Institucionet Mikrofinanciare fituan mbi 4 milionë euro të pastra për 3 muaj

Institucionet Mikrofinanciare fituan mbi 4 milionë euro të pastra për 3 muaj

10:17, 10/05/2023

Përveç Bankave Komerciale në vend, janë edhe Institucionet Financiare ato që po thyen rekord të fitimeve pothuajse çdo muaj.

Vetëm për tre muaj të këtij viti, IMF-të në Kosovë kanë arritur që të sigurojnë fitim të pastër neto prej 4.2 milionë eurove.

Në krahasim me një muaj më parë, ku IMF-të kishin fituar 2.6 milionë euro, në mars, fitimi i tyre u rrit për 1.6 milionë euro.
Ndonëse përveç që u rrit fitimi brenda mujave, rritje vërehet edhe nëse bëjmë krahasim në periudhën e  njëjtë të një vitit paraprak, pra mars 2022 ku IMF-të kishin fituar 4.1 milionë euro.

Krejt kjo rritje e fitimit të pastër mujave e viteve radhazi bëhet për shkak të normës së lartë të interesit ndaj kredive që lëshohen nga këto institucione.

Raporti i fundit i BQK-së, “Sistemi Financiar, Informta Mujore, mars 2023” tregon se norma e interesit në kredi në muajin mars ishte 18.9%.

Vlen të theksohet se vlera e aseteve deri në këtë muaj ishte 355.1 milionë euro, ndonëse shuma e kredive arriti në 248.7 milionë euro.

Nga gjithë kjo shumë e kredive, 161.2 milionë ishin kredi për ekonomitë familjare, ndërsa 87.5 mijë të tjera ishin për korporata jo financiare.

Të hyrat në IMF-të në Kosovë ishin 13 milionë euro, ku 12 milionë prej tyre ishin të hyra nga interesi.

Shuma e shpenzimeve arriti në 9 milionë euro. 1.9 milionë prej tyre ishin shpenzimet e interesit ndërsa 5.3 milionë të tjera ishin për shpenzimet e personelit dhe administrative.

Ndryshe, në Kosovë janë 30 Institucione Mikrofinanciare, 13 prej të cilave me pronësi të huaj. Numri i të punësuarve në to ka arritur në 1 mijë e 335 persona.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco