Drejt zhdukjes/ Në 2030 kënga e zogjve do të jetë ngjarje e rrallë

Drejt zhdukjes/ Në 2030 kënga e zogjve do të jetë ngjarje e rrallë

13:54, 25/01/2020

Në të ardhmen e afërt, kënga e zogjve do të dëgjohet përherë e më rrallë dhe më 2030, përveç temperaturave më të larta dhe zjarreve e katastrofave meteorologjike, qielli do të zbrazet nga fluturakët.

‘State of the world’s birds’ (Situata e zogjve në botë), një hartë e përpiluar nga Bird Life International gjatë pesë vjetëve dhe publikuar më 2018, flet qartë: shfarosja po ecën me ritme aq të shpejta sa që jo vetëm speciet më të rralla por edhe ato më të zakonshmet po zhduken.

Bufi i borës, papagalli i detit, por edhe turtulli aq i përhapur, janë në rrezik. Sipas raportit, 40% e popullsisë së mbi 11 mijë specieve është në rënie dhe një në tetë specie rrezikon zhdukjen. Faji i atribuohet veprimtarisë së njeriut.

Në Amerikën Veriore fenomeni është edhe më i rëndë. Sipas një studimi të botuar në tetorin e kaluar në Science, nga 1970 deri sot janë zhdukur rreth tre miliardë zogj, baras me 29% të numrit ekzistues.

Dhe sipas një tjetër analize të botuar gjithashtu në tetor nga Audubon Society, grup amerikan i mbrojtjes së kafshëve, dy të tretat e zogjve që jetojnë në kontinent rrezikohen nga kriza klimatike.

Kontinenti do të humbasë 389 nga 604 specie zogjsh që jetojnë në SHBA. 90% i përkasin 12 familjeve që përfshijnë harabelat, trishtilat dhe dallëndyshet. Pikërisht zogjtë që shohim më shpesh në qiell.

Në realitet, zhdukja e kafshëve është një dukuri absolutisht natyrore që ecën në një hap me shfaqjen e tyre dhe bën pjesë në mekanizmat e evolucionit. Sipas paleontologëve, një vertebror ka shpresë të endet mbi Tokë për një periudhë që shkon nga një në tre milionë vjet.

Bazuar mbi të dhënat e përpiluara nga Lista e Kuqe, databaza që kontrollon gjendjen e ruajtjes së kafshëve e bimëve, sot jeta mesatare e një specieje është reduktuar në 5 mijë.

Nga 1500 deri sot janë shfarosur 187 nga rreth 10 mijë specie zogjsh. Shfarosja e tyre duhet të jetë një kambanë alarmi. Zogjtë janë tregues i rëndësishëm që jep informacion mbi shëndetin e ekosistemeve, sepse janë të përhapur kudo.

Para ndryshimit klimatik që rëndon situatën, duke modifikuar ritmet e migrimit, një nga kërcënimet më të mëdha ka qenë agrikultura. Përhapja e insekticideve neonikotinoidë redukton yndyrën dhe masën trupore e ndërhyn direkt në sistemet e navigacionit të nevojshëm për migrimin.

Pastaj është edhe prerja e pemëve, prania e kafshëve që vijnë nga rajone të tjera dhe në fund vrasja e paligjshme nga gjuetarët që eliminojnë midis 12 e 38 milionë zogj në vit vetëm në rajonin e Mesdheut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco