'Trepça është thesar publik, do ta revitalizojmë dhe t’ia kthejmë shkëlqimin'

'Trepça është thesar publik, do ta revitalizojmë dhe t’ia kthejmë shkëlqimin'

16:05, 20/02/2020

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në manifestimin “31-vjetori i Grevës së Minatorëve të Trepçës”.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti duke kujtuar 20 shkurtin e vitit 1989, kur rreth 1,300 minatorë u ngujuan thellë nën tokë për 8 ditë rresht, me 10 kërkesa për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, tha se greva e minatorëve u bë motori i lëvizjeve për rezistencë.

“Guximi i minatorëve do t’u jepte zemër fillimisht studentëve e intelektualëve e mandej edhe Ushtrisë Çlirimtare, ku shumë minatorë do të bëheshin edhe luftëtarë lirie e jo pak i kemi edhe dëshmorë kombi sot”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti theksoi se 31- vjetori i grevës së minatorëve, kujtohet si një ngjarje e cila ruhet në mbamendjen tonë popullore si një ngjarje e cila ka zgjuar dhe ka unifikuar një popull rreth mbrojtjes së identitetit kombëtar e kulturor, rreth ruajtjes së pasurive dhe punës sonë.

“31 vjet më vonë shumë gjëra kanë ndryshuar në botë por shumë pak këtu në Trepçë.

Këtu sikur koha ecën ngadalë e me zor. Punishtet kanë mbetur ashtu si ishin, pa investime e pa mirëmbajtjen e duhur. Prodhimtaria është e mangët e minatorët janë rralluar e moshuar”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se tani është një Qeveri e cila do të kujdeset për pasuritë publike, ngase Trepça është thesar publik të cilin ne duam ta revitalizojmë dhe t’ia kthejmë shkëlqimin e saj.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Është gëzim e nder të jem me ju sot në shënim të një ngjarjeje aq të rëndësishme për Trepçën, për Mitrovicën, për Kosovën, e madje edhe më gjerë se kaq, një ngjarje që vulosi një epokë dhe sot ndodhet në kujtesën tonë kolektive.

Po takohemi këtu në vendin e para 31 viteve që jehoi me rezistencën e jashtëzakonshme kundër shndërrimit të Jugosllavisë në Serbi të madhe.

Para 31 viteve, me 20 shkurt të vitit 1989 rreth 1,300 minatorë u ngujuan thellë nën tokë për 8 ditë rresht në horizontet e 8-a dhe 9-a, me 10 kërkesa për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese.

Minatori ishte figura qendrore e punës për ideologjinë e socializmit Jugosllav, por ishte këtu në Mitrovicë ku ai u kthye në figurën qendrore të rezistencës për liri dhe të drejta.

Ajo që u shfaq në ata 8 ditë grevë të vitit 1989 nuk ishte vetëm guximi i minatorëve për të mos u nënshtruar ndaj një sistemi të padrejtë, por edhe njohuria e thellë politike që minatorët kishin për gjithë situatën në ish Jugosllavi e sidomos për të drejtat e popullit shqiptar.

Pra, minatorët e Trepçës vërtetë ishin minatorë me profesion por që të gjithë ishin avokatë me pasion. Minatorë sepse duhej të ushqenin familjen e ta pasuronin shoqërinë, ndërkaq avokatë sepse duhej të mbronin popullin dhe Kosovën.

Ata ishin klasë punëtore por dinin për padrejtësinë ndaj popullit të tyre më shumë se udhëheqësit e kohës, jo pse ishin më të edukuar por sepse nuk ishin të nënshtruar.

Natyrisht, të ngujuar thellë nën tokë ata nuk kishin informata se çfarë ndodhte lart në zyra, por duke e njohur mirë sistemin ishin thellë mosbesues prandaj edhe refuzonin të dilnin.

I pyetur nga një gazetarë në horizontin e 8-të, para 31 viteve, një nga minatorët kështu përgjigjet:

„Në Fushë Kosovë Millosheviqi u ka thënë serbëve bashkohuni, bëhuni bashkë dhe e fitojmë Kosovën…shokë, kisha thanë me plotë përgjegjësi se unë nuk e kam menen me dalë prej zgafelle…dhe ju them shokëve në qoftë se vdes me ma maru varrin në punishten në të cilën punoj që 23 vjet, pra jo tek shtëpia por në punishten ku kam punuar 23 vjet.“

Ishte ky përkushtim dhe vendosmëri që i dha zemër popullit, gatishmëria për të dhënë jetën për liri dhe të drejta të cilat minatorët e ndjenin por edhe e kishin kuptuar më mirë se shumëkush se ishte koha të mbroheshin e të na mbronin.

Greva e minatorëve u bë motori i lëvizjeve për rezistencë. Guximi i minatorëve do t’u jepte zemër fillimisht studentëve e intelektualëve e mandej edhe Ushtrisë Çlirimtare, ku shumë minatorë , qindra minatorë, do të bëheshin luftëtarë, e jo pak minatorë, rreth 43 minatorë i kemi edhe dëshmorë kombi sot.

Vitet e 90-ta që pasuan, të gjithë i dimë, apart’heid, vdekje dhe shkatërrim, gjenocid dhe tentim për shfarosje por edhe rezistencë e qëndresë e hatashme e një populli që refuzon të nënshtrohet.

Sot kujtojmë 31 vjetorin e grevës së minatorëve si një ngjarje e cila ruhet në mbamendjen tonë popullore, si një ngjarje e cila ka zgjuar dhe ka unifikuar një popull të tërë rreth mbrojtjes së identitetit kombëtar e kulturor, rreth ruajtjes së pasurive dhe punës sonë.

31 vjet më vonë shumë gjëra kanë ndryshuar në botë por shumë pak këtu në Trepçë.

Këtu sikur koha ecën ngadalë e me zor.

Punishtet kanë mbetur ashtu si ishin, pa investime e pa mirëmbajtjen e duhur. Prodhimtaria është e mangët e minatorët janë rralluar e moshuar.

Mirëpo, tash kemi një Qeveri e cila do të kujdeset për pasuritë publike. Trepça është thesar publik të cilin ne duam ta revitalizojmë dhe t’ia kthejmë shkëlqimin e saj.

Ekziston edhe tregu për Trepçën. Duhet të ekzistoj prodhimtaria në Trepçë. Krahasuar me kohën para 3 dekadave, për shembulli çmimi i zinkut në bursat ndërkombëtare është 50 për qind më i lartë, ndërkaq çmimi i plumbit gati është katërfishuar.

Para 31 viteve këtu punonin edhe Shqiptarë edhe Serbë, edhe qyteti ishte i bashkuar, kurse sot këtu nuk ka punë dhe qyteti është i ndarë.

Bisedimet e deritashme nuk kanë arritur të bëjnë bashkë askënd sepse nuk ishin për punë e për drejtësi gjë që i bashkon njerëzit, por për pazare e për vazhdim të padrejtësisë.

Tash bisedime do të ketë por ato do të jenë për investime. Unë para 5 ditëve në nj Konferencë të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kërkova një Plan Mini Marshall për Ballkanin Perëndimor, jo për të humbur kohë e për t’u vonuar, por për ta fituar kohën e humbur.

Toka e Kosovës, ekonomia e Kosovës, Trepça e Kosovës janë të etura për investime,. Neve na nevojiten investime në ekonomi, të vendit e të huaja për ta rritur prodhimtarin që e shton punësinë.

Serbët në Kosovë, edhe ata sikur shqiptarët duan punë dhe mirëqenie, prandaj Trepça duhet të fillojë e të punojë për të gjithë.

Revitalizimi i Trepçës është mundësia edhe për bashkimin e qytetit, për të mirën e të gjithëve pa dallim.

Ajo që mund të them tash është se:

Trepça është aset strategjik i Republikës së Kosovës

Trepça nuk do të privatizohet dhe

Në Trepçë do të investojmë.

Trepça ka nevojë për investime të jashtme e për qasje në tregje të huaja. Do të fillojmë me një plan të fizibilitetit për Trepçën për rritjen e prodhimit duke u mbështetur në alternativën më të arsyeshme edhe ekonomike, teknologjike, sociale e mjedisore.

Trepça është edhe krenari edhe shans për Kosovën, kurse minatorët populli, e Qeveria do t’i këtë gjithmonë në zemër.

Faleminderit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco