tha ai i palëkundur edhe pas shuplakave që mori në Gjermani.

Kjo është pikërisht e kundërta e asaj që po i kërkojnë Gjermania dhe vendet e tjera të BE.

Por si duket Rama ka zgjedhur “mandatin e tij të tretë me çdo mënyrë dhe kusht”, përpara përshpejtimit të ëndrrës më të madhe të shqiptarëve; futjes në familjen e Bashkimit Europian!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco