Ekzekutimi i biznesmenit/ Negociatat dështuan, autori: E vrava sepse...

Ekzekutimi i biznesmenit/ Negociatat dështuan, autori: E vrava sepse...

11:34, 19/10/2020

Një hapësirë toke ku një pallat ishte drejt përfundimit në ndërtim, në pronësi të familjes së Kliti Lekës, 53 vjeç, është shkaku i ekzekutimit të biznesmenit Niko Goro. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së shtunës në Himarë, ku biznesmeni Goro që ka në pronësi edhe një bar kafe në qendër të qytetit, është qëlluar për vdekje me armë zjarri pranë supermarketit të motrës së tij, Eftiqia Qesko. Edhe kjo e fundit mbeti e plagosur nga kjo ngjarje, ndërsa mësohet se ka marrë një plumb në këmbën e djathtë. Ndërsa Niko Goro mori katër plumba në trup, çfarë i shkaktuan edhe vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08 e 55 minuta të së shtunës, ndërsa autori ka udhëtuar ditën e premte nga Tirana me makinën e tij në drejtim të Himarës. Pasi është afruar pranë marketit në pronësi të motrës së Niko Goros, 53- vjeçari ka hapur zjarr ndaj tij. Viktima Goro mësohet se ka qenë në shoqërinë e motrës së tij në derën e marketit. Edhe ajo është prekur nga plumbat e lëshuar në drejtim të të vëllait, raporton Panorama.

Pesë plumba kanë dalë nga arma e 53-vjeçarit, nga të cilët katër plumba kanë përfunduar mbi biznesmenin, ndërsa një plumb ka prekur të motrën e tij në këmbë. Menjëherë Kliti Leka është larguar nga vendi i ngjarjes, duke hipur në automjet për t’u larguar drejt vendit të quajtur Livadh në Himarë. Pasi ka braktisur mjetin e tij tip “Volsvagen”, 53-vjeçari është larguar disa metra më tej duke iu fshehur ndjekjes së Policisë. Por, arratia e tij zgjati vetëm pak çaste, pasi autori u arrestua nga uniformat blu teksa po tentonte të fshihej nëpër shkurret në zonën e Livadhit në Himarë.

“E vrava se i kisha dhënë një tokë në pronësi për pallat dhe nuk më kishte shlyer pagesat”, ka deklaruar autori pak pas ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, mësohet se autori dhe viktima kishin pasur edhe një grindje mes tyre kohë më parë. Ndërsa një ditë para ngjarjes,Kliti Leka ka qëndruar në Himarë, çfarë besohet sipas Policisë se e kishte programuar të gjithë atë çfarë do të kryente një ditë më vonë.

Nga burime të Policisë referuar edhe hetimeve të para, flitet për një marrëveshje mes autorit dhe viktimës për pallatin që ishte drejt përfundimit në tokën në pronësi të familjarëve të Kliti Lekës në Himarë, por dhe për një shumë rreth 70 mijë euro, pikërisht në këtë marrëveshje mes tyre.

Shkak për ngjarjen që tronditi Himarën mëngjesin e së shtunës dyshohet se mund të jetë një marrëveshje e lidhur dy vite më parë, ku Kliti Leka do t’i vinte në dispozicion tokën që zotëronte në Himarë, mbi të cilën biznesmeni Niko Goro, do ndërtonte pallatin. Në fakt, Niko Goro e ka ndërtuar objektin mbi sipërfaqen e tokës dhe është në fazë përfundimi, por nuk ia kishte dhënë pjesën që i takonte Kliti Lekës, shkruan Panorama.

Pjesa takuese ishte përllogaritur në dy apartamente, por Kliti Leka, mendohet se ka marrë vetëm një apartament, megjithatë kjo mbetet ende për t’u vërtetuar. Shpesh mes Goros dhe Lekës, ka pasur negociata dhe gjatë kësaj periudhe 53- vjeçari, e ka ndjerë veten të mashtruar nga biznesmeni, e për pasojë ka shkuar drejt vendimit ekstrem.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco