Ramiz Lladrovci shpërbleu mikun me 20 tenderë brenda 15 muajve

Ramiz Lladrovci shpërbleu mikun me 20 tenderë brenda 15 muajve

13:16, 20/01/2020

Në secilin tender që ka aplikuar në Komunën e Drenasit kompania “Fer-Petroll” që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovci i PDK-së duket se ka qenë mjaft fatlume.

Kjo kompani brenda 15 muajve (shtator 2018 – nëntor 2019) i ka fituar 20 tenderë nga komuna e Drenasit, në shumën totale prej 1 milion e 522 mijë euro. 

I pyetur për tenderët e fituar, Bekim Dobra, zëdhënës i Komunës së Drenasit thotë se “Fer Petroll”  i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara

“Asnjë tender nuk ka të bëjë me favorizim, apo përmes miqësisë, të gjithë janë fituar sipas procedurave ligjore të tenderimit”, ka thënë Dobra. Në bazë të dokumenteve të publikuar në “E-Prokurim” nuk ka pas ankesa të dorëzuara në OSHP nga biznese tjera.

Pronari i kompanisë ‘Fer Petroll’ është Mehdi Gjoka. Ai ka publikuar në rrjetin social ‘Facebook’ një fotografi me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovcin. Fotografia është publikuar në prill të vitit 2019.

Pronari i kompanisë, Mehdi Gjoka, ka thënë se këta tenderë i ka fituar me meritë. Për foton, Gjoka thotë se dalin në fotografi me të gjithë.

“Çdo njeri që i plotëson kushtet, i plotëson kriteret e merr tenderin. Ramizin as nuk e kam daj as nuk e kam nip, çka domethënë tash. Ata tenderë të cilët i kam marrë të gjitha janë, mundesh me shku e me i shfletu, të gjitha janë me plotë meritë dhe të gjitha kriteret e plotësuara. Lladrovcin e kemi kryetar komune, është kryetar i qytetarëve dhe i të gjithëve. Dhe dalim në fotografi jo vetëm me Ramizin por me të gjithë”, ka thënë Gjoka për Kallxo.com

Kontratat e fituara nga kompania “Fer Petrol” janë kryesisht për mirëmbajtje dhe ndërtim të rrugëve.

Këta janë tenderët e fituar nga ‘Fer-Petroll’ të cilat i ka siguruar Kallxo.com

Tenderi më i madh që ka fituar “Fer-Petroll” nga komuna e Drenasit, është e datës 29 tetor të vitit 2018, ku vlera e përgjithshme e kontratës është 328 mijë euro. Ky tender është për ndërtimin e rrugës Vuqak – Tërdec dhe është projekt tre vjeçar.

Një tjetër tender që ka fituar kjo kompani, është për ndërtimin e rrugës Gradicë – Zhilivodë dhe asfaltimi i rrugës në fshatin Gradicë dhe Likashan. Vlera e përgjithshme e këtij tenderi është 243 mijë euro, kurse data e nënshkrimit të kontratës është 30 shtator të 2019.

Fer Petrol’ e ka fituar edhe tenderin për asfaltimin e rrugëve në fshatrat: Arllat, Negroc, Gjergjicë, Bytyq. Vlera e përgjithshme e kontratës është 108 mijë euro dhe është nënshkruar me 20 gusht të vitit 2019. Për këtë tender është nënshkruar një tjetër kontratë me kompaninë ‘Fer Petrol’ me datë 25 nëntor 2019, për punë shtesë. Vlera e kontratës së dytë është 5 mijë e 900 euro.

Dy kontrata kjo kompani i ka fituar edhe për asfaltimin e rrugëve në gjashtë fshatra të tjera: Poklek i ri, Poklek i vjetër, Vasilev, Korretic e Poshtme, Korretic e Epërme, Zabel i Poshtëm dhe Zabel i Epërm. Kontrata e parë e nënshkruar për këtë tender është nënshkruar me 3 korrik 2019, në vlerë prej 81 mijë e 300 eurove. Ndërsa kontrata e dytë për punë shtesë është nënshkruar me 25 nëntor 2019, në vlerë prej 3 mijë e 998 eurove.

‘Fer-Petrol’ i ka asfaltuar edhe rrugët e fshatrave: Baicë, Krajkovë dhe Damanek bazuar në kontratën e nënshkruar në gushtë të vitit 2019 në vlerë prej 47 mijë e 975 euro. Kurse, për asfaltimin e rrugëve të fshatrave: Sankoc, Fushticë e Ulët dhe Fushticë e Epërme, “Fer Petroll” e kishte fituar një kontratë tjetër në korrik të vitit 2019 në vlerë prej 32 mijë e 779 euro.

 

Tenderi i radhës që e ka fituar kompania ‘Fer-Petroll’ është ai për asfaltimin e rrugës lokale në fshatin Komoran. Vlera e përgjithshme e kontratës  është 89 mijë e 539 euro dhe është e nënshkruar me 13 shtator 2018. E njëjta kompani kishte marrë edhe një kontratë tjetër për të njëjtin projekt në vlerë prej 12 mijë e 230 eurove, e cila është nënshkruar me 31 tetor 2018.

Një tjetër tender, ‘Fer-Petroll’ e ka fituar si punë të pa planifikuar nga komuna e Drenasit, për asfaltimin e rrugëve lokale në fshatrat Abri dhe Tërdec. Kontrata për këtë tender në vlerë prej 4 mijë eurove është nënshkruar me 14 nëntor 2018.

Asfaltimin e rrugëve në Drenas ka vazhduar ta bëjë kompania ‘Fer-Petroll’. Një tender është për asfaltimin e rrugës në fshatin Tërstenik. Vlera e kontratës është 120 mijë e 500 euro dhe është nënshkruar me 10 tetor 2018. ‘Fer-Petroll’ e kishte fituar për asfaltimin e rrugëve lokale në fshatrat Shtuticë dhe Vërboc. Kontrata është nënshkruar me 17 nëntor të vitit 2018 dhe e kap vlerën e 94 mijë e 880 eurove.

Përveç asfaltimit të rrugëve, ‘Fer-Petroll’ ka fituar tender nga komuna e Drenasit edhe për mirëmbajtjen e rrugëve. Një tender të tillë e ka fituar me 16 nëntor të vitit 2018, për ‘Mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror’, në LOT-in 2 me vlerë prej 25 mijë e 750 eurove.

 

 

‘Fer-Petroll’ është marrë edhe me pastrimin e deponive. Një tender për këtë punë e kishte fituar me 24 maj 2019, për pastrimin e deponive të egra në komunën e Drenasit dhe kontrata kishte vlerën e 12 mijë e 975 eurove. Një tender tjetër e ka fituar për ‘ndërtimin e infrastrukturës, asfaltimin dhe kubizmin në Drenas’, pa u specifikuar se për çfarë rrugë bëhet fjalë. Tenderi e kap shifrën e 132 mijë e 312 euro dhe është nënshkruar me 7 maj 2019.

Kompania ‘Fer-Petroll’ nga komuna që udhëhiqet nga Ramiz Lladrovcit e ka fituar dy llote të tenderit për rregullimin e shtratit të lumit ‘Drenica’ . Këtë tender kompania ‘Fer-Petroll’ e ka fituar si grup i operatorëve me kompaninë ‘Ileaa-Gr’. Vlera e përgjithshme e kontratës është 69 mijë e 500 euro dhe është nënshkruar me 19 qershor 2019. Kontrata tjetër për këtë tender, pasi është e ndarë në tri faza, është nënshkruar me 19 gusht 2019, në vlerë prej 48 mijë e 700 eurove.

Gjithë këta tenderë kompania fatlume ‘Fer-Petroll’ i ka fituar nga muaji shtator 2018 deri më nëntor të vitit 2019,ndërsa vetëm brenda vitit 2019 i ka fituar plotë 12 tenderë nga komuna e Ramiz Lladrovcit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco