Tubimi i Bashës në Durrës dhe leksioni nga situata në Kosovë

Tubimi i Bashës në Durrës dhe leksioni nga situata në Kosovë

18:10, 31/05/2020 Nga Enton Palushi

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë ka provokuar një varg reagimesh në opinionin publik në Shqipëri, çka është mëse e kuptueshme. Skena politike në Kosovë është interesante dhe provokuese, e ngarkuar me emocionet e luftës dhe të paqes, dhe e karikuar me terma të tillë si tradhti, patriotizëm, nacionalizëm, korrupsion, krim, neo-marksizëm, neo-liberalizëm, ndarje, bashkim, territore, etni, ndershmëri, besnikëri, pastërti, beteja, protesta etj.

Në këtë kuptim, kjo ngarkesë përcillet në mënyra të ndryshme në Shqipëri dhe nuk është habi të shohësh se jo çdo simpati politike këtu përputhet në linja ideologjike dhe partiake me atë që ndodh në Kosovë. Te e fundit, politika është fusha e emocioneve.
Megjithatë, shumëkush në Shqipëri e di se Kosova si shteti më i ri në Europë na ka dhënë kaq shumë leksione demokracie gjatë kësaj situate. 

E para, ajo na mëson se dorëheqja e një kryeministri dhe zgjedhjet e parakohshme janë normale në një demokraci.

E dyta, zgjedhjet kanë standarde dhe rezultati pranohet brenda ditës, diçka e panjohur në realitetin shqiptar.

E treta, vendi ka gjykata që vendosin, ndërsa në Shqipëri u bë kohë që shteti ligjor ka dalë nga binarët. 

Po kështu mund të vazhdohet duke thënë se parlamenti funksionon, se mocionet nuk janë fjalë e huaj si në Shqipëri, se vendi nuk ka nevojë të futet në interpretime dhe keqinterpretime të opinioneve të Komisionit të Venecias për çdo gjë, etj.

*
Por pavarësisht këtyre leksioneve, mund të kuptosh se situata nuk është rozë. Paaftësia për të ngritur një qeveri të qëndrueshme nuk është lajm i mirë. Krizat e vazhdueshme janë problematike për ekonominë dhe reformat e nevojshme në një vend të varfër dhe të korruptuar si Kosova. 
Kjo panoramë ka bërë që tifozët e politikës kosovare në Shqipëri të ndjejnë se diçka nuk shkon te të dy vendet, dhe se paaftësia për të qeverisur në Kosovë, e bën atë të ngjashme me Shqipërinë. Në Shqipëri, qeveria i ka numrat, por qeveriset keq sepse kryeministri është i paaftë, i lidhur me krimin dhe sepse e ndjen që nuk ka legjitimitetin që buron nga zgjedhjet e lira. 

Në Kosovë kanë një problem real me numrat. Sërish në këtë drejtim, ata janë shumë më europianë se në Shqipëri. Kjo për shkak se shumica e vendeve në Europë po përballet me krizën e pamundësisë për të qeverisur për shkak të numrave. “Europa po bëhet e paqeverisshme”, analizon The Economist, duke theksuar se krizat dhe zgjedhjet e parakohshme janë normaliteti i ri.

“Panorama politike në Europë është bërë gjithmonë dhe më e fragmentarizuar. Po bëhet gjithmonë e më e vështirë për çdo vend që të ndërtojë koalicione të forta,” thotë Cornelia Meyer. 

Në themel të saj qëndron kriza e demokracisë, rënia e ndjeshme e besimit dhe votave te partitë politike tradicionale. Dhe faji nuk është i sistemeve zgjedhore, siç duan të besojnë disa.

*
Shqipëria po ashtu e ka një problem me krizën e demokracisë. Besimi te partitë politike në vend është në nivelet më të ulëta ndonjëherë, sipas një sondazhi. Kjo krizë do vazhdojë të na shoqërojë për një kohë të gjatë. Por ne jemi në gjendje të nxjerrim një leksion të mirë nga situata në Kosovë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale në Shqipëri.

E para, të punojmë që këto zgjedhje të kthehen në një referendum mes të mirës dhe të keqes. Që të mos biem në naivitet, sigurisht Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë ngjyrat e tyre. Por për të larguar krimin dhe keqqeverisjen, që janë bërë si tumor në trupin e vendit nga qeverisja e Edi Ramës, duhet një votë e prerë referendare.
E dyta, nisur nga situata në Kosovë, duhet të kuptojmë se çfarë drame do krijohej në Shqipëri ku nuk ka gjykata dhe drejtësi nëse do përfundojmë në një krizë numrash. Shto këtu krimin e shfrenuar dhe korrupsionin dhe do përfundojmë në humnerë. Një situatë e tillë nuk i duhet shoqërisë, por nuk i duhet mbi të gjitha ekonomisë dhe bizneset, që kanë nevojë për qartësi sidomos tani pas krizës së rëndë ku jemi katandisur.

Shenjat që Shqipëria mund të shkojë drejt një vote të tillë referendare u dhanë që me tubimin e opozitës në Durrës. Sigurisht Lulzim Basha dhe PD mund të organizojnë tubime edhe shumë më të mëdha. Por ai takim ishte qartazi një shpërthim sporadik mbështetje ndaj opozitës dhe zemërimi ndaj pushtetit. Një frymë e tillë i duhet vendit për të ‘përmbytur’ edhe mekanizmat që do tentojnë të ndërhyjnë te vota e lirë. Vetëm një ‘dallgë’ e madhe votash kundër qeverisë dhe pro opozitës do e fusë Shqipërinë në shinat e normalitetit demokratik. Kjo është e sigurt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco