Realityshout në syrin e gazetarit Erdonit Hoxha, çka u servihet shikuesve nga mediet dhe çka duan ata të shohin

Realityshout në syrin e gazetarit Erdonit Hoxha, çka u servihet shikuesve nga mediet dhe çka duan ata të shohin

18:08, 06/02/2023

Sezoni televiziv ka nisur me risi të shumta duke sjellë në ekran tre reality shoë, si “It’s my home”, “Big Brother VIP Kosova” apo edhe “Big Brother VIP Albania”, këto dy të fundit patenta televizive ndërkombëtare, ndryshe nga “It’s my home” i cili ishte një prodhim i FIRST Channel TV dhe që një format i tillë vinte për herë të parë në ekranet e televizioneve të Kosovës.

Formate të tilla kanë mbërthyer teleshikuesit pas ekraneve duke komentuar çdo situatë që ndodh. Për të diskutuar për të gjitha këto dhe jo vetëm NewZone.al ka zhvilluar një intervistë me gazetarin e “Syri Kosova” Erdonit Hoxha, I cili ka ndarë me ne opinion e tij në lidhje me sjelljet e banorëve VIP në shtëpitë më të famshme të Shqiptarisë tani për tani.

1. Në fakt kanë ngjallur debate të shumta si reality show, ku nuk kanë munguar as debatet e forta që kanë degjeneruar në përdorimin e dhunës, si i komentoni ju situata të tilla të krijuara në ekran?
Reality show, siç janë, “It’s my home”, “Big Brother VIP”, apo, “Përputhen”, sidomos “BBV”, ku monitorimi është 24/7, është e pamundur që të mos ketë debate, me tonalitete të larta, apo, siç kemi parë në botë, edhe me ushtrim të dhunës fizike. Kjo gjë, nuk duhet lejuar asesi në ekran, mirëpo, duke pas parasysh presioni psikologjik që jep izolimi, por, edhe përballja me karaktere të ndryshme, këto debate janë të pashmangshme. Ne edhe në jetën reale dalim jashtë kontrolli, vetëm se nuk jemi nën llupën e kamerave. Dhuna nuk tolerohet asesi, por, formati i tillë, manifestohet me pamje të tilla, fatkeqësisht.

2. Cilat mendoni ju që janë masat që duhen marrë në situata të tilla, ku para mijëra e miliona teleshikuesve ndodhin ngjarje që arrijnë deri aty ku duhet ndihma e autoriteteve?

Fillimisht, mendoj që duhet caktuar një moshë (18+) për t’i parë programet e tilla. Mirëpo, nëse situatat agravojnë deri në dhunë fizike të fortë, duhet ndaluar rreptësisht transmetimi në TV i përmbajtjeve tilla programore. Për realityshou nuk mund të themi se kanë mision edukues, ato janë thjesht eksperiment social, që tregojnë gjendjen reale të shoqërisë, prandaj, mendoj që duhet të shërbejnë si objekt studimi për përmirësim, mirëpo, çdo gjë e tepruar që mund të jetë pjesë e realityshove të tilla, duhet që të mos transmetohet fare.

3. Në Kosovë ka arritur për herë të parë patenta gjigande televizive “Big Brother VIP”, ku tensionet e para kanë nisur qysh në fillimet e saj, cilët banorët shikoni si më dominuesit?

Në Big Brother VIP Kosova, banorja më e ‘sulmuar’ nga të gjithë është Xhuliana Nura, pasi, llogaritet si një nga lojtaret më të forta brenda. Por, padyshim, dominues në lojë janë edhe Stresi, Arta Selimaj dhe Mbresa. Madje, mendoj që do jenë edhe finalistë.

4. Si e priti publiku i Kosovës “BBVK”, si një ndër formatet që transmetohej për herë të parë?

Faktikisht, ky format është planifikuar të nis që në tetor të vitit 2022 dhe nisja me 5 dhjetor po të këtij viti mund të them se i ka ‘lodhur’ ndjekësit, pra, vonesa, pasi ata mezi prisnin për të parë formën organizuese dhe si do jetë, madje, ishte edhe dëshira e flaktë për të krahasuar këtë BBVK, me Big Brother VIP Albania, edicionin e parë. Shikueshmëria që në fillim ishte në kulm, e cila më pasi nisi të bie pas nisjes së Big Brother Albania VIP II. Sidoqoftë, mes kritikave pozitive e negative, Big Brother VIP Kosova po del të jetë format i organizuar mirë.

5. Cilat janë situatat që ja vlen të komentoni nga ndodhitë në “BBVK”, ku të themi të drejtën, banorët duken më të qetë se ata të “BBV AL”, ku deri më sot nuk kemi parë precipitim të situatave?

Karakteret e banorëve të “BBVK” dhe “BBVA” janë krejtësisht të ndryshme. Edhe loja ndryshon, duke qenë se në “BBVA” është në fokus vetëm një personazh dhe loja bëhet vetëm rreth tij. Banorët në “BBVK” nuk janë më të qetë sipas meje, pasi, në ‘Prime’ sidomos, ka debate të forta, që shpeshherë rezultojnë edhe me ofendime, ka grupacione, ka dinamika dhe ka disa çifte, që po përballen me ulje e ngritje. Kurse, siç e thash, në “BBVA” në fokus është vetëm një personazh që ka rolin kryesor dhe një tjetër që po bëhet temë diskutimi shkaku i tij. Besoj që vërehet qartë që e kam fjalën për Luizin dhe Kiara (qesh).

6. “Big Brother VIP Albania” vetem brenda pak ditësh ka shfaqur situata dhune verbale, fizike, kërcënime, dhe bullizëm, ku mbarë opinion publik ka reaguar mjaft ashpër, ku madje në mbrojtje të njërit prej banorëve fansat organizuan edhe një protestë pranë ambjenteve të televizionit Top Channel, fare pranë shtëpisë “VIP”, formate të tilla ku e drejtojnë rininë sot?

Drejt degradimit mendoj unë. Të organizohen protesta e të mblidhen para për t’i blerë rroba një personazhi aty brenda, për mua është e tepërt. Një rini e tillë, pa ambicie, pa gjëra për t’u marrë, pa perspektivë, që krejt fokusin dhe potencialin e vet e jep drejt një realityshou, sipas meje tregon shumë. Gjithë ditën rrinë e ankohen për një gjendje sociale aspak të mirë në vend, e protesta për to s’organizon kush!

7. Një ndër personazhet që ka përdorur dhunën qoftë verbale apo edhe atë fizike ka qenë modelja Kejvina Kthella, ku përpos kësaj, kujtojmë se ajo ka dhe një dosje në SPAK ku i është sekuestruar një pjesë e pasurisë, mendoni se vendimi i “Vëllait të Madh” për Kthellen ishte një vendim i marrë për situatën e ndodhur brenda shtëpisë, apo për shkak se ajo një ditë më pas do të kishte një gjyq në SPAK?

Gjëja më e pakta që do mund të bëhej ishte suspendimi. Në fakt, në reality show-t e tilla, dhuna fizike që ushtrohet, rezulton me suspendim. Këtë e kemi parë edhe në “Përputhën”, apo, reality show-t e tjera. Kurse, sa i përket lidhshmërisë me seancën gjyqësore, mbase mund të jetë edhe kjo pjesë, ose, mund të jetë një rastësi të themi. Sidoqoftë, suspendimi për shkak të dhunës, është një mesazh për banorët tjerë, që në rast që duan të veprojnë njëjtë, e dinë se çka i pret!

8. Si e shikoni çiftin Kiara-Luiz, mendoni që kjo lidhje do të ketë jetëgjatësi, dhe a mendoni se mes tyre ka një dashuri, apo është thjeshtë një lojë me publikun për çmimin e madh?

Është një çështje pak sa e ndërlikuar. Gjithë kjo që po e bën Luizi për Kiarën, që sipas meje është e tepruar, nganjëherë me ngjan si farsë. Luizi është një person shumë i mençur, ai e ka treguar këtë gjë, prandaj mendoj që ai e di se do jetë fitues i këtij realityshou dhe nuk besoj që do e përdor Kiarën për çmimin e madh. Edhe stepja e Kiarës karshi Luizit më duket pak e çuditshme, sidomos kur raportohet për një lidhje të saj të lënë jashtë. Mirëpo, nëse ndalemi dhe e analizojmë ‘dasmën’ e tyre, atëherë mund të themi se aty ka diçka, por, fundin ose jo, do e shohim pas mbarimit të BBVA. Në fakt, mund të them edhe se besimi në çifte brenda “BBVA” ka humbur që nga rasti Donald-Beatrix, në edicionin e parë.

9. Mendoni që personazhet që dalin nga formate si “Big Brother VIP”, me sjellje të tillë, do të kenë jetëgjatësi si imazhe në televizion?

Në Shqipëri po, kjo u dëshmua nga “BBVA”, edicioni I. Beniada, për shembull, akoma është imazh televiziv dhe komentohet nga mediet, ani pse, para se të hyjë në “BBVA” e kanë njohur shumë pak persona. Top Channel në fakt ua ka dhënë këtë mundësi thuajse gjithë banorëve që ishin në edicionin e parë, kurse, për edicionin e dytë, presim të shohim pas përfundimit. Njëjtë vlen edhe për “BBVK-në”.

10. Cila është këshilla juaj për të gjithë të rinjtë që aspirojnë ekranin, pra përveç shembujve të tillë siç ofrojnë ekranet sot, a ka një rrugë tjetër duhet të ndjekin?

Ideja e arritjes në ekran parmes realityshout, sipas meje, është shumë e gabuar. Veç pse je fytyrë e njohur, nuk nënkupton që duhet të ofrohet pozita për të qenë në ekran. Ka shumë të rinj jashtë që janë super të talentuar, janë të shkolluar, kanë gjithë atë bagazh studimi dhe nuk u jepet mundësia, pasi, s’janë të njohur për publikun, nuk janë “të bërë” dhe nuk janë “të bukur!” dhe kjo është një gjendje aktuale e mjeruar në televizionet shqiptare në përgjithësi. Sidoqoftë, këshilla ime për ata që e duan medien, është që të mos heqin dorë kurrë nga ëndrrat e tyre, të mos dëshpërohen se dikush është në vendin e tij/saj edhe pse se meriton. E drejta dikur triumfon, thjesht luftoni për të qenë aty ku doni të jeni.

11. Vihet re rritje e kostove në segmente të ndryshme të ekonomisë, a e ka prekur kjo tendencë edhe prodhimin në televizione, sa kushton sot që të prodhosh një emision apo spektakël, siç është rasti edhe i First Channel që e përmendem edhe më sipër që ka krijuar “It’s my home” një format fare i ngjashëm me patenten e “Big Brother” që kushton miliona euro?

Faktikisht në Kosovë kanë qenë edhe më përpara formate të tilla televizive, siç ishin “Shpia e Kosovës” apo “Shpia e Kosovës VIP”. First Channel në këtë rast ka realizuar një reality show ku jo gjithë banorët ishin të njohur. Sidoqoftë, duket se nga formati i tillë ky televizion ka fituar mirë dhe po pretendon ta bëj edhe edicionin e dytë, që nënkupton se pretendon ta bëj reality me vulë të saj. Siç duket, kjo lë të nënkuptohet që rëndësi për TV-të janë krijimi i të ardhurave monetare, s’kanë rëndësinë detajet tjera!

12. Në qoftë se do kishte prodhime të reality show origjinale televizive, mendoni që publiku do afeksionohej ndaj programeve të tilla?

Kam krijuar përshtypjen që publiku shqiptar shikon çka do që i servihet nga media, në këtë rast televizioni, pa e analizuar origjinën e formatit, apo, mesazhin që jep formati i tillë. Po ashtu, përshtypje e imja është që publiku është i etur për skena ku ka dramacitet, prandaj, çdo program me përmbajtje të tillë, është i mirëseardhur për ta, pa marrë parasysh se kush e bën, çka fiton në kurriz të formatit dhe në fund fare, çfarë vlere televizive jep!/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco