Qepa po ua 'mbush sytë me lot' kosovarëve, kur po ia shohin çmimin

Qepa po ua 'mbush sytë me lot' kosovarëve, kur po ia shohin çmimin

08:14, 19/05/2023

Një kilogram qepë në tregun e Kosovës ka arritur deri në 1.70 euro.

Ky çmim është gati trefish më i lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ky produkt shitej deri në 60 centë.

E qepët e bardha dhe të kuqe në tregun vendor vijnë nga Kina, Egjipti, India, Franca, Greqia, Italia, Shqipëria, Serbia dhe shtete të tjera.

Qepa është produkt themelor në kuzhinën e qytetarëve dhe një nga perimet më të kërkuara në treg.

Aktualisht, një kilogram qepë kushton më shtrenjtë se një kilogram limon.
Aktualisht, një kilogram qepë kushton më shtrenjtë se një kilogram limon.

Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, e konsideron të pajustifikueshëm çmimin e lartë, për faktin siç thotë, Kosova ka traditë shumëvjeçare në kultivimin e saj. Sipas tij, është një nga prodhimet më të lehta, më praktike që mund të bëhet në Kosovë.

Për tregtarët ky çmim është i pazakontë. Ata thonë se ka pak prodhime vendore dhe janë të detyruar të importojnë nga shtetet tjera.

Në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, një kilogram qepë sillej nga 1.20 euro deri në 1.50 euro. Por, në dyqane çmimi i këtij produkti arrin deri në 1.70 euro.

Çmimi i qepëve, varësisht nga lloji, në një dyqan në Prishtinë.
Çmimi i qepëve, varësisht nga lloji, në një dyqan në Prishtinë.

Tregtarët pohojnë se nuk mbajnë mend që çmimi i qepëve të ketë qenë më i lartë se ai i domateve dhe trangujve.

Shaban Bislimi, shitës perimesh në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.
Shaban Bislimi, shitës perimesh në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.

“Viteve tjera nuk kanë qenë aq shtrenjtë, ka pasur më shumë prodhim vendor. Kur janë prodhim vendor, çmimi më i lartë shkon 50-60 centë”, thotë Shaban Bislimi, i cili në tezgën e tij shet perime dhe qepë të importuara nga Shqipëria.

“E kursej qepën”

Edhe blerësit që i hasëm në treg, u ankuan për çmimin.

Magbulja, e cila në treg ishte duke e blerë këtë produkt, tha se ka një vit që përdor më pak qepë kur përgatit gjellë.

“Qepa çdo gjellë e ndreq, i jep shije, por unë po e kursej shumë”, tha ajo.

Absurd e quan çmimin e qepëve edhe Mustafë Hajdini, derisa blen perime në Tregun e Gjelbër të kryeqytetit.

“Për standardin tonë jo vetëm qepët, por edhe perimet janë të shtrenjta”.

“Të punohet toka është mirë dhe ka leverdi, por nuk dëshirojnë të punojnë dhe normalisht duhet t’’i blejmë me këto çmime”, shprehet ai.

Pse nuk kultivohet qepa në Kosovë?

Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, vlerëson se shkak për mospërmbushjen e nevojave për konsum nga prodhimtaria vendore, paraqitet braktisja e zonave rurale dhe mosinteresimi i qytetarëve për ta punuar tokën.

“Të sillen qepë nga jashtë është joologjike, madje çmimi është i pajustifikueshëm. Nëse flitet për kultivim të orizit, limonit, portokajve dhe bananeve, në Kosovë nuk bëhen – por qepa, hudhra janë prodhime që tradicionalisht janë kultivuar në Kosovë. Dhe, kjo nuk na falet për faktin se mund të përkojë me kultivim intensiv me konditat tona agroekologjike dhe mund të rritet në të gjitha rajonet e Kosovës”, thotë Rusinovci për Radion Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar në Kosovë janë importuar mbi 9.325 tonë qepë me vlerë prej mbi tre milionë euro.

Zeqir Berisha nga komuna e Podujevës e kultivon këtë produkt për nevojat familjare. Ai nuk blen qepë, por shprehet i habitur me çmimin e tyre.

“Është skandaloze të vijë qepa prej Egjiptit, India – kjo është skandaloze”, shprehet ai.

Fermerë që merren me kultivimin e kësaj kulture tregojnë se vitin e kaluar çmimi për një kilogram qepë në tregun e Kosovës ka arritur deri në 40 centë. Sivjet çmimi i tyre në tregun me shumicë mund të arrijë deri në 50 centë.

Fermeri Brahim Kajtazaj nga Dubrava e Istogut ka të mbjellë mbi 1.5 hektarë me qepë. Ai beson se produktin final me shumicë sivjet do ta shesë nga 50 centë për kilogramë.

Kajtazaj tregon se nuk është i vështirë kultivimi, por problem paraqitet mungesa e punëtorëve, sepse nuk janë të interesuar të punojnë në sektorin e bujqësisë.

“Si të vijnë nga jashtë çmimi është i lartë, si të jetë prodhimi jonë, çmimi bie për toke”, thotë ai.

Fotografi e sipërfaqes së mbjellë me qepë, dërguar nga Brahim Kajtazaj.
Fotografi e sipërfaqes së mbjellë me qepë, dërguar nga Brahim Kajtazaj.

Profesori Imer Rusinovci konsideron se në dy dekadat e fundit sektori i bujqësisë nuk është trajtuar në mënyrën e duhur. Qeveritë, thotë ai, nuk kanë ndjekur politika që ta zhvillojnë në mënyrë të qëndrueshëm këtë sektor.

“Për pasojë shpërfaqen shumë probleme ekonomike, organizative, teknike, sociale dhe shkallë e lartë e papunësisë”, thekson ai për REL.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thanë për Radion Evropa e Lirë, se vitin e kaluar kanë subvencionuar 577 fermerë, me sipërfaqe të përgjithshme mbi 402 hektarë të mbjellë me qepë. E gjithë kjo me një vlerë financiare prej rreth 223 mijë eurosh.

Këtë vit, thuhet në përgjigje, sapo ka përfunduar faza e aplikimit për Programin e Pagesave Direkte dhe në bazë të raporteve fillestare, kanë aplikuar 635 fermerë për qepë me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 470 hektarësh.

Sipas Programit të Pagesave, fermerët do të marrin 500 euro për një hektar të kultivuar me këtë kulturë bujqësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco