Koha e preferuar e ushtrimeve

Koha e preferuar e ushtrimeve

17:07, 25/11/2022

Ushtrimi ndërmjet orës 08:00 dhe 11:00 është i lidhur me rrezikun më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe goditjes, sipas një studimi të ri me më shumë se 86.000 pjesëmarrës.

Krahasuar me individët që ishin më aktivë në mes të ditës, ata që ishin më aktivë në mëngjes ndërmjet orës 8 dhe 11 të mëngjesit kishin një rrezik 11 deri në 16 për qind më të ulët për të zhvilluar sëmundje koronare të zemrës. Te femrat rreziku ulet me 22 deri në 24 për qind, raporton Medical News Today.

Një rrezik 17 për qind më i ulët për të zhvilluar një goditje në tru u vu re te ushtruesit e mëngjesit, dhe te gratë kjo përqindje ishte 35 për qind.

Rezultatet u publikuan në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese, transmeton KosovaPress.

“Dihet mirë se stërvitja është e mirë për zemrën dhe studimi ynë tregon se aktiviteti i mëngjesit është më i dobishëm për këtë”, tha një nga autorët e studimit, Gali Albalak nga Qendra Universitare Mjekësore në Leiden, Holandë.

“Rezultatet janë veçanërisht të theksuara te femrat, dhe gjithashtu vlejnë për ata që zgjohen herët dhe zogjtë e natës”.

Të gjithë pjesëmarrësit në studim, 86.000 prej tyre, ishin midis 42 dhe 78-vjeç. Mesatarja ishte 62 vjet. Në fillim të hulumtimit, ata nuk vuanin nga sëmundje kardiovaskulare, por ishin mesatarisht obezë.

Aktiviteti i tyre fizik u monitorua çdo ditë nga shkurti 2013 deri në vitin 2015 duke përdorur monitorë dore.

Shkencëtarët më pas i ndoqën ata për gjashtë deri në tetë vjet, deri në shtrimin e tyre të parë në spital ose vdekjen e lidhur me sëmundjet e zemrës ose goditjen në tru.

Gjatë asaj periudhe, pothuajse 3000 prej tyre zhvilluan sëmundje të arterieve koronare dhe pothuajse 800 prej tyre pësuan një goditje në tru. Në subjektet që ishin fizikisht aktivë midis orës 8 dhe 11 të mëngjesit, u vu re rreziku më i ulët i të dyja kushteve, tregoi studimi.

“Ky është një studim vëzhgues, ndaj nuk mund të shpjegojmë pse lidhja është më e theksuar tek femrat”, tha Albalak.

“Rezultatet e hulumtimit tonë janë dëshmi shtesë për përfitimet shëndetësore të aktivitetit fizik dhe tregojnë se aktiviteti i mëngjesit, veçanërisht nëse është vonë në mëngjes, është më i dobishëm.”

Mjekët rekomandojnë që të rriturit të ushtrohen në mënyrë të moderuar për 150 deri në 300 minuta në javë, ose 75 deri në 150 minuta nëse e bëjnë më energjikisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco