Skandali i BQK-së, trash xhepat e kompanive të sigurimit në kurriz të kosovarëve

Skandali i BQK-së, trash xhepat e kompanive të sigurimit në kurriz të kosovarëve

09:20, 21/11/2019 Nga Dardan Gashi

Pronarët e mbi 400 mijë vetura në Kosovë, nga data 15 nëntor të këtij viti, do detyrohen të paguajnë rreth 26 përqind më shtrenjtë për ta regjistruar veturën e tyre.

Kjo pasi, Banka Qendrore e Kosovës, me anë të një vendimi, ka bërë rritjen e çmimeve për sigurimin e automjeteve, vendim ky i cili nuk është mirëpritur nga të gjithë, e sidomos nga qytetarët të cilët do ta pësojnë më së shumti.

Vendimin e BQK-së, për rritjen e çmimit të polisave të sigurimit, kryetari i Organizatës Konsumatori Selatin Kaçaniku, e vlerëson si vendim jo-autonom  të pavarur të BQK-së.

Kaçaniku për Syri.Net Kosova, thotë se para një vendimi të tillë është dashur të kishte informim, marrëveshje dhe diskutim publik, pasi e gjitha ka kosto shtesë për qytetarin.

“Presioni i kompanive të sigurimeve dhe i Asociacionit, Byrosë së sigurimeve, në mungesë të zgjidhjes së drejtë, korrekte, juridikoligjore dhe duke mos e dëmtuar qytetarin konsumator taksapagues e ka  prodhuar  ngritjen e çmimeve të sigurimit të automjeteve  por nuk e ka arsyetuar as bazuar ligjërisht.

Ai shton se është e pa arsyeshme, anakronike, juridikisht e ligjërisht e pakuptueshme që për fajin e përgjegjësinë e ndokujt tjetër të dënohet e gjobitet qytetari konsumator, pronar e sigurues i automjeteve.

“Mendoj se BQK ka marrë sinjal, “ detyrë klase e detyrë shtëpie “ nga Qeveria e cila nuk ka qenë e gatshme t'i pranojë gabimet e përgjegjësitë dhe vazhdon ta mbajë dorën në xhep të qytetarit konsumator taksapagues. Na mbajnë të paorganizuar, të pabashkuar në asociacionet gjegjëse të pavarura pa të drejtë vote, shprehjeje e deklarimi publik dhe pa të drejtë matjeje e vlerësimi të cilësisë së prodhimeve dhe të performances së shërbimeve. Edhe nga ky rast nënkuptohet se Qeveria duhet të ndërgjegjësohet për rëndësinë, vlerën, potencën dhe gatishmërinë e qytetarit konsumator taksapagues për të qenë partner i shtetit.”

Sipas tij, rritja e sigurimeve të automjeteve, do të dalë edhe më e lartë duke marrë parasysh faktin se qytetari konsumator çdo vit po blenë vetura të modeleve më të reja, më të shtrenjta e me “kubikazhë“ më të madhe, që ndikojnë edhe në çmimin e sigurimeve.

Kundër këtij vendimi, kanë dalur dy grupe ne rrjetet sociale  “Speedomaniaks” dhe  ‘Marakli t’kerreve’ të cilët kanë paralajmëruar protesta për ditën e premte dhe të shtunë, më 22-23 nëntor, para Bankës Qëndrore të Kosovës.

Sipas grupit “Speedomaniaks”, në Francë derivatet janë rritur për 2 cent më shumë, të gjithë qytetarët janë organizuar që ta heqin atë vendim, kurse në shtetin tonë çmimet e sigurimeve janë rritur edhe me qindra euro.

“Neve na takon të mos rrijmë duarkryq, përballë kësaj padrejtësie. Merre veturën e hajde”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, për Syri.net Kosova, thotë se është e domosdoshme të parandalohet ky vendim, pasi BQK po tenton t'ua rris fitimet kompanive të sigurimeve, me parat e nxjerrura nga xhepat e varfër të qytetarit të Kosovës.

Sipas tij, kompanitë e sigurimit aktualisht po vazhdojnë të operojnë me fitime mesatare vjetore rrethë 30% që i bie se ato fitojnë dhjetra miliona euro.

"Rrjedhimisht,  kompanitë e sigurimeve krijojnë të hyra rreth 900 milionë euro, në vit ndërsa kanë kompenzuar dëme rreth 308 milionë euro, pra rreth 579 milionë euro kanë pasur të hyra, ndërsa shpenzime administrative kanë pasur 270 miljonë euro, kurse, fitimi për kompanitë e sigurimitë janë 309 miljon euro, që nga pas lufta"

Sipas tij, meqenëse, Kosova nuk është pjesë e “Kartonit të Gjelbër”, qytetarët janë të detyruar të zbatojnë këtë pagesë krejtësisht diskriminuese, e gjithë kjo bëhet me arsyetimin se rritja vije si shkak i rritjes së inflacionit.

"Mos të harrojmë të cekim se kompanitë e sigurimeve kanë kërkuar qe të kenë rritje tarifore prej rrethë 35% pra kanë bërë kërkesë BQK-së, andaj konstatojë se do te duhej të merrej masa të nevojshme dhe të domosdoshme që të parandalohej, që të mos ketë rritje tarifore për sigurimet e automjetve dhe do duhet të merreshinmasa urgjentisht duke u bazuar sipas rritjeve të vendeve të rajonit."

Kujtojmë se para këtij vendimi të BQK-së, Syri.net Kosova alarmoi i pari për kërkesën e kompanive të sigurimeve drejtuar BQK-së që të rritet çmimi i sigurimit të veturave deri në 36 perqind.

Rritjen e çmimit për sigurimet e automjeteve e ka kundërshtuar  edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNJ).

Ky Këshill e ka kundërshtuar rritjen e tarifave të sigurimit të automjeteve, duke e konsideruar si goditje për xhepin e qytetarëve të Kosovës nga ana e kompanive të sigurimeve.

“Përgjegjës kryesor për këtë është BQK-ja e cila, në vend ta luajë rolin e rregullatorit të këtyre kompanive po bëhet pjesë e zhvatjes aktive të buxhetit të qytetarëve të Kosovës. Në shumë vende të botës nëse i keni dy vetura dhe të cilat nuk i përdorni çdo ditë, me një palë tabela mund të ngasni veturat duke i zhvendosur sipas nevojës, nga njëra veturë në tjetrën”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.

Kërkesën për rritje të çmimeve e ka kundërshtuar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duke thënë se kjo kërkesë bie ndesh me politikat dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosova të Konkurrencës (AKK), Sakip Imeri, ditë më parë tha se unifikimi i çmimeve të primit të TPL-së është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë.

Ai tha se i kanë sugjeruar BQK-së që të bëhen veprime individuale nga kompanitë e sigurimit për mënyrën dhe masën se sa dëshirojnë të rrisin çmimet.

“Diku në muajin korrik ka filluar një hetim, marrje e informatave, një hulumtim i informatave rreth bashkëpunimit të kompanive të sigurimit për vendosjen e një çmimi unik apo rritjen e çmimit. Në muajin gusht kemi marrë një kërkesë nga BQK-ja që të ofrojmë një opinion për propozimin që të rritet çmimi i sigurimit në 36.56 për qind”.

Ndryshe, pas reagimeve të shumta për këtë vendim dhe kërkesës që kjo rritje të hetohet edhe nga Prokuroria, Banka Qendrore e Kosovës ka ftuar mediat një konferencë  ditën e enjte 21 nëntor, ku temë e saj do të jetë pikërisht ngritja e çmimeve për sigurimin e automjeteve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco