Banka Botërore: Rritja e sivjetme ekonomike në Kosovë, 3.7 për qind

Banka Botërore: Rritja e sivjetme ekonomike në Kosovë, 3.7 për qind

12:24, 25/04/2023

Banka Botërore tha se Kosova do të shënojë rritje ekonomike prej 3.7 për qind gjatë 2023-s, derisa një vit më parë, rritja ekonomike u tha se ishte 3.5 për qind.

Në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Banka tha se rritja e kostos reale të jetës për njerëzit e varfër në Ballkanin Perëndimor është më e lartë sesa sugjerohet në shifrat zyrtare. Aty u theksua se ekonomia kosovare ka shfaqur qëndrueshmëri, pavarësisht ngadalësimit të rritjes.

“Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, pavarësisht përballjes me pengesa të jashtëzakonshme ekonomike. Për të vazhduar përballimin e tronditjeve të shkaktuara nga goditjet e shumëfishta ekonomike, vendet mund të përfitojnë shumë duke vijuar zbatimin e reformave që nxisin produktivitetin në periudhë afatmesme, të tilla si përshpejtimi i integrimit rajonal, rritja e nivelit të konkurrencës në treg, tërheqja e investimeve me cilësi më të lartë dhe lehtësimi i barrierave që kufizojnë pjesëmarrjen, veçanërisht të grave, në tregun e punës”, ka deklaruar Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Banka tha se presioni i çmimeve të larta mund të shkaktojë ulje më të ngadaltë të varfërisë, pavarësisht përfitimeve të mundësuara nga programet qeverisëse për t’i zbutur efektet e krizës.

“Presionet mund të rriten në rast të përshpejtimit të inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes së ekonomive të BE-së përtej pritjeve të tanishme. Në këtë kontekst, është qenësore të ruhen rezerva të mjaftueshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve të papritura në mjedisin ekonomik, është shprehur Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

“Sipas raportit, faktorë të mundshëm me efekt kufizues në periudhat në vijim përfshijnë uljen e kërkesës së jashtme, e cila mund të ndikojë negativisht në të ardhurat nga eksportet dhe të reduktojë remitancat, dhe ngushtimin e hapësirës fiskale, e cila vazhdon të kufizojë mbështetjen që mund t’u ofrohet familjeve”, u tha në raport.

Banka Botërore tha se punësimi u tkurr më së shumti në sektorin e bujqësisë dhe në administratën publike gjatë 2022-s, ndërsa në sektorin e industrisë dhe në atë të shërbimeve u vu re gjithashtu një ngadalësim i rritjes së punësimit.

“Shkalla e punësimit arriti një rekord të lartë historik prej 47 për qind në shtator 2022, ndërsa më pas filloi të bjerë. Perspektiva afatmesme për Ballkanin Perëndimor mbetet pozitive, megjithëse është i nevojshëm zbatimi i reformave për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe për të adresuar sfidat kryesore strukturore”, thuhet në raportin e Bankës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco