Çelin 5 zogj lejleku në folenë e famshme në Gjirokastër

Çelin 5 zogj lejleku në folenë e famshme në Gjirokastër

08:39, 08/07/2020

Fillimi i muajit prill shënoi ardhjen e pranverës në Gjirokastër me mbërritjen e çiftit të lejlekut (Ciconia ciconia), të cilët filluan menjëherë me rregullimin dhe “fortifikimin” e folesë. Për këtë arsye, në ditët e para pas çeljes së vezëve ishte e vështirë të përcaktohej saktë numri i zogjve të çelur.

Përgjithësisht, ky lloj lëshon 2 deri në 4 vezë të cilat pas çeljes ushqehen nga prindërit deri në momentin që përvetsojnë më së miri instiktin e gjuetisë dhe janë gati të ndërmarrin fluturimin për mbijetesë drejt vendeve të dimërimit. Për fat të keq, ky ritual po bëhet gjithnjë e më i vështirë si pasojë e humbjes së habitatit dhe për pasojë zvogëlimin e burimit të ushqimit.

Foleja më e famshme e lejlekut në Shqipëri tashmë ka 5 të vegjël nën përkujdesjen prindërore, duke thyer kështu rregullin e zakonshëm të numrit të vezëve. Pavarësisht optimizmit të këtij lajmi, mbijetesa e të gjithë të lejlekëve të vegjël do të jetë një mision sfidues për çiftin e platformës duke marrë parasysh se burimi kryesor i ushqimit për to në zonë është liqeni i Viroit, i cili gjatë muajit gusht është plotësisht i tharë, duke kufizuar rezervat ushqimore përpara shtegtimit.

Ndërkohë që situata me të gjitha foletë ende nuk mund të përcaktohet saktë, një nga çiftet e lokalizuara në Delvinë e ka braktisur folenë duke ndërprerë sezonin e folezimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco