Fshehin vdekjet, se duan të këndojnë suksesin mbi pandeminë!

Fshehin vdekjet, se duan të këndojnë suksesin mbi pandeminë!

11:50, 05/12/2020 Nga Sali Berisha

E premtja e djeshme u cilësua nga mediat si e premte e zezë, pasi rastet e të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid të 24 orëve që u njoftuan dje, ishin ndër më të lartat. Kështu, dje u njoftuan 18 viktima nga Covid, vetëm nga spitalet Covid të Tiranës dhe vetëm sa shpall kryepidemiologu i Surrelit, i cili fsheh siç është faktuar:

1 - 50% të vdekjeve nga Covid-19 në spitalet Covid.

2 - Të gjitha vdekjet nga Covid në spitalet e tjera të rretheve apo të Tiranës.

3 - Të gjitha vdekjet në shtëpi nga Covid-19 dhe që janë më shumë se sa ato spitalore.

Për ata, të cilët shtrojnë pyetjen pse fshihen vdekjet nga Edvin Hajduti, ju bëjmë me dije se vdekjet fshihen nga ai vetëm e vetëm për të fshehur dështimin e plotë në menaxhimin e pandemisë së Covid-19 nga kryepidemiologu injorant i Surrelit dhe Ndrikull Hajnia, të cilët duan të këndojnë suksesin duke fshehur numrin e të vdekurve, tregues kryesor ky i menaxhimit të pandemisë.

Dje ishte një e premte e zezë në menaxhimin e pandemisë nga kryepidemiologu tutkun i Surrelit dhe ndrikull Hajnia sepse sot ata me vetëm 2264 testime shpallën 801 raste të infektuara, pra ata gjetën në 2264 testime, pozitivitetin më të lartë në botë!

Në rast se ata do të testonin sipas standartit të OBSH, ata sot duhet të kishin bërë së paku 8200 testime dhe pa diskutim do të kishin gjetur së paku 1600 raste me Covid-19.

Kështu që sot mbi 1000 raste me Covid-19 u lanë qëllimisht pa zbuluar dhe të lirë për të infektuar mijëra të tjerë vetëm e vetëm që kryepidemiologu i Surrelit të fshehë numrin real të rasteve të infektuara në 24 orë nga Covid-19 dhe të mashtrojë shqiptarët dhe botën se në Shqipëri, pandemia është në kontroll të plotë.

Mirëpo testimi është diagnozë, është mjekim, është shpëtim jete, është parandalim dhe mbrojtje nga infeksioni.

Për të gjitha këto, lënia me qëllim pa e zbuluar, e Covid-19 është një krim i rëndë dhe i shëmtuar që kushton çdo ditë më shumë jetë njerëzish. Pavarësisht nga të gjitha këto, Edvini nuk heq dore nga testimi i kufizuar vetëm e vetëm për të ulur artificialisht numrin ditor dhe atë në tërësi të të infektuarve që janë dhe tregues kryesorë të menaxhimit të pandemisë.

Kështu që njëlloj si me fshehjen e vdekjeve nga Covid-19, ai fsheh dhe numrin real të të infektuarve nga ky virus vetëm e vetëm për të kënduar kështu suksesin imagjinar në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe manipulimin skandaloz dhe me pasoja kriminale për shëndetin dhe jetët e njerëzve, të shifrave, vdekjeve dhe infeksioneve nga Covid-19 në vend dhe i bëj thirrje OBSH të vendosë në vëzhgim të rreptë menaxhimin katastrofal të pandemisë së Covid-19 nga Edvin Hajduti dhe ndrikull Hajnia në Shqipëri.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco