Beatrix, e keqja e vetes!

Beatrix, e keqja e vetes!

11:05, 23/01/2022

Në fund të nëntorit, në një sondazh të Anabel nëse “Big Brother VIP” do të ndikonte pozitivisht ose negativisht për banorët, pjesa dërrmuse, 60%, thanë se do të ndikonte pozitivisht për Beatrix, 30% qenë të mendimit se nuk do të kishte asnjë ndikim, ndërsa 10% votuan se do të ndikojë negativisht. Por tri ditë më vonë, interneti ishte shumë i revoltuar me dyshen Beatrix-Donald dhe nëse sondazhi do të ishte bërë atë ditë, me gjasë shifrat do të ishin ndryshe. Që prej fundit të nëntorit, asgjë për Beatrix nuk ishte më njësoj, qoftë brenda shtëpisë ashtu edhe jashtë saj. Deri në ditën e sotme, kur ajo rrezikon të dalë, shumë gjëra kanë ndodhur me dinamikën brenda shtëpisë dhe padyshim që është reflektuar edhe në botën jashtë, një botë të cilës Beatrix i frikësohet. Në këtë artikull, do të bëjmë një përmbledhje të rrugëtimit të Triksës brenda shtëpisë dhe reflektimit të veprimeve të saj në publik.

Pikë së pari, na duhet të sqarojmë se historia ka treguar se duhet t'i pjestojmë me 10 (në mos më shumë) të gjithë komentet e profileve të çuditshme në rrjete sociale, që zakonisht thonë shumë gjëra përveçse të vërtetën. Megjithatë, është e pamundur të mos biem dakord që duke veçuar këto komente aspak dashamirëse për figurën e Triksës, ka një mesatare që përmbledh deri-diku të gjitha qëndrimet ndaj saj. Prandaj jo më kot, pasi Arbri vendosi në nominim Einxhel, Donald dhe Beatrix, pati ovacione në publik dhe me dhjetra komente online kërkuan që Triksa të dilte. Pse? Po e analizojmë në vijim.

Ajo e treta? Triksa u vendos në tabelë qitjeje që kur nisi raporti me Donaldin. Pas një përralle televizive të "thurur" nga vetë Donaldi (puthja me Borën, varësja, deklarata se Bora ka qenë femra që ai ka dashur më shumë në jetë), krejt papritur (pasi Donaldi nuk mori shenjë nga Bora) nisi një pëlqim mes tyre. Në një pjesë të konsiderueshme të komenteve, Triksa u pa si “ajo e treta” që ndërhyri në një raport, ndonëse ky i fundit nuk ishte as lidhje dhe siç doli më vonë, kishte shumë probleme. Por fakti që Donaldi ishte i izoluar që prej fillimit, e vendosi Triksën në pozitë jo të barabartë përsa i përket “peshës së fajit” të hapur si diskutim në publik. Për syrin e njerëzve, Donaldi kishte faj, por ai ishte konfuz, ai kishte deklaruar se kishte pikëpyetje për Borën, ai kishte thënë se ishte single etj., ndërsa Triksa kishte qenë jashtë dhe kishte parë gjithë çfarë ishte bërë pas puthjes. Dhe këtu qëndron pozita jo e favorshme e saj.

“Nëse ai ma zgjat dorën dhe thotë ‘hidhemi’, unë do hidhem bashkë me të!" Komentet jo në favor të Triksës ishin të pashmangshme, sepse bëhej fjalë për një raport që po lindte në kushte jo normale dhe në rrethana që nuk i ndihmonin aspak. Lidhja e ngushtë që njerëzit krijuan me Bora-Donald nuk u ndihmua aspak nga zgjedhja e Beatrix dhe Donaldit, të cilët të dy zgjodhën të mos e komentonin. Por nëse Donaldi kishte thënë se ishte konfuz dhe single, publiku nuk e përtypi dot që Beatrix nuk e diskutoi në asnjë moment (ish)raportin e tij me Borën. Si e dashura e re, si shoqe, si banore dhe mbi të gjitha si publik që i kishte parë nga jashtë dhe kishte brohoritur për dashurinë e tyre, ndoshta Triksa duhet të pyeste: Ku qëndron Bora në jetën tënde? A i ke mbyllur gjërat me të përfundimisht? Çfarë ka ndodhur? A mos duhet të gjesh një mënyrë që ta bësh të qartë për publikun?

Por ajo nuk e bëri. Ndoshta i mjaftoi vetëm që Donaldi i tha përmes veprimeve “që hidhemi të dy”. Ndoshta kështu është mënyra si ajo dashuron. Kush jemi ne për ta gjykuar? Askush. Por duke jetuar në një shtëpi me qindra kamera, Triksa duhet ta kishte marrë me mend se sa do të gjykohej ndaj mund t’i kishte paraprirë çdo komenti që i vendoste mbi supe një barrë që nuk i takonte asaj ta mbante; një barrë për një (jo)çift që publiku e idealizoi më shumë se vetë protagonistët.

Ok, “u hodh”, po pastaj? Triksa me naivitet mendoi se nëse “ai i thotë hidhemi të dy” ajo do të hidhej sepse në fund të fundit ashtu e ndjen, por a e mendoi që në këtë lum komentesh do të duhej të notonte e vetme? Mënyra si shkoi loja e saj brenda shtëpisë treguan të kundërtën. Qëndrimi në shtëpi mund të konsiderohet si një mundësi e dytë për Beatrix, për t’i treguar publikut një anë tjetër të saj, një anë që nuk është aspak siç shkruhet në shumë komente. Mirëpo Triksa thoshte se ka kaluar shumë gjëra të vështira në jetë, por nuk foli kurrë shumë gjatë për to. Loja e saj u përqendrua vetëm te Donaldi, ndaj jo më kot banorët rrallë e nominonin (sepse ndoshta nuk e shihnin si kërcënim). Triksa ishte pasive në shtëpi: nuk merrte pjesë në debate, nuk përfshihej nëpër diskutime, rrallë e jepte mendimin e saj. Edhe ato pak herë kur diskutonte lidheshin vetëm me Donaldin (debati me Sarën, Egzonën).

“Triksa nuk është negative, e ka shpirtin shumë të mirë. Kam parë si qan dhe i këputet shpirti për kafshët. Ka shije fantastike muzikore, por vetëm kaq. Ka treguar shumë pak për veten. Rrallë ka treguar se ka unin e vetë. Artikulimi nuk është pika e saj e fortë dhe nuk i përfundon mendimet,” shkroi dikush në Instagramin e Anabel. “Në një lojë si ‘Big Brother’ duhet të jesh shumë kalkulativ. Triksa nuk është lojtare. Ajo është përqendruar vetëm te Donaldi, ndaj duhet të dalë sepse nuk është për një lojë të tillë,” shkruan një tjetër. “Para se të dilte Semi, Triksa ishte shumë aktive në shtëpi, ndërsa tani ajo e humbi fillin e lojës. Ajo harron se aty brenda është për veten, jo për Donaldin dhe kështu penalizohet nga publiku,” thotë një i tretë.

Me fjalë të tjera, karakteri i qetë, natyra e tërhequr, vendimi për të mos i shprehur ndjesitë e saj, mospërfshirja në debate dhe aftësitë jo të mira komunikuese e penalizuan Triksën sepse këto tipare janë elemente kyçe për të qenë transparente me publikun.

Pra, Triksa u dëmtua duke u gjendur në situatën e gabuar (përralla e publikut për Borën dhe Donaldin); dëmtoi veten emocionalisht duke i mbajtur brenda mendimet dhe pikëpyetjet e saj; dëmtoi veten si banore e "Big Brother VIP" duke u rrëmbyer nga dashuria dhe harroi lojën; dëmtoi veten si personazh duke mos u përfshirë fort nëpër diskutime; dëmtoi veten mendërisht duke menduar për çfarë do të ndodhë jashtë dhe harroi gjithçka brenda. Por vetëm veten ama, as lojën e dikujt, as dashurinë e Donaldit dhe Borës, as përrallën e publikut për një romancë për të cilën dimë shumë pak detaje dhe askënd tjetër të revoltuar pa arsye pas ekranit të telefonit./ Anabel.al 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco