Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere po mban mbledhjen e radhës, ku po shqyrtohen disa nga projektligjet dhe raportet vjetore financiare.
Gjatë mbledhjes deputetë të opozitës ngritën kritika për punën e këtij komisioni. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se pikat më të rëndësishme nuk janë trajtuar në këtë komision.
“Ky është komisioni më i rëndësishëm i Kuvendit dhe ky komision nuk e ka kryer as gjysmën e punës. Që tre katër muaj pikat më të rëndësishme të këtij komisioni nuk janë fare në rend dite”, ka deklaruar ai.
Mirëpo kryetari i komisionit, Armend Muja, tha se të gjitha pikat e trajtuara kanë qenë të rëndësishme.
“Çdo pikë e rëndësishme që ka ardhur në komision është shqyrtuar. Çdo pikë është e rëndësishme. Unë po pajtohem që ato janë të rëndësishme dhe mund t’i trajtojmë deri më 30 korrik”, ka shtuar ai.
Në mbledhjen e sotme për raportim është paraqitur edhe ministri i Financave, Hekuran Murati për të prezantuar Shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B.
“Marrëveshja është në vlerë prej 38 milionë eurove. Ky është vetëm plotësim i financimit i cili nevojitet vetëm për të vazhduar projektin”, ka thënë ministri Murati.
Me shumicë të votave, komisioni kaloi këtë projektligj.
© SYRI.net