Detaje rrëqethëse nga rasti tragjik i dy vëllezërve në Gjermani

Detaje rrëqethëse nga rasti tragjik i dy vëllezërve në Gjermani

09:08, 14/10/2020

Dy vëllezër nga komuna e Deçanit janë goditur dje për vdekje nga treni në një qytet të Gjermanisë. Sipas njoftimit të mediave gjermane, njëri nga vëllezërit është 13 vjeç ndërsa tjetri 17. Bazuar në informacionet e para, të dy të rinjtë po tentonin që të kapnin trenin i cili ishte në stacion, për këtë arsye të dy kishin vrapuar drejt shinave. Ata u goditën nga një tren që po vinte drejt Mynihut dhe lëndimet e marra ishin fatale pas goditjes.

Detaje se si ka ndodhur rasti kanë dhënë edhe nga Policia e Gjermanisë.“Ngjarja ka ndodhur në orën 7:30 të mëngjesit. Fëmijët kanë kaluar shiritin i cili ishte i vendosur në mënyrë që të kapin një tren, por një tjetër i cili ishte në anën e kundërt, ka ardhur dhe i ka shkelur. Me rastin tani po merret Policia”, tha oficeri i Policisë që është në vendin e ngjarjes.

Për aksidentin tragjik në Gjermani ku humbën jetën dy vëllezër me prejardhje nga Deçani, ka reaguar edhe Ambasada e Kosovës në Gjermani.Në postimin e ambasadës thuhet se po bëhet çdo gjë për t’i qëndruar pranë familjes Arifaj.

“Ambasada e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet familjes Arifaj. Bashkë me Konsullatën e Përgjitshme të Kosovës në Bavari, Ambasada është duke bërë çdo gjë që familjes Arifaj t’i qëndrojmë pranë në këto çaste të vështira.

Edhe kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së dy vëllezërve nga Deçani në rrethana tragjike në Gjermani. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Haradinaj  ka deklaruar se janë në kontakt me autoritetet gjermane dhe presin sqarimin e kësaj tragjedie.“Me rastin e vdekjes tragjike të personave B.A dhe H.A (13 dhe 17 vjeçar) në Gjermani, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për prindërit e familjarët, si dhe qytetarët e Deçanit dhe Kosovës.

Ambasada e Kosovës në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Bavari janë në kontakt me autoritetet gjermane për t’u sqaruar kjo tragjedi e rëndë. Jeta jashtë vendlindjes në këto rrethana din të jetë shumë e rëndë, dhe jemi duke bërë çdo gjë që familjes t’u gjindemi pranë në këto çaste të vështira”, ka shkruar Haradinaj.

Për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ramosaj ka thënë se Deçani është tronditur rëndë nga tragjedia që ndodhi në Bruckberg afër Münchenit të Gjermanisë, derisa i ka shprehur ngushëllime familjes Arifaj.

“Për Deçanin dhe qytetarët e Deçanit është rast i rënd dhe ditë zie tejet pikëlluese tragjedia që i ndodhi familjes Arifaj nga Ratishi i Epërm i kësaj komune. Ngushëllime familjes dhe të gjithë qytetarëve për këtë rast tejet të rëndë”, ka thënë ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco