Pse dashuria shkatërron jetën e njeriut? Propozon filozofi: Të dashurojmë pa rënë në dashuri

Pse dashuria shkatërron jetën e njeriut? Propozon filozofi: Të dashurojmë pa rënë në dashuri

23:19, 17/08/2022

Çfarë është dashuria? Shumë mendimtarë e filozofë janë përpjekur që ta definojnë ndjenjën që lidh njerëzit aq fuqishëm, duke ndryshuar në mënyrë dramatike jetët e tyre.

Filozofi Slavoj Zhizhek rënien në dashuri e sheh si një moment tronditës për njeriun, që çekuilibron jetën e tij rutinore e të papenguar. Ai, i nxitur nga një përvojë në aeroplan, në mënyrë ironike nxjerr idenë që të dashurojmë pa rënë në dashuri, pra pa iu ekspozuar një investimi të madh emocional që sjell dëshpërimin e thellë si rrjedhojë.

“Dashuria është një katastrofë. Është sëmundje e çmendur. Dashuria të shkatërron jetën. Por, jam shumë i dëshpëruar kur nuk jam në dashuri”, shprehet Zhizhek.

Në një ligjëratë të tij, Zhizhek theksonte:

Çfarë është dashuria? Shoku ynë i mirë Alain Badiou në librin e tij të mrekullueshëm “Lavd Dashurisë”, thotë se gjithmonë ka diçka traumatike/radikalisht të dhunshme në dashuri. Dashuria është gjendje e përhershme e emergjencës. Ju bini në dashuri. Është e rëndësishme ta dimë se në anglisht dhe frëngjisht përdoret shprehja: ju “bini” në dashuri. Humbni kontrollin. Them se dashuria pasionante është një prej përvojave thelbësore metafizike, është përvojë platonike. Në kuptimin që, përderisa jetoni në lehtësinë e përditshmërisë, takoheni me shokët e shkoni në ndeja, gjithçka ecën normalisht, ndoshta aty-këtu ndonjë ‘one-night-stand’ – papritur bini në dashuri dhe gjithçka shkatërrohet. I gjithë ekuilibri i jetës suaj, humbet. Gjithçka i nënshtrohet këtij personi të vetëm. Pothuajse nuk mund ta mendoj, duke përjashtuar luftën, një përvojë më të dhunshme se ajo e dashurisë.

Dhe besoj që kjo është arsyeja pse të gjithë ‘konsulentët’ që ekzistojnë sot, përpiqen që ta zbusin apo ta fshijnë këtë pjesë të dashurisë. Sikur agjencitë për martesa dhe ndërmjetësim takimesh, duan të thonë se dashuria është tejet toksike, prandaj ju tregojnë se triku është që ta gjeni veten në dashuri pa rënë në dashuri. Më erdhi kjo në mendje gjatë një fluturimi transatlantik, përderisa lexoja një prej revistave idiote të kompanisë së fluturimit, ku me shkronja të mëdha thuhej: “Ju gjejmë dashurinë, pa rënien”, pra pa këtë ekspozimin e rrezikshëm. Dhe, besoj që kjo i shkon në mënyrë perfekte metafizikës sonë të përditshme narcizoide. E dini atë tregimin që e përsëris gjatë gjithë kohës: duam kafe pa kafeinë, birrë pa alkool dhe duam dashuri pa atë momentin e rrezikshëm, ku humbemi tërësisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco