Burrat e jetës së Tina Turner/ Ike e dhunonte, Erwin i shëroi zemrën

Burrat e jetës së Tina Turner/ Ike e dhunonte, Erwin i shëroi zemrën

20:29, 25/05/2023

Nga Hauke Herffs, BILD

Njëri ia bëri jetën ferr. Tjetri e mbante në pëllëmbë të dorës.

Ikona e muzikës, Tina Turner ka vdekur në moshën 83-vjeçare. Por përmes hiteve të saj, këngëtarja jeton në zemrat e fansave. Dhe mega-karriera dhe jeta e Tina Turner ende magjeps miliona njerëz sot.

Sepse lumturia dhe dëshpërimi janë shumë afër njëra-tjetrës- edhe për shkak të dy burrave të saj: muzikantit Ike Turner dhe menaxherit të muzikës nga Gjermania, Erwin Bach.

Njëri e dhunonte. Tjetri ia shëroi zemrën!

Bashkëshorti horror Ike Turner!

Tina Turner e takoi atë në St. Louis në vitin 1956. Kitaristi dhe grupi i tij ‘Kings of Rhythm’ konsideroheshin si një nga bandat muzikore më të njohura të asaj kohe. Turner aplikoi për pozicionin e vokalit mbështetës. Por Ike e njohu menjëherë talentin e saj. Ai i tha mbiemrin Turner, por edhe emrin Tina (emri i vërtetë i saj ishte Anna Mae). Grupi i riemërua Ike & Tina Turner.

Ai fitoi zemrën e Tina Turner, e cila punonte në një spital në atë kohë. Dasma në vitin 1962. Të dy shkuan në një turne së bashku. Një shou plot erotizëm dhe muzikë magjepsëse. Në vitin 1969 hapën një koncert të Rolling Stones. Në vitin 1971 fituan një çmim Grammy.

Fat i madh? Jo, një martesë e frikshme. Ike u zhyt në drogë, dhunonte Tinën, e godiste, e shtypte atë duke ia bërë jetën një ferr.

Sy të mavijosur, buzë të çara

Në librin e saj ‘Happiness Becomes You’, Turner shkruante: “Buzët e plasaritura, sytë e mavijosur, kockat e thyera, ankthi mendor u bënë pjesë e jetës së përditshme”.

Megjithatë, këngëtarja qëndroi me Ike Turner për 14 vjet, u nda vetëm në vitin 1976 dhe iku te një mik. Turner i tha ‘New York Times’ në vitin 2018 se ishte kaq e turpëruar, prandaj iu desh kaq shumë kohë për t’u ndarë. Ike Turner vdiq nga një mbidozë kokaine në vitin 2007.

Ai i dhuroi asaj një veshkë

Kaloi shumë kohë përpara se Tina Turner të linte përsëri një burrë të futej në zemrën e saj. Në vitin 1985, në jetën e saj hyri menaxheri i muzikës, Erwin Bach. Ai punonte për kompaninë diskografike me të cilën kishte nënshkruar Turner, dhe në atë kohë ai kishte për detyrë thjesht ta merrte në aeroport. Turner: “Ai ishte kaq i ndryshëm, kaq i relaksuar, aq i rehatshëm, kaq modest”.

Të dy ranë në dashuri, Bach u bë menaxher i Turner, duke e këshilluar atë për karrierën e saj. Turner: “Ishte e vështirë të angazhohesha sërish kështu. Por unë jam më e lumtur sesa mund të kisha ëndërruar ndonjëherë”.

Ajo u transferua në Këln për të jetuar me të në vitin 1986 dhe në vitin 1994, çifti shkoi në Zvicër. Në vitin 2022, ajo dhe Bach blenë një pronë të vjetër fshati në liqenin e Cyrihut.

Dasma erdhi vetëm në vitin 2013- Tina Turner dhe Erwin Bach konsideroheshin çifti i qetë i ëndrrave në botën e rock-ut. Pas një turneu lamtumire në vitin 2009, ylli i popit u tërhoq në jetën private.

Ai e mbante në pëllëmbë të dorës! “Në kohëra të mira dhe të këqija” nuk ishte thjesht një betim martese për Erwin Bach, por një moto në jetë. Ai qëndroi pranë Tina Turner kur ajo pësoi një goditje në vitin 2013, kur u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë në vitin 2016. Në vitin 2017, ai i dhuroi asaj një veshkë, duke i shpëtuar jetën.

Tani Bach e shoqëroi atë në udhëtimin e saj të fundit. Nuk mund të kishte njeri më të mirë se ai për këtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco