Shtyhet përsëri gjykimi ndaj dy të akuzuarve për sulm në një tubim elektoral të AAK-së në vitin 2017

Shtyhet përsëri gjykimi ndaj dy të akuzuarve për sulm në një tubim elektoral të AAK-së në vitin 2017

11:07, 26/01/2021

Ka dështuar përsëri gjykimi ndaj të pandehurve Mixhid Sedolli dhe Sulë Dakaj të cilit po akuzohen për sulm në një tubim elektoral të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), në vitin 2017.

 

Për shkak të mungesës së prokurorit Metush Biraj, seanca përsëri u shty për një datë tjetër, ka konstatuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi.

Gjykatësja Skenderi tha se prokurori e ka informuar gjykatën me parashtresë për mos prezencën e tij në këtë seancë.

“Nuk është prezent prokurori i shtetit Metush Biraj i cili me parashtresën e datës 20.01.2021, e ka informuar gjykatën se më 26.01.2021, është në shqyrtim kryesor të gjyqtarja Raima Elezi”, ka konstatuar gjykatësja Skenderi.

Në këto rrethana, gjykatësja Skenderi njoftoi palët se seanca e sotme shtyhet dhe caktohet për 10 mars 2021, në ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ndryshe, ky rast ishe duke u gjykuar nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, mirëpo pas vendimit të Gjykatës së Apelit, lënda është dërguar në kompetencë të Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren, me 21 korrik 2020.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 30 mars 2018, i pandehuri Mixhid Sedolli akuzohet se më 3 tetor 2017, rreth orës 21:00, në fshatin Vërshec të Suharekës, në shtëpinë e Ilmi Tixhajt, deri sa ishte duke u mbajtur një tubim elektoral i AAK-së, (Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës), ishte premtuar sjellja e një burimi të ujit të pijes nga mali në fshat.

Tutje, sipas aktit akuzues, me këtë qëndrim për sjelljen e ujit nuk është pajtuar i pandehuri Mixhid Sedolli, me arsyetimin se ky burim i ujit ishte pronë e tij, nga i cili moment kishte filluar mosmarrëveshja mes të pandehurit Mixhid dhe Sulë Dakajt, ku thuhet se të pranishmit në atë takim kishin ndërhyrë për t’i ndarë.

 

Sipas aktit akuzues, pasi del jashtë i pandehuri Mixhid, shkon në shtëpi dhe merr pushkën e gjatë (dhjetëshe), ku nga largësia prej 300-400 metrave gjuan me armën katër herë në ajër, ku më pas i është afruar edhe shtëpisë ku ka qenë duke u mbajtur tubimi, ku e ka vërejtur Hashim Tixhaj, i cili e ka bindur të akuzuarin për tu larguar, duke e përcjellë deri në shtëpinë e tij.

Me këto veprime, i pandehuri Mixhid Sedolli akuzohet se ka kryer veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas pikës dy të aktakuzës, i pandehuri Mixhid akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin më lartë, ka poseduar në kundërshtim me ligjin pushkën 10-tshe, të cilën e ka fshehur dhe nuk ka mundur të gjendet nga policia.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, në kohë dhe vend të njëjtë, i pandehuri Mixhid akuzohet se ka përdorur fjalë fyese ndaj Sulë Dakajt, ku edhe e ka sulmuar fizikisht, e që janë ndaluar nga të pranishmit aty.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi”.

Ndërsa sa i përket të pandehurit Sulë Dakaj, ai po akuzohet se më datë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të aktakuzës, me dashje e ka përdorur forcën ndaj Mixhid Sedollit, ku për shkak të burimit të ujit e ka sulmuar dhe më pas kanë ndërhyrë të pranishmit për t’i ndalur.

Me këto veprime, i pandehuri Dakaj akuzohet se ka kryer veprën penale ”sulmi”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco