Shkretëtira e Bardhë, peizazhi i jashtëzakonshëm i Egjiptit

Shkretëtira e Bardhë, peizazhi i jashtëzakonshëm i Egjiptit

13:57, 03/03/2021

Egjipti, vendi i njohur për piramidat dhe për vendpushimet luksoze si në Mesdhe ashtu edhe në Detin e Kuq, shpesh neglizhohet për një nga peizazhet më spektakolare, Parkun Kombëtar të Shkretëtirës së Bardhë.

Udhëtimet në Shkretëtirën Perëndimore të Egjiptit janë bërë, së fundmi, më popullore për vendasit dhe turistët, të cilët krahas pamjes mahnitëse shijojnë edhe aktivitete apo sporte të ndryshme në shkretëtirë.

Rrugëtimi për në Shkretëtirën e Bardhë zakonisht fillon me një ndalesë në një peizazh krejtësisht të kundërt, Shkretëtira e Zezë. Kjo shkretëtirë përmban një mori vargmalesh ku secili mbart një shtresë gurësh të zinj të krijuar nga vullkanet miliona vjet më parë. Nga këtu, në destinacionin e hapësirës së pafundme ranore të bardhë, arrihet përmes një rruge të braktisur.

“Sapo vihesh përpara pamjes së Shkretëtirës së Bardhë, kupton se ky vend është ndryshe nga çdo vend tjetër në planet, një pamje misterioze me një bukuri të frikshme, që të bën të kuptosh se si planeti ynë i nënshtrohet ndryshimeve të fuqishme klimatike”, raporton CNN Travel.

Është e pabesueshme të mendosh se më parë e gjithë kjo shkretëtirë ka qenë një det apo oqean, dhe se e vetmja provë e mbetur për këtë është një koleksion shkëmbinjsh gëlqerorë të kalcifikuar e të skalitur me kalimin e kohës nga rëra dhe era.

Pasi perëndon dielli, në shkretëtirë ngrihen kampet nga vendasit, beduinët, që përgatisin për vizitorët një darkë tradicionale mbi një zjarr të hapur. Shkretëtira e Bardhë është padyshim një nga mjediset më të mira në planet për të vëzhguar Rrugën e Qumështit me gjithë shkëlqimin e saj, por edhe një reliev të jashtëzakonshëm. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco