Prodhimi vendas në rrezik nga rritja e kostove, pagave, importit dhe emigracionit

Prodhimi vendas në rrezik nga rritja e kostove, pagave, importit dhe emigracionit

07:09, 01/05/2023

Shoqatat e biznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkojnë që qeveria të nisë bisedimet me grupet e interesit për hartimin e strategjive të reja që do të zgjidhnin problemet e kostove dhe mungesës së fuqisë punëtore. Për shoqatat theksohet e domosdoshme edhe hartimi i një pakete mbështetëse financiare. Ministria e Financave ofron si zgjidhje vetëm miratimin e Garancisë Sovrane 4 ku përparësi do të ketë sektori fason. Për problematikën e fuqisë punëtore, ndërhyrjet janë parashikuar në strategjinë e re të punësimit për periudhën 2023-2030.

Prodhuesit përsërisin shqetësimin se nga rritja e kostove, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, që pas krizës nga pandemia dhe luftës Rusi-Ukrainë, si dhe nga mungesa e lartë e fuqisë punëtore dhe rritja e vazhdueshme e pagës minimale pa përmirësuar produktivitetin, ata po humbasin konkurrueshmërinë.

Për shoqatat e biznesit, rritja e kostove te të gjithë prodhuesit vendas dhe shtimi i fluksit të importeve në treg janë alarme për falimentim dhe pasiguri ekonomike.

Në ndihmë të prodhuesve të goditur nga rritja e kostove, qeveria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikojnë të miratojnë garancinë e katërt sovrane për sektorin fason.

“Bazuar në përvojën e mëparshme në dhënien e Garancisë Shtetërore 1 dhe 2 për mbështetjen e shoqërive tregtare në periudhën e pandemisë Covid-19, qeveria dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë po shohin mundësinë që të aplikojë mbështetje me garanci sovrane për sektorët më të prekur të ekonomisë, duke pasur si prioritet sektorin e manifakturës për prodhimet ‘Made in Albania’”, pohoi për “Monitor”, Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Por në të kaluarën, instrumenti i ndihmës shtetërore me garanci sovrane për të mbrojtur biznesin nga efektet negative të pandemisë nuk rezultoi efikas.

Garancia e parë Sovrane, me vlerë 11 miliardë lekë, e miratuar në 2020 kishte si qëllim stimulimin e huadhënies për pagat e punonjësve të bizneseve që u prekën nga COVID-19.

Shteti merrte përsipër garantimin 100% të principalit të huave. Norma e interesit në fillim u vendos deri në 2,85%, por më pas u hoq dhe pagesa e interesave u mor përsipër nga shteti. Huaja përfshinte një periudhë grace (periudhë pa pagesë principali) deri në tre muaj.

Ndërsa Garancia e dytë Sovrane, me vlerë 15 miliardë lekë, e miratuar në maj të 2020, rezultoi shumë pak e suksesshme, pasi shteti hynte garant për 60% të principalit të huasë, ndërsa 40% u mbulua nga bankat.

Qëllimi i huadhënies ishte për investime, likuidet apo kapital qarkullues. Kredia me garancinë e dytë sovrane kishte normë interesi deri në 5%, e cila u vlerësua shumë e lartë nga sipërmarrjet.

Garancia e tretë Sovrane, me vlerë 3 miliardë lekë, në ndihmë të importuesve të mallrave ushqimore e miratuar vitin e kaluar, sipas të dhënave të MFE, rezulton se është shfrytëzuar vetëm 13% e fondit nga biznesi.

 

Strategjitë e qeverisë, në ndihmë të prodhimit vendas për kostot e rritura dhe fuqinë punëtore

Njëzëri Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Këshilli i Agrobiznesit dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë kërkojnë fillimin e një dialogu mes biznesit dhe institucioneve shtetërore, me qëllim zbatimin e strategjive të reja dhe atyre që janë në fuqi për nxitjen e prodhimit vendas dhe mbështetjen për sektorët e goditur nga shtimi i kostove.

“Është i domosdoshëm një dialog dhe bashkëpunim midis subjekteve private prodhuese dhe organeve ligjvënëse dhe ligjzbatuese. Ky dialog duhet të jetë real dhe funksional dhe jo thjesht një dialog në distancë me disa procedura burokratike.

Këto procedura nuk sjellin asnjë lloj efekti dhe u ka ardhur koha të rishikohen dhe të bëhen sa më familjare për biznesin, ku të ndihet zëri i tij dhe të merren në konsideratë kërkesat e tij objektive.

Grupet e interesit që përfaqësojnë bizneset duhet të jenë vazhdimisht të përfshira në këshillat dhe komitetet konsultative për legjislacionin që prek ekonominë/tregun, në tryezat e vazhdueshme dhe periodike të organizuara nga ministritë e linjës”, pohon për “Monitor”, drejtori ekzekutiv i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Aleko Polo.

Edhe kryetari i DHTI, z. Nikolin Jaka, thekson domosdoshmërinë e dialogut mes qeverisë dhe biznesit për zgjidhjen e situatës. “Në periudha të tilla krizash ekonomike, nuk janë të mjaftueshme vetëm paketat mbështetëse financiare për shtresat në nevojë.

Është e menjëhershme që për sipërmarrjet në sektorët e goditur nga kjo krizë, të kërkohet një paketë e strukturuar e mbështetjes financiare, për të përballuar rritjet e kostos së prodhimit dhe rritjes së produktivitetit”, thotë ai.

Në përgjigje të shqetësimeve të shoqatave të biznesit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë tha për “Monitor” se është duke u zbatuar një strategji konkrete në ndihmë të prodhuesve, e cila përfshin nxitjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve.

“Me Vendimin Nr. 466, datë 30.7.2021 është miratuar Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, 2021–2027, dhe Plani i saj i Veprimit.

Në këtë Strategji janë parashikuar disa masa, të cilat prekin direkt ose indirekt prodhuesin vendas:

Programi për nxitjen e eksporteve dhe ndërkombëtarizimin 2022-2027;

Tërheqja e investimeve dhe ndërkombëtarizimi nëpërmjet rritjes së fluksit të investimeve nga 7.6 në 9% të PBB-së;

Zhvillimi i NVM-ve, Startup-eve dhe Inovacionit nëpërmjet së cilës parashikohet rritja e dendësisë së startup-eve, rritja e vlerësimit në Indeksin e Konkurrueshmërisë Globale, si dhe rritja e vlerësimit në Indeksin e Politikave për NVM-të;

Rritja e aksesit në financë për NMVM-të, duke parashikuar që çdo vit të ketë më shumë se 60 përfitues të Fondit të Zhvillimit;

Zhvillimi i kapitalit njerëzor, nëpërmjet të cilit parashikohet rritje e PBB-së për person të punësuar, rritje e përqindjes së punësimeve në profesione që kërkojnë njohuri të thelluara, si dhe të forcës së punës për gratë dhe rininë”.

Në lidhje me problematikën e mprehtë të mungesës së fuqisë punëtore që po penalizon shumë sektorë prodhues, MFE thotë se është miratuar dokumenti i strategjisë së punësimit dhe aftësive 2023-2030, në të cilin janë parashikuar dhe planifikuar ndërhyrjet dhe hapat që do të ndërmerren për t’u përgjigjur nevojave të biznesit për fuqi punëtore të kualifikuar dhe me kompetencat e nevojshme.

Në këtë strategji, ndër të tjera, sipas Financave janë parashikuar ndërhyrjet për vijimin e reformës në fushën e arsimit dhe formimit profesional.

“Po ashtu, në parashikimin e nevojave për aftësi, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) realizon SNA – Studimin për aftësitë e kërkuara, i cili i shërben Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) për hartimin e kurrikulave dhe programeve, sipas këtyre nevojave.

AKAFPK mbështetet në këtë drejtim nga Komitetet Sektoriale, në të cilat diskutohet mbi kurrikulat ekzistuese dhe përmirësimin e tyre sipas nevojave të tregut.

Aktualisht janë krijuar dy Komitete Sektoriale, ai në fushën e TIK dhe në fushën e Mikpritjes dhe Hotelerisë”, nënvizojnë Financat.

Shoqatat rekomandojnë se kualifikimi i forcës punëtore duhet të shoqërohet me mbështetje fondesh ndaj bizneseve.

 

Nikolin Jaka:
“Në periudha të tilla krizash ekonomike, nuk janë të mjaftueshme vetëm paketat mbështetëse financiare për shtresat në nevojë. Është e menjëhershme që për sipërmarrjet në sektorët e goditur nga kjo krizë, të kërkohet një paketë e strukturuar e mbështetjes financiare, për të përballuar rritjet e kostos së prodhimit dhe rritjes së produktivitetit”.

 

Industritë e çimentos, përpunimit të metaleve, qumështit, fasoni rritje 50% të kostove

Shumë sektorë prodhues në vend janë goditur nga rritja e kostove dhe konkurrenca e mallrave të importit. Për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Nikolin Jaka, veçanërisht industritë, si përpunuesit e metaleve, qumështit, prodhuesit e çimentos dhe fasonët po përballen me rritje 50% të kostove nga çmimi i lartë i energjisë dhe lëndëve të para.

Z. Jaka nënvizon se kostot e larta, jo vetëm që kanë shtuar importet, por kanë krijuar një mjedis të pasigurt për sipërmarrjen, duke e vënë atë përballë rrezikut të falimentit.

“DHTI-Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me anëtarësinë e saj dhe disa organizata partnere biznesi, që në fillim të vitit 2023, ka informuar qeverinë, institucionet përgjegjëse të saj lidhur me problematikat me të cilat përballen sot prodhuesit shqiptarë.

Situata të vështira ekonomike po kalon e gjithë ekonomia globale dhe në veçanti vendi ynë, si rrjedhojë e fatkeqësive të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019, pandemia Covid-19, si dhe konflikti Rusi-Ukrainë.

Sapo përfundoi tremujori i parë i vitit 2023, prognoza është jo shumë optimiste.

Në këndvështrimin tonë pritet që të jetë një vit sfidues, si për sipërmarrjen dhe ekonominë e vendit, që mund të ngadalësojë rritjen ekonomike, kryesisht nga situata globale, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, karburanteve, lëndëve të para dhe ndihmëse.

Kjo do të ndikojë dukshëm në rritjen e kostove të prodhimit, me efekte të ndjeshme në rritjen e inflacionit, duke e vënë sipërmarrjen shqiptare përballë sfidave të mëdha të ekzistencës së saj, e në veçanti, sipërmarrjen prodhuese.

Industria po përballet me pasojat e rritjes së kostove të lëndëve të para dhe energjisë, që nga njëra anë po e bëjnë industrinë jokonkurruese dhe, nga ana tjetër, po rriten importet. Industria e çimentos, përpunimit të metaleve, përpunimi i qumështit, fasoni, të gjithë raportojnë se po përballen me rritjen e kostove deri në 50%, ashtu dhe me mungesat e fuqisë punëtore.

Pasojat e këtij efekti zinxhir të rritjes së çmimeve në tregun ndërkombëtar, po përkeqësojnë balancat e tregut.

Për rrjedhojë, jo vetëm bizneseve të vogla, por edhe atyre të mëdha po u krijohen vështirësi financiare, mungesa likuiditeti, rritje e çmimeve të lëndëve të para të importit, kostot e transportit etj., që po sjell një situatë të pasigurt në këndvështrimin e qëndrueshmërisë së biznesit, duke i çuar edhe drejt falimentimit të tij.

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, një fenomen që vazhdon të thellohet për shkak të emigracionit, po ndikon dukshëm dhe me pasoja në drejtim të rritjes së produktivitetit të ekonomisë dhe tërheqjes së investimeve të huaja.

Në kushtet e pamundësisë për të parashikuar fundin e krizës që ka mbërthyer ekonominë globale në tërësi dhe atë shqiptare në veçanti, në këndvështrimin e perspektivës është e vështirë për të vlerësuar pasojat reale të kësaj krize, me të cilën vazhdon të përballet industria”.

Z. Jaka shton se sipërmarrja është përballur edhe me ndryshime të vazhdueshme të legjislacionit, sidomos atij fiskal.

“Jo vetëm që industria prodhuese nuk është e mbështetur me lehtësi, por po thellohet pasiguria dhe nuk mund të mendohet që të bëhemi konkurrues me vendet e rajonit”.

 

Fermerët braktisin tokën nga kostoja e lartë

Rritja e vazhdueshme e kostos së prodhimit në bujqësi që pas tërmetit të vitit 2019, pandemisë së Covid-19, çmimet më të larta të blerjes së lëndëve të para në import nga lufta e Rusi-Ukrainë po shoqërohen me një sërë faktorësh negativë, sipas kryetarit të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Agim Rrapaj.

Ai shton se shtimi i kostove në bujqësi dhe blegtori ua ka bërë më të shtrenjta produktet fermerëve dhe ka ulur fuqinë blerëse të konsumatorëve. Pasoja të tjera janë rritja e sipërfaqes së tokës së pakultivuar, ulja e numrit të krerëve në blegtori, braktisja e pronës dhe ulja e eficiencës së investimeve të kryera kohë më parë në zonat rurale.

Për kryetarin e KASH, problem mbetet edhe niveli i ulët i kooperimit dhe koordinimit pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë së ushqimit në Shqipëri, si: bujqësi, blegtori, peshkim, akuakulturë, agrobiznes, agropërpunim, agropylltari, bletari, bimë mjekësore dhe aromatike, tregje agroblegtorale, duke penguar zhvillimin e shpejtë dhe përballimin me kosto më të ulët të pasojave të krizës të viteve të fundit.

Z. Rrapaj thotë se 75% e bujqësisë dhe blegtorisë është e paformalizuar, një shifër shumë e lartë.

Niveli i ulët i mekanizimit, inovacionit dhe dixhitalizimit janë faktorë të tjerë që po e vështirësojnë procesin e përballimit të pasojave të krizës për këta sektorë.

“Bujqësia dhe blegtoria më shumë, por edhe sektorët e tjerë punojnë masivisht me mjete mekanike, tej limiteve të amortizuara, me një teknologji që i ka kaluar koha, me një inventar mjetesh të reduktuara, që shoqërohet me kosto të lartë të mirëmbajtjes.

Procese të veçanta të mekanizuara, si ato të vjeljes së prodhimit në bujqësi dhe të mjeljes në blegtori përbëjnë aktualisht një problem emergjent për t’u zgjidhur, sepse po përballemi edhe me braktisjen e zonave rurale dhe me mungesë të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë së ushqimit”, pohon z. Rrapaj.

Kreu i KASH-it thekson se financimi i pamjaftueshëm nga buxheti dhe ritmi i ulët i përmirësimit të legjislacionit janë elemente penguese për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë dhe blegtorisë.

“Nga 1,6 deri në 2,2% e shpenzimeve totale vjetore që programohet nga buxheti i shtetit, për sektorët e ekonomisë së ushqimit, që kontribuojnë me mbi 20% të PPB-së ka qenë dhe është një ndër shkaqet kryesore që po frenon zhvillimin dhe daljen shpejt nga kriza e të gjithë sektorëve.

Kjo shoqërohet me kreditimin e pamjaftueshëm nga bankat e nivelit të dytë, me vetëm 1,5% të totalit të kredisë vjetore që ato japin, duke e rënduar më shumë situatën e financimit. Ligjit 38/2012 “Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor” i ka kaluar koha, i cili jo vetëm që nuk ndihmoi dhe nuk po ndihmon, por po e pengon procesin e kooperimit dhe koordinimit në të gjithë sektorët e ekonomisë së ushqimit.

Mungesa e një ligji për sigurimin e pronës dhe prodhimit në sektorët e ekonomisë së ushqimit është një mangësi serioze që po frenon veprimtarinë prodhuese dhe jo vetëm atë në këta sektorë”.

 

Si mund të zgjidhet problemi i fuqisë punëtore

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar sot konsiderohet një ndër barrierat kryesore të sipërmarrjes shqiptare. Sektorët e eksporteve si fasonët kanë deklaruar mungesën e 20,000 punonjësve, ndërsa në bare dhe restorante, vendet e lira për punë arrijnë deri në 15,000.

Nikelin Jaka thekson se anketat dhe indekset e vitit 2022 tregojnë se burimet njerëzore janë sfida kryesore me të cilën po përballen bizneset.

Sipas tij, sfida do të jetë edhe më e mprehtë në vitin 2023, në kushtet e rritjes së emigracionit.

“Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar ndihet në shumë sektorë të ekonomisë, sidomos atyre që punojnë në sektorët prodhues, në sektorin e fasonit, industrinë agropërpunuese, sektorin e turizmit etj., duke ndikuar në uljen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së produkteve/shërbimeve që ofrohen për tregun.

Mungesa e aftësive profesionale dhe mospërshtatja me nivelin e teknologjisë që po investohet nga shumë sipërmarrje ne Shqipëri, po bëhet shkak që modeli ekonomik që aspirojmë të ndërtojmë bashkë me qeverinë, rezulton të jetë i mangët, pasi mungon ende një koordinim ndërmjet tre aktorëve kryesorë Qeveri-Universitet-Biznes dhe mbetet sfidë e punësimit në Shqipëri.

Mungesa e një orientimi të tillë reflekton në konkurrueshmërinë e ekonomisë kundrejt vendeve të rajonit dhe po zbeh perspektivën për të ardhmen.

DHTI-Tiranë shton z. Jaka është në të njëjtin mendim me qeverinë për rritjen e pagës minimale në të gjithë sektorët e ekonomisë.

“Pagat dhe stimujt e tjerë motivues po zhvillohen nga të gjitha bizneset në mënyrë që punonjësit të ndihen të motivuar për punë. Por të jemi të ndërgjegjshëm që kjo barrë e rritjes së kostove për efekt të rritjes së pagës minimale të mos rëndojë vetëm te biznesi.

Edhe qeveria duhet të mbështesë sipërmarrjen, duke e shoqëruar me lehtësi fiskale dhe mbështetje financiare për kualifikimin dhe nxitjen e punësimit.

Nga ana tjetër, është e nevojshme që industritë prodhuese, duhet të mbrohen nga ekonomia informale dhe konkurrenca e pandershme ne treg”.

Ndër të tjera, z. Jaka thekson se biznesi kërkon që politika të ndërmarrë nisma konkrete për kualifikimin e fuqisë punëtore që t’u përgjigjet nevojave të tregut të punës.

“Një gjë duhet të kemi të qartë, sado i madh që mund të jetë numri i shkollave të kualifikimit profesional, ofruesi i rëndësishëm i kualifikimit është sektori privat, janë ndërmarrjet ato që ofrojnë pune dhe kurse të veçanta kualifikimi nëpërmjet praktikave, intershipeve dhe trajnimit në punë.

Qeveria duhet të krijojë lehtësi për të nxitur kompanitë që të punësojnë të rinj të kualifikuar sipas nevojave të tregut të punës, p.sh.-shteti të marrë përsipër të mbulojë pagesën e kontributit të sigurimeve shoqërore për tre vitet e para; bizneset të pranojnë për praktikë 6-mujore nxënës e studentë, ku shteti të mbulojë përsëri kontributin e sigurimeve shoqërore gjatë periudhës së praktikës së punës”, thekson ai.

Edhe për Bashkimin e Prodhuesve Shqiptarë, mungesa e fuqisë punëtore, sidomos asaj të kualifikuar është një çështje tepër e rëndësishme, që kërkon zgjidhje të menjëhershme.

“Mund të them se është problemi më shqetësues për komunitetin e biznesit në këtë kohë. Nuk është problem që rregullohet ‘me një të rënë të lapsit’.

Në radhë të parë duhet edukimi me punën. Këtu, rol të madh luajnë institucionet shtetërore me politikat përkatëse.

Modelet e vetëpunësimit dhe punësimet sezonale, vërtet që kanë ndikimin e tyre pozitiv, por nuk prodhojnë punonjës të kualifikuar. Vetëm punësimet në biznese të mëdha dhe ofrimet e shërbimeve cilësore mund të krijojnë punonjës të kualifikuar.

Mesa di unë, tashmë qeveria është në fazën përfundimtare të hartimit të një strategjie kombëtare të punësimit.

Sigurisht edhe kjo duhet të konsultohet dhe të ballafaqohet me grupet e ndryshme të interesit, në mënyrë që të sjellë rezultate pozitive”, nënvizon Aleko Polo.

Për sa u përket efekteve të rritjes së pagës minimale me 6,000 lekë nga 1 prilli 2023, përfaqësuesi i BPSH thotë se do të ndihet ndryshe, për fasha të ndryshme të biznesit.

“Te bizneset e mëdha, kjo rritje nuk do të ketë ndonjë efekt direkt, pasi tashmë këto biznese operojnë me paga edhe më të larta se sa paga minimale e pritshme.

Megjithatë, kjo do të krijojë presion edhe për rritjen e pagës mesatare, që në fakt është gjë e mirë. Te bizneset e vogla dhe të mesme, kjo rritje do të ketë efekt direkt në kosto, të cilën vështirë se mund ta parashikojmë tani për pasojat që mund të ketë.

Por një gjë e mirë është, se sipas premtimeve të qeverisë, kostot shtesë për sigurimet shoqërore do të mbulohen nga shteti”./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco