Reciprociteti me Serbinë/ Zëdhënësi i qeverisë reagon pas raportimit të RTK-së

Reciprociteti me Serbinë/ Zëdhënësi i qeverisë reagon pas raportimit të RTK-së

22:47, 30/05/2020

Zëdhënësi i Qeverisë në Detyrë, Përparim Kryeziu, ka reaguar ndaj një storie të cilën televizioni publik e ka transmetuar të shtunën lidhur me zbatimin e reciprocitetit me Serbinë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kryeziu konsideron se kronika nuk ka koherencë pasi nuk e tregon lajmin e saktë titulli i cili pas transmetimit në TV është publikuar nga mediat online.

Lidhur me reciprocitetin, ai ka thënë se është formuar një grup punues ndërinstitucional për vlerësimin dhe monitorimin e masave të reciprocitetit.

Sipas tij, ky grup është formuar jo pse reciprociteti nuk po zbatohet, por sepse i njëjti ishte paraparë në vendimin për fillimin gradual të reciprocitetit me Serbinë.

Shkrimi i plotë:

Reagim ndaj raportimit joprofesional të radhës së RTK-së

I zhgënjyer me raportimin jo-profesional të radhës të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK). Sonte në lajmet e mbrëmjes u transmetua kronika me titull “NUK PO ZBATOHET RECIPROCITETI I VËNË SERBISË NGA QEVERIA KURTI”, përmbajtja e së cilës nuk përputhet aspak me titullin e lajmit.

Në intervistën e zhvilluar ditën e enjte (28. 05.2020), e kam njoftuar se masat e marra janë duke u zbatuar, dhe që sfidat dhe parregullsitë do të adresohen urgjentisht, derisa listës se masave pritet që t’i shtohen edhe format të tjera reciprocitetit.

Gjatë kësaj interviste, një segment i së cilës është transmetuar në kronikën e lajmeve, unë njoftoj se është formuar një grup pune ndërinstitucional për vlerësimin dhe monitorimin e masave të reciprocitetit, i cili është formuar jo pse reciprociteti nuk po zbatohet, por sepse i njëjti ishte paraparë në vendimin për fillimin gradual të reciprocitetit me Serbinë (dt. 31.03.2020). Qëllimi i këtij mekanizmi është që të vlerësojë dhe monitorojë zbatimin e masave të reciprocitetit, ashtu që çdo parregullsi e mundshme të identifikohet dhe adresohet me masa të reja për zbatimin e reciprocitetit aktual. Në raste kur këto parregullsi janë identifikuar, të njëjtat janë adresuar sikurse rastet e kthimit të maunave të cilat vinin nga Serbia me dokumentet të papranueshme. Në raste kur ngritën dyshime për parregullsi, ato trajtohen urgjentisht nga institucionet përgjegjëse.

Tutje, referimi në titull i Qeverisë së Republikës së Kosovës me “Qeveria Kurti”, thuajse këto nuk janë e njëjta, është tendencioz. Reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë, është reciprocitet i vendosur nga Republika jonë e Kosova nëpërmjet Qeverisë së saj. RTK nuk duhet të jetë në shërbim të asnjë grupi apo pale, por t’i nënshtrohet vetëm parimeve të raportimit të drejtë dhe të paanshëm.

Sapo është parë kjo kronikë, kemi kontaktuar me gazetarin e kronikës i cili ka zhvilluar intervistën me mua. Ai është pajtuar që titulli nuk reflekton përmbajtjen e saktë të kronikës së shkruar. Mbi këtë pajtueshmëri, gazetari i është drejtuar redaksisë me kërkesë për të ndryshuar titullin e kronikës, ndryshimi i së cilës na është konfirmuar se do të bëhet.

Megjithatë tanimë kronika me këtë lajm keq informuese është huazuar edhe nga gazetat tjera online. Ky ndryshim i vonshëm, i një veprimi shumë lehtë të evitueshëm qysh nga fillimi, nuk i zhbën pasojat që ka shkaktuar ky keqinformim i përhapur në opinionin publik.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të zbatojë reciprocitetin e plotë me Serbinë. Për këtë arsye, masave të deritanishme të reciprocitetit do t`i shtohen të tjera sonte

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco