Punëtorët e sektorit publik i trazon Ligji për paga

Punëtorët e sektorit publik i trazon Ligji për paga

19:21, 06/12/2019

Pesë ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për paga për sektorin publik, institucioni i Avokatit të Popullit, e ka dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhet, vlerësimin e përputhshmërisë së këtij Ligji me Kushtetutën.

Avokati i Popullit ka kërkuar vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për paga në sektorin publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Ligji për paga, i sapo hyrë në fuqi, rregullon rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.

Ligji për pagat do të duhej të zbatohej nga janari i vitit 2020, ku përfshihen pagat e muajit dhjetor 2019. Por, për shkak të kontestimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, mbetet e paqartë nëse punonjësit e përfshirë në rritje të pagave, me këtë ligj do t’i marrin rrogat me rritje nga janari.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje kërkesës së Avokatit të Popullit.

E, deri sa Gjykata Kushtetuese të marrw ndonjë vendim, Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës ka bërë përgatitjet për ekzekutimin e pagave të muajit dhjetor në dy alternativa, sipas sistemit dhe nivelit ekzistues të pagave dhe sipas Ligjit të ri. Ministri në largim i Financave, Bedri Hamza, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se “ekzekutimi i pagave do të realizohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Por, disa sindikata kërkojnë zbatimin e këtij Ligji, kurse disa të tjera moszbatimin. Këto reagime janë intensifikuar edhe më shumë tani, kur ligji në fjalë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese si instanca e fundit për interpretim.

Kryetarët e tri sindikatave në Kosovë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës-SBASHK, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës-FSSHK dhe Sindikata e Policisë së Kosovës, kërkojnë që mos të zvarritet zbatimi i ligjit. Këto tri sindikata të premten kanë mbajtur një takim të përbashkët dhe kanë kërkuar takim urgjent më së largu deri të martën me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj, dhe me kryetarët e subjekteve politike parlamentare.

Shaban Tasholli, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, tha se takimi ka për qëllim të informojë për pasojat e mundshme në rast të moszbatimit të Ligjit për paga.

“Ne dëshirojmë që të takohemi me të, në mënyrë që të konsultohemi se a ka hapësirë për nivelizim të pagave ashtu siç parashihet me ligj. Në të kundërtën, nëse nuk zbatohet Ligji, atëherë i kemi të drejtat tona sindikale, arsimi dhe shëndetësia do të hyjnë në grevë, kurse policia ka të drejtën e protestës”, tha ai.

Por, të pakënaqur me Ligjin janë rreth 23 mijë shërbyes civilë në administratën lokale dhe qendrore të Kosovës, të cilët i kanë dërguar ankesë edhe Avokatit të Popullit.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, tha për Radion Evropa e Lirë, se shërbyesit civilë ndihen të diskriminuar dhe nuk trajtohen barabartë sa i përket nivelit të pagave. Ai tregon se paga mesatare e shërbyeseve civilë në Kosovë është 370 euro në muaj. Kurse, me ligjin e ri, sipas tij, disa nga shërbyesit civilë pagat do të mund t’i marrin edhe me një rritje prej 40 euro në muaj.

“Pajtohem plotësisht më veprimin që ka ndërmarrë Avokati i Popullit dhe presim që ky ligj të rishqyrtohet të vendoset drejtësia. Dhe, çfarëdo që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është vendim i fundit dhe duhet të zbatohet. Dhe, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë ligjshmëri në vend”, tha Zymberi

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë, se nëse Gjykata Kushtetuese vendos masë të parakohshme për zbatimin e Ligjit, atëherë ekzekutimi i pagave të muajit dhjetor do të realizohet në bazë të Ligjit të vjetër.

“Ky Ligj i vënë në pozitë jo të barabartë. Përderisa për disa zyrtarë publik ka ngritje të pagave, për një numër të caktuar të zyrtarëve publik, që është numër i madh, ka zbritje të pagave. Që në bazë të praktikës së Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut një gjë e tillë nuk mund të ndodhë”, vlerësoi Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë veta. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 ishte 573 euro.

Sipas Ligjit të ri, paga mujore më e ulëta është ajo e shtëpiakut prej 322 euro, 621 euro është paga e mësimdhënësve të shkollës së mesme, profesori i universitetit do të marrë 1.505 euro, kryeprokurori 1. 912 euro, kryeministri 2.151 dhe presidenti i Kosovës nga muaji dhjetor do të marrë pagën mujore në vlerë prej 2.390 eurosh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco