Babai i viktimës rrëfen si ndodhi vrasja në kazino

Babai i viktimës rrëfen si ndodhi vrasja në kazino

17:02, 21/03/2019

Florent Ahmetaj, 32 vjeç, nga fshati Rezallë i Skenderajt, u vra mbrëmë në vendin e tij të punës, në një kazino të Lipjanit.

Objektit të kazinos “Matrix” jo edhe të vogël për nga madhësia, që ndodhet në magjistralen Lipjan-Ferizaj sot i ishte vënë dryni. Asnjë njëri nuk ndodhej në afërsi të vendit ku një natë më parë u vra një i ri.

Florent Ahmetaj varroset sot në orën 17:00, për të të gjithë folën fjalë të mira. Florenti ishte i martuar dhe në pritje për t’u bërë baba për herë të parë

Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar te familja e Florent Ahmetaj në Rezallë të Skendërajt. Babai i tij, Ismeti, mes dhimbjes e lotëve rrëfeu ngjarjen.

Tha se djali i tij nuk ka pasur problem me askënd, po ashtu tregoi momentin se si e mori vesh lajmin për vrasjen e Florentit.

“Unë jam kan flejt, djali ka shku në punë dikun para orës 20:00 dhe më thanë se nuk ka ndodhur vrasja. Ma kanë nxjerrë gjumin me ato bërtima… në punë u kanë në vendin e punës, ka punu te nipi. Aty edhe e vranë”, tha babai i Florent Ahmetaj për Gazetën Express.

“Djali jem Florenti, shprehem lirisht që njeri ma i urtë qitu në katun s’ka pas. Secilin që e pyet mundet me folë për to, ma i urtë s’ka pas. Shumë njeri i sjellshëm, u kanë shpirtmirë, kurrë probleme s’ka pas kurrë në jetë”, vazhdon rrëfimin babai.

Por si ndodhi vrasja? Rrëfen ngjarjen babai i të ndjerit

Ismet Ahmetaj babai i Florentit ka treguar se djalin ia vrau një i panjohur që kishte hyrë për të vjedhur në kazino. Thotë se pasi i ka marrë paratë e pazarit ditor, hajni ka lëvizur për tu larguar, por më pas ishte kthyer për t’I shkrepur dy plumba në trupin e Florentit. Për ta lënë të vdekur në vendin e tij të punës.

“Nuk e di si ka ndodh ngjarja. Veç ai ka qenë në vend të punës ka ardhë dikush, ja ka çelë derën kur ka desht me hi në bastore, ka shku 10 minuta në banjo po thonë u vonu ai. Ka mendu që po don me luajt aty, i ka kërku paratë, paratë ja ka dhanë në dorë (kamerat e kanë incizu krejt). Edhe niherë ka fillu me ecë me dalë, edhe u kthy prapa po thonë që e ka gjuajt me dy plumba”, rrëfen babai i të ndjerit për Gazetën Express.

Ismeti, duke pritur familjarët për kryeshnosh

Tregoi se brenda kazinos kanë ndodhur edhe më parë grabitje e armatosur. E këtë informacion e konfirmoi edhe policia.

“Në lokalin e njejtë ka ndodhur një grabitje e armatosur në vitin 2018, dy persona nën kërcënimin e armëve kanë arritur ta grabisin një shumë të parave dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”, tha zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti për Gazetën Express.

Ismeti (babai i Florentit) tha se djali i tij punonte me ndërrime dhe në momentin kritik për të ndodhej i vetëm brenda objektit

“Ka qenë fikall vetëm, roja ka pas me ardhë ka ora 20:00…ka punu me ndërrime, paraditë masdite. Kurrë absolut s’ka pas problem…nuk e di shumën e parave që ia ka marrë hajni…ndodh që ka pas edhe para të pazarit që ka qenë ndërrimi tjetër”, tha ai.

E në të pame ndodhej edhe pronari i kazinos, por i njëjti nuk deshi të japë deklaratë për media.

“Na i kemi punët tona, policia po merret me rastin. Policia i kanë marrë pamjet krejt”, tha shkurtë pronari i kazinos Metrix, djali i hallës së të ndjerit.

Ndërsa një komshi i familjes Ahmetaj foli fjalë të mëdha për Florentin.

“Djalë shumë i mirë dhe i sjellshëm nuk ka pas telashe me kerkond”, tha ai.

Lamtumira e fundit iu dha sot Florentit nga familjarë miq e shokë në varrezat e fshatit Rezallë të Skenderajt.

Me këtë rast po merret policia dhe prokuroria, ende nuk është identifikuar personi që ia mori jetën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco