Presidenti Biden kthehet me tren në Poloni, pas vizitës së papritur në Ukrainë

Presidenti Biden kthehet me tren në Poloni, pas vizitës së papritur në Ukrainë

07:08, 21/02/2023

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden mbërriti me tren në Poloni të hënën pas një vizite të paparalajmëruar në Ukrainë. Pamjet e kanalit televiziv lokal TVN24 treguan Presidentin Biden ndërsa zbriste nga treni dhe në vazhdim një autokolonë makinash iu largua stacionit të trenit "Przemyśl Główny". Të martën Presidenti Biden pritet të takohet me Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, njofton VOA.

Në Ukrainë, Presidenti Biden u takua me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, një gjest solidariteti që vjen disa ditë para njëvjetorit të nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

Në Kiev, presidenti amerikan njoftoi për një ndihmë prej gjysmë miliardë dollarësh shtesë nga SHBA, përfshirë predha, raketa antitank, radarë të mbikëqyrjes ajrore dhe ndihma të tjera, por jo armatime të reja të avancuara. Banorët e Kievit thanë se mbetën 'pa fjalë' dhe ishin 'të gëzuar' pas vizitës së papritur të presidentit Biden.

Misioni i presidentit amerikan me vizitën në Kiev, e cila u bë përpara një udhëtimi të planifikuar në Poloni, ishte të theksonte se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të qëndrojnë me Ukrainën “për aq kohë sa duhet” për të zmbrapsur forcat ruse.

Presidenti Biden pa nga afër terrorin me të cilin ukrainasit kanë jetuar për gati një vit. Sirenat e sulmeve ajrore ulërinin mbi kryeqytet pikërisht kur ai dhe presidenti ukrainas, Volodomyr Zelenskyy po dilnin nga kupola e artë e Katedrales Shën Mikael, të cilën ata e vizituan së bashku.

“Unë jam këtu për të treguar mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë e vendit, sovranitetin tuaj dhe integritetin territorial. Sot shpresoj se do të kemi një shans për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë mbështetjen në mënyrë më efektive për ju dhe vendin tuaj”, tha presidenti amerikan Joe Biden në Kiev.

Vazhdimi i përkrahjes amerikane dhe aleatëve për Kievin përfshin edhe një ndihmë të re prej gjysmë miliardë dollarësh shtesë.

“Së bashku me aleatët jemi zotuar për rreth 700 tanke dhe mijëra mjete të tjera të blinduara. 1000 sisteme artilerie, më shumë se dy milionë municione armatimi, më shumë se pesëdhjetë sisteme raketash të avancuara dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. E gjithë kjo për të mbrojtur Ukrainën dhe kjo nuk llogarit gjysmë miliardë dollarë të tjerë që do t'i shpallim sot”, tha zoti Biden dhe shtoi:

“Dhe kjo tregon se sa gjatë do jemi pranë jush, për aq kohë sa të duhet”.

Presidenti ukrainas falenderoi presidentin Biden dhe Kongresin amerikan për përkrahjen dypartiake të ofruar nga dita e parë e luftës. Ai u shpreh me vendosmëri që viti 2023 duhet të jetë vit i fitores së pakompromis për Ukrainën.

“Ne mund dhe duhet ta bëjmë këtë vit, vit të fitores, dhe dua të theksoj se kjo luftë e paprovokuar dhe kriminale ruse kundër Ukrainës, gjithë Evropës dhe botës demokratike duhet të përfundojë me pastrimin e të gjithë tokës ukrainase nga pushtimi rus. Tani për tani dhe pikërisht në Ukrainë po vendoset fati i rendit ndërkombëtar mbështetur në rregulla”, tha presidenti ukrainas, Zelensky.

Simbolika e presidentit amerikan krah për krah me presidentin ukrainas në Kiev ndërsa afrohet përvjetori i luftës nuk është gjë e vogël dhe për këtë janë të vetdijshëm edhe ukrainasit e thjeshtë.

“Po më thoni se zoti Biden është në Kiev sot? Kjo është e mrekullueshme, partnerët tanë po dëshmojnë mbështetjen e tyre. Kjo heq disa nga dyshimet që kisha për besnikërinë e Shteteve të Bashkuara”, tha Inna Romaniuk, banore e Kievit.

“Jam pa fjalë. Jam shumë i lumtur. Kjo do të thotë gjithçka. Jetë. Fitore”, tha 75 vjeçari, Volodomyr, banor i Kievit.

Vizita e presidentit Biden duket se është planifikuar për të lënë në hije presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka paralajmëruar një fjalim të rëndësishëm të martën. Zoti Putin pritet të tregojë synimet për vitin e dytë të luftës në Ukrainës që ai tani e quan një luftë jo të drejtpërdrejtë kundër fuqisë së armatosur të Uashingtonit dhe NATO-s.. Sipas Reuters dhe AP

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco