OSHP me anë të një dokumenti të kundërligjshëm, ka kthyer në rivlerësim tenderin tre milionësh për “furnizim me pemë dhe perime”

OSHP me anë të një dokumenti të kundërligjshëm, ka kthyer në rivlerësim tenderin tre milionësh për “furnizim me pemë dhe perime”

15:00, 12/11/2019

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), gjatë analizës së vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP), që ndërlidhen me prokurimet në nivel qendror, ka gjetur se OShP-ja, në Urdhëresën e saj dërguar Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP)më 11 nëntor 2019, ka kërkuar nga kjo e fundit, që në bazë të një dokumenti të kundërligjshëm, të kthejë në ri-vlerësim tenderin tre milionësh për “furnizim me pemë dhe perime”.

 AQP-ja fillimisht kishte anuluar këtë tender në mungesë të numrit të mjaftueshëm të operatorëve ekonomik të përgjegjshëm. Lidhur me njërin operator të “papërgjegjshëm” në këtë tender, AQP-ja kishte gjetur se ky i fundit në proces të aplikimit dhe ri-shqyrtimit kishte paraqitur vërtetimin tatimor me numër të njëjtë serik me të dhëna të ndryshme.  Me këtë rast, AQP-jA kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), të konfirmojë saktësinë e këtij vërtetimi, ndërsa nga ATK kishte marrë përgjigje se ky dokument i prezantuar nga Operatori Ekonomik, nuk përkonte me gjendjen në sistemin e ATK-së.

Përkundër këtij fakti të prezantuar nga AQP, OSHP-ja kishte vendosur të aprovojë ankesën e OE dhe kishte kërkuar nga AQP të kthejë në ri-vlerësim tenderin, duke injoruar kështu përgjigjen e ATK-së. Arsyetimi i OShP-së se “falsifikimi” i dokumentit të ATK-së është “devijim i vogël në pajtim me nenin 59, pika 4 e ligjit të Prokurimit Publik”, sipas KDI-së nuk qëndron. Në fakt, ai përbën vepër penale të keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, falsifikimin e dokumenteve publike dhe legalizimin e përmbajtjes së rreme i klasifikon si vepra penale.

Neni 415, Pika 1 e Kodit Penal precizon që “kushdo që me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, marrëveshje të fshehtë kundërligjore apo ndërmerr ndonjë veprim tjetër të paligjshëm me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe më qëllim të ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, dënohet me gjobë dhe burgim deri në pesë (5) vjet”.

KDI kërkon nga OShP-ja që urgjentisht të tërheq urdhëresën për mos-anulim të tenderit deri në zbardhjen e dyshimeve për paraqitjen e dokumenteve me përmbajtje të rreme nga operatori në fjalë. Gjithashtu KDI-ja i bën thirrje organeve kompetente që të hetojnë rastin në fjalë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco