‘Nuk tregonin se cilin besim praktikonin’, vëllai i Zhaneta Josifit. Dyshime se 3-4 vitet e fundit…

‘Nuk tregonin se cilin besim praktikonin’, vëllai i Zhaneta Josifit. Dyshime se 3-4 vitet e fundit…

12:46, 07/07/2020

Në materialin që është referuar dje në Prokurorinë e Tiranës, për akuzat “Shkaktim vetëvrasje” dhe “Moskallëzim krimi”, ndër të tjera është edhe deklarimi i Selman Fejzos, vëllait të Zhaneta Josifit, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale.

Fejzo është personi që lajmëroi Policinë ditën e enjte, kur edhe u zbulua ngjarja horror në apartamentin e familjes Josifi në Kombinat. Pasi kishte 2 vite pa e parë dhe pa kontaktuar me mbesën e tij të vogël, Anisa Josifin, Selman Fejzo i ishte drejtuar Policisë, në pamundësi për ta bindur motrën që t’i tregonte të vërtetën.

E në fund ishte dorëzuar plotësisht kur ajo, përveçse nuk i hapte derën, nuk i përgjigjej as në telefon. Vëllai i Zhaneta Josifit ka dëshmuar në Polici se motra dhe mbesa e tij kishin 3-4 vite që praktikonin një besim fetar, emrin e të cilit ai nuk e dinte, pasi ato nuk tregonin për jetën e tyre.

Më poshtë, një pjesë e materialit që është referuar dje në Prokurorinë e Tiranës dhe deklarimi që i është marrë Selman Fejzos, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale.

Materiali i referuar ne prokurori

“Më datë 02.07.2020, ka ardhur në ambientet pranë Komisariatit Nr.6 shtetasi Selman Fejzo, i cili është shprehur se prej disa ditësh nuk kishte mundur që të komunikonte me motrën e tij, Zhaneta Josifi, dhe vajzat e saj. Madje, vajzën e vogël, Anisa Josifi, kishte më shumë se dy vite që nuk e kishte takuar, nuk kishte pasur mundësi kontakti.

Është ngritur grupi hetimor dhe kemi shkuar në banesën e shtetases Zhaneta Josifi në rrugën ‘Hamdi Cenojmeri’. Pasi është trokitur disa herë te porta e tyre, por nuk ka pasur reagime, është lajmëruar shërbimi zjarrfikës për të bërë të mundur hyrjen në banesë.

Kur është hapur dera e banesës së shtetases Zhaneta Josifi, janë konstatuar dy kufoma, përkatësisht të shtetaseve Zhaneta dhe Anisa Josifi, si dhe shtetasja Blerta Josifi, e cila ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Është përpiluar këqyrja e vendit të ngjarjes, ku është konstatuar kufoma e shtetases Zhaneta Josifi, e cila ishte e ulur në gjunjë afër divanit të sallonit, ndërsa në dhomën e gjumit, mbi një krevat dopio vihet re kufoma e shtetases Anisa Josifi, e dekompozuar dhe e mbuluar me copa të ndryshme dhe me jorgan. Në banesë është vënë re dhe prezenca e librave të ndryshëm fetarë, si dhe shënime të ndryshme të shkëputura nga Bibla, në disa fletore”.

Deklarimi i vëllait të Zhanetës

I është marrë deklarim shtetasit Selman Fejzo, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, ku sqaron se është vëllai i Zhaneta Josifit dhe prej disa kohësh motra e tij dhe vajzat kishin filluar të praktikonin besimin fetar.

Ai ka deklaruar se ka gati dy vite që nuk ka komunikuar me vajzën e vogël, Anisën, dhe sa herë që pyeste, motra e tij, Zhaneta, i thoshte se nuk gjendej në shtëpi dhe s’kishte pasur mundësi të kontaktonte me të. Ai tregon se kunati tij, Dhimos Paskali, kishte ardhur para disa muajsh në Polici dhe i kishte thënë se nuk po komunikonin dot me Anisën, por kur Policia kishte shkuar në banesë, shtetasja Zhaneta i kishte thënë se Anisa është në moshë madhore dhe nuk ka pasur mundësi të flasë me njerëzit, por është shumë mirë dhe nuk ka probleme.

Ai tregon se më datë 02.07.2020, pasi kishin shkuar te banesa dhe nuk u ishte përgjigjur njeri, kanë komunikuar me Policinë dhe me zjarrfikësen, të cilët kanë bërë të mundur hyrjen në banesë dhe kanë gjetur kufomat, si dhe Blerta Josifin në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Shtetasi Selman Fejzo tregon se me dijeninë e tij, motra dhe mbesat kishin më shumë se 3-4 vite që praktikonin një besim fetar, por jo cilin besim fetar, pasi ato nuk tregonin për jetën e tyre.

Intervista

Në një intervistë për “News 24”, Fejzo pohoi se mbesën e tij të ndjerë, Anisën, nuk e kishte takuar që prej 2 vitesh, duke shtuar se nuk ishte në dijeni se çfarë sekti ndiqnin ato konkretisht.

“Anisa nuk dilte sa herë shkonim në shtëpi. Na thoshin: ‘Anisa është në shtëpi, po lexon, po fle’. Nuk na shkonte kurrë mendja që do të ndodhte kjo gjë. Nuk kam informacion në cilin sekt fetar ishin përfshirë. Vajzat ishin me shkollë të lartë, vetëm e ëma punonte”, tregon ai. Daja i dy vajzave pohoi se interesohej shpesh nëse kishin probleme apo kërcënoheshin nga dikush.

Ndër të tjera, ai tha se bashkëshorti i motrës së tij ishte vetëvrarë para 16 vitesh, pasi i kishte rënë një trombozë, ndërsa ishte hedhur nga kati i katërt i një pallati.

Reagimi e xhaxhait

Dhimos Paskali, xhaxhai i Blerta Josifit, e vetmja e mbijetuar e familjes Josifi në Kombinat, nxori në dritë detaje tronditëse nga rrëfimet që kishte bërë mbesa e tij. Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur” në “News 24”, ai tha se pavarësisht faktit se kishte tentuar që të pyeste mbesën e tij për personat me kostum serioz të zinj që hynin në banesën e saj, kjo e fundit ka refuzuar që të flasë. Po ashtu, ai tha se ka dyshime të forta se Blerta ishte porositur nga nëna e saj edhe për ceremoninë mortore, pasi i kishte lënë amanet që t’i vendosnin Zhanetës dhe Anisës trëndafila të bardhë dhe të kuq te varri.

“Për atë shqetësohem. Nuk flet për ata ajo. Nuk i zë në gojë ata. Derisa është lyer trupi i vajzës me parafinë, dikush e ka dhënë këtë mësim. Ajo më porositi që varrimi të bëhet i rregullt dhe më tha ‘do t’i vësh trëndafila të kuq e të bardhë’. Këtë detyrë do ta ketë marrë nga nëna e saj. Këto porosi s’i ka nga vetja”, është shprehur xhaxhai i Blertës dhe i së ndjerës, Anisa Josifi.

“Vajza të shkolluara, me punë dhe me një gjendje ekonomike të kënaqshme”. Kështu e përshkruan gjendjen e kunatës së tij dhe mbesave që u vetëflijuan në Kombinat Dhimos Paskali, i cili ka rrëfyer shumë për tragjedinë që tronditi jo vetëm Tiranën. Ai foli dhe për vdekjen e vëllait të tij 15 vite më parë dhe influencën nga sekte fetare në botëkuptimin e tyre. Për Anisën, 30-vjeçaren që humbi jetën, thotë se e ka plagë se ishte më e dashura e gjyshes.

Por, me sa duket, ky botëkuptim ishte dhe shkaku i prishjes së marrëdhënieve mes tyre. “Po bënin 15 vite në Tiranë. Si e përjetuan vdekjen e babait? Kishin një botëkuptim tjetër. Ka influencuar botëkuptimi i këtyre zuzarëve. Në atë kohë kanë qenë me protestantët. Pastaj dolën të zhgënjyer dhe kaluan me një tjetër.

Ne tani po kërkojmë, por nuk na e tregonin ne. Kërkuam ku ta gjenim, po nuk e gjetëm dot, janë mafiozë. Blerta kishte punuar në një kompani celulare, kishte punë të mirë dhe me rrogë të mirë. Punën e ka lënë shpejt, s’ka lidhje virusi. Ka 6-7 vite që ka ikur nga puna. Na tha se e kam lënë se u bë reformë, por kur del kjo mendojmë se e ka lënë për këtë punë. Kur ishte në punë vajza, merrte rrogë të mirë. Edhe e vogla punoi ca kohë, ishte ekonomiste. E ëma punonte në pastrim dhe ajo merrte. Nuk ishin keq nga ekonomia, ishin më mirë nga unë. Toka kishin, shtëpinë e blenë. Ishin keq nga botëkuptimi”, ka thënë Paskali./ Panorama.al/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco