Rreziku që i vjen Shqipërisë nga populizmi

Rreziku që i vjen Shqipërisë nga populizmi

20:46, 03/08/2020 Nga Nga Vehap Kola

Sipas profesorit të Universitetit të Xhorxhias, Cas Mudde, populistët janë përçarës, jo unifikues. Ata e ndajnë shoqërinë në dy grupe homogjene dhe antagoniste: populli i pastër në njërën anë dhe elita e korruptuar në anën tjetër. Ata thonë se udhëhiqen nga “vullneti i popullit”. Ndërsa demokracia ngrihet mbi idenë qëndrore të pluralizmit që pranon dhe akomodon ekzistencën dhe bashkëjetesën e grupeve të ndryshme me interesa dhe vlera e larmishme, populistët nuk janë pluralistë. Për ta, vetëm një grup është legjitim: grupi që ata e quajnë populli.

Tingëllon përkufizim familjar për Shqipërinë e kohëve të fundit. Lëvizje parapolitike të përfshira në debatin publik, aktivistë me pretendime mesianike që u premtojnë njerëzve drejtësinë absolute dhe, për pasojë, parajsën në tokë, kanë zënë hapësirën e lënë bosh nga mungesa e debatit normal ideologjik. Ata e ndajnë Shqipërinë në 2 kampe: establishmenti dhe populli. Establishmenti në gjuhëne tyre përfaqësohet nga e gjithë elita politike, ekonomike e mediatike përveç vetë populistëve. Ndërsa populli përfaqësohet nga njerëzit e thjeshtë pa pushtet dhe populistët që premtojnë ta nxjerrin Shqipërinë nga bataku i 30 viteve të fundit.

Legjitimiteti për populistët buron nga fakti që ata e konsiderojnë misionin e tyre si “thelbësisht moral”. Profesor Mudde shpjegon se në të folmen e populistit “dallimi ndërmjet elitës dhe popullit nuk bazohet në kategoritë ekonomike, apo sociale. Ai bazohet mbi vlerat”. Me këtë kornizë morale në kokë, populistët pretendojnë se VETËM ata përfaqësojnë popullin.

Ata rrahin gjoks se gëzojnë mbështetjen e njerëzve të mirë, punëtorë dhe të shfrytëzuar nga establishmenti. Për ta, njerëzit e neglizhuar nuk janë një pjesë e qytetarëve që duhet të marrin vëmendjen e duhur nga politikanët. Përkundrazi, për populistin njerëzit e neglizhuar janë të vetmit njerëz që kanë rëndësi.

Lëvizjet populiste të themeluara së fundmi në Shqipëri, si Nisma Thurje, pas dështimit të partisë populiste Libra të Ben Blushit nuk kanë legjitimitet që buron nga përvoja. Ata nuk janë provuar kurrë në qeverisje. Ata nuk kanë administruar kurrë një sipërmarrje. Por, ata orvaten ta simulojnë legjitimitetin nga lidhja mitike me “popullin”. Njëri prej përfaqësuesve të saj tha para disa ditësh në një studio televizive se ata kishin mandat popullor për të ndryshuar sistemin zgjedhor. I referohej peticionit të nënshkruar nga 50 mijë qytetarë, që përfaqësojnë 1/50 e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Populistët i humbasin zgjedhjet – shpjegon autori i Çfarë është Populizmi, Jan-Werner Müller, profesor në Universitetin e Prinstonit – vetëm kur “populli i vërtetë” nuk ka patur një shans për t’u shprehur, ose, më keq akoma, kur nuk janë lëjuar të shprehen. Për pasojë, nëse “politikanët e popullit”, “përfaqësuesit e të mirës”, “njerëzit e vlerave” nuk fitojnë, atëherë duhet të ketë diçka që nuk shkon tek sistemi – thotë Müller.

Prandaj, populistët në Shqipëri bëjnë luftë për sistem proporcional kombëtar sepse vetëm kështu ata besojnë se duke mbledhur një grusht votash në çdo qytet mund të mbledhin vota sa për një mandat deputeti dhe të fitojnë të drejtën të recitojnë fjalimet e tyre patetike në foltoren e Parlamentit. Çdo sistem tjetër sulmohet si sistem i mbyllur, sistem i establishmentit dhe oligarkisë, sepse ata janë të bindur se nuk do t’ia dilnin një gare me sistem mazhoritar apo me proporcional rajonal. Ata nuk përfaqësojnë interesat e komuniteteve, por kanë një fije shprese tek popullariteti që mund të kenë fituar nga prania e përçdonatshme në studio televizive.

Ajo pjesë e popullsisë që nuk i ndjek dhe voton populistët nuk konsiderohet prej tyre si pjesë natyrore e popullit. “Populli i vërtetë” janë ata që bëjnë “zgjedhjen e vërtetë”, në përgjithësi më pak se 50% e votuesve. Po pjesa tjetër e votuesve, gjithmonë shumica e popullsisë çfarë është sipas populistëve? Sipas populistëve, ata janë militantët, njerëzit mendjembyllur që votojnë 30 vjet rresht të njëjtën parti dhe që e mbajnë peng vendin për hir të dashurisë së tyre të verbër për liderët dhe siglat e partive të tyre.

Populistët – argumenton Mudde – konsiderojnë popull atë pjesë të zgjedhësve që janë me ta. Nuk ka rëndësi përbërja reale e “popullit të vërtetë” pasi njerëzit nuk ndahen sipas kriteresh ideologjikë të gjykimit. Ka vetëm Rëndësi ka ndarja e botës në dy palë ndërluftuese, ata që janë me populistët, ose “populli i vërtetë” dhe ata që janë kundër tyre, ose establishmenti.

Nuk ka të djathtë dhe të majtë në të folmen e populistëve. Nuk ka debate mbi ekonominë, as platforma si korrigjohen padrejtësitë ekonomike apo korrupsioni. Idetë e tyre për ekonominë janë primitive. Zgjidhjet që ata ofrojnë për korrupsionin janë thjeshtëzuese. Sepse mendja e tyre është tiranike. Zemrat e tyre janë të pamëshirshme ndaj kujtdo që u del para në rrugëtimin e tyre drejt pushtetit apo gjatë ushtrimit të pushtetit.

Në stilin e të folmes, populistët flasin me slogane të shkurtra, të thjeshta dhe i sheh të sillen vrazhdë për t’u dukur si populli i vërtetë – thotë Pippa Norris, profesoreshë në Universitetin e Harvardit. Populistët në Shqipëri përdorin koncepte shumë të thjeshta, popullore si e drejta e popullit për të vendosur, gara, listat e hapura, barazia, lufta kundër zullumit, lufta kundër oligarkisë, etj. Ata premtojnë të luftojnë padrejtësinë me dorë të hekurt, të zhdukin parabarazinë dhe ta bëjnë Shqipërinë një Zvicër të Ballkanit.

Edi Rama përdorte dikur togfjalëshin “njerëzit e zakonshëm të këtij vendi” për të premtuar se do të shërbente si zëri i të padëgjuarve, si dora e të harruarve dhe të përçmuarve. Ben Blushi, ndërkohë që ishte dhe është vetë pjesëtar i elitës, dhe jo një njeri i zakonshëm, nuk mund t’u thoshte shqiptarëve se ishte po aq i varfër dhe i padëgjuar sa ata. Por, për t’u bërë pjesë e tyre ai betohej se ndante me ta të njëjtat vlera. Kështu bëhej pjesë e popullit të pastër.

Në pushtet, populistët luftojnë çdo fuqi rezistuese ndaj tyre, gjykatat, mediat dhe partitë e tjera – thotë profesor Mudde. Kjo ka ndodhur me Edi Ramën fjalë për fjalë. Ai rrënoi sistemin gjyqësor, përndoqi dhe nënshtroi mediat dhe përçau opozitën. Historia e mbylljes së Agon Channel dhe blerjes së pjesës dërrmuese të mediave është publike.

Profesor Müller është i mendimit se ironia qëndron në faktin se populistët, pasi vijnë në pushtet, bëjnë të njëjtat mëkate që më parë ia mvishnin elitave: “përjashtojnë qytetarët dhe uzurpojnë shtetin”.

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco