Portugalia nis procedurat për zbatimin e projektit 4 ditë punë në javë

Portugalia nis procedurat për zbatimin e projektit 4 ditë punë në javë

19:33, 05/06/2023

Qeveria e majtë në Portugali njoftoi se nga sot ka nisur “projekti pilot” i punës 4 ditë në javë nga 100 kompani.

Ministrja e Punës, Sigurimeve Shoqërore dhe Solidaritetit, Ana Mendes Godinho tha se sipas dekretit që ka hyrë në fuqi nga 5 qershori, ka nisur praktika e uljes së punës javore në 4 ditë pa cenuar pagat për punëdhënësit dhe punëtorët që duan të marrin pjesë vullnetarisht.

Në informacionin e dhënë nga Ministria, raportohet se buxheti për këtë program, i cili do të kushtojë 350 mijë euro në total, do të mundësohet nga Instituti i Punësimit dhe Arsimit Profesional, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive në praktikën pilot të punës 4 ditë në javë, që përfshin uljen e orarit javor të punës nga 40 në 32.

Kompanitë pjesëmarrëse në programin pilot do të përgatisin raport duke ndarë informacionin e tyre me ministrinë për çështje të tilla si produktiviteti, kostot e ndërmjetme dhe mirëqenia e punonjësve të kompanisë dhe personelit, para, gjatë dhe pas praktikës së punës 4 ditë në javë.

Qeveria portugeze nuk jep asnjë avantazh apo subvencionim ndërsa i lë të lirë kompanitë dhe punonjësit që marrin pjesë në programin pilot të marrin vendimet e tyre. Në nëntor 2022, Belgjika ishte një nga vendet e para që filloi praktikën 4-ditore të punës, e cila erdhi në agjendë veçanërisht pas pandemisë së COVID-19 në Evropë.

Disa vende të Evropës veriore, si Suedia dhe Finlanda, po testojnë këto programe ndërsa Spanja filloi provat e punës 4 ditë në javë në 41 kompani industriale në fillim të këtij viti. Në Spanjë, qeveria jep deri në 200 mijë euro për të inkurajuar kompanitë të marrin pjesë në këtë projekt.


Ndërkohë që Portugalia po provon praktikën e punës 4 ditë në javë në sektorë të ndryshëm, në Spanjë vazhdon debati nëse kjo do të jetë e vlefshme për të gjithë sektorët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco