Ish-menaxherja e Facebook zbulon sekrete të frikshme: Ky rrjeti di çdo gjë për ju

Ish-menaxherja e Facebook zbulon sekrete të frikshme: Ky rrjeti di çdo gjë për ju

13:20, 16/10/2021

Menaxherja e mëparshme e prodhimit në Facebook, Frances Haugen dëshmoi para Senatit amerikan më 5 tetor 2021, se platformat sociale të kompanisë “dëmtojnë fëmijët, nxisin ndarjet dhe dobësojnë demokracinë”.

Haugen ishte burimi kryesor për Wall Street Journal që shkruante për Facebookun. Ajo i përshkroi algoritmet e Facebook si të rrezikshme.

Ajo tha se drejtuesit e Facebook ishin në dijeni të problemit, por se ata kishin vënë fitimet para njerëzve dhe i bëri thirrje Kongresit të rregullojë kompaninë.

Se sa saktësisht platformat e mediave sociale dëmtojnë njerëzit është shpjeguar për The Conversation nga eksperti i IT, Filippo Menczer.

Më poshtë keni tekstin e tij:

Kur vendosin për përmbajtjen që do t’u shfaqet përdoruesve të platformës së mediave sociale, ata kryesisht mbështeten në njohuri për sjelljen e njerëzve. Në veçanti, ata kërkojnë përmbajtje të cilave u përgjigjen njerëzit, domethënë, të cilave u përgjigjen duke i pëlqyer, komentuar dhe ndarë. Fermat e trollit, organizatat që përhapin përmbajtje provokuese, përfitojnë nga kjo duke kopjuar përmbajtje me një angazhim të madh dhe duke e publikuar atë si të tyren, gjë që i ndihmon ata të arrijnë një audiencë të gjerë.

Si një shkencëtar kompjuteri që studion mënyrat në të cilat një numër i madh njerëzish komunikojnë me ndihmën e teknologjisë, unë e kuptoj logjikën e përdorimit të mençurisë së masave në këto algoritme. Unë gjithashtu shoh gracka të rëndësishme në mënyrën sesi rrjetet sociale e bëjnë këtë në praktikë.

Nga luanët në savanë deri tek pëlqimet në Facebook

Koncepti i mençurisë së turmës bazohet në idenë se përdorimi i sinjaleve që rrjedhin nga veprimet, opinionet dhe preferencat e njerëzve të tjerë si udhëzues do të çojë në vendime të mira. Për shembull, dihet që parashikimet kolektive janë zakonisht më të sakta se ato individuale. Inteligjenca kolektive përdoret për të parashikuar lëvizjet në tregjet financiare, rezultatet sportive, rezultatet e zgjedhjeve dhe madje edhe shpërthimet e sëmundjeve infektive.

Përmes miliona viteve të evolucionit, këto parime janë koduar në trurin e njeriut në formën e paragjykimeve njohëse. Për shembull, nëse të gjithë fillojnë të vrapojnë, kështu duhet të bëni edhe ju, sepse ndoshta njerëzit e panë një luan që po vinte dhe për këtë arsye vrapuan, kështu që mund të shpëtojë edhe jetën tuaj. Ndoshta nuk e dini pse vraponi, por është më e mençur të vraponi së pari dhe të pyesni më vonë.

Truri juaj kap sinjale nga mjedisi – përfshirë ato që vijnë nga bashkëqytetarët tuaj – dhe përdor rregulla të thjeshta për t’i përkthyer ato sinjale në vendime: shkoni me fituesin, ndiqni shumicën, kopjoni fqinjin tuaj. Këto rregulla funksionojnë jashtëzakonisht mirë në situata tipike sepse bazohen në supozime të shëndosha. Për shembull, ata supozojnë se njerëzit shpesh sillen në mënyrë racionale, se turma nuk ka gjasa të bëjë gabime, se e kaluara parashikon të ardhmen, e kështu me radhë.

Teknologjia i lejon njerëzit të kenë qasje në sinjalet e një numri shumë më të madh të njerëzve të tjerë, shumicën e të cilëve ata nuk i njohin. Aplikacionet e inteligjencës artificiale i përdorin gjerësisht këto sinjale të popullaritetit ose “angazhimit”, nga përzgjedhja e rezultateve të motorit të kërkimit tek rekomandimi i muzikës dhe videove dhe nga sugjerimi i miqve deri tek renditja e lajmeve që do t’ju shfaqen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco