Çmimet e produkteve bujqësore të vendit, konkurrojnë ato nga importi

Çmimet e produkteve bujqësore të vendit, konkurrojnë ato nga importi

08:56, 14/04/2023

Në jo pak raste, dhe në periudha të caktuara të muajve të fundit, ka pasur raste që çmimet e disa produkteve bujqësore të prodhuara në arat dhe kopshtijet e bujqve kosovarë, janë tregtuar me çmim më të shtrenjtë se sa produktet e njëjta që në tregjet e vendit kanë ardhur nga importi, madje nga shtetet shumë të largëta.

Gjatë tërë sezonit të dimrit, por edhe gjatë këtyre ditëve, në tregjet e gjelbra të Prishtinës, por edhe në mbarë vendin, çmimet e shumicës së produkteve bujqësore (perimeve, pemëve, miellit të misrit etj.) kanë qenë goxha konkurrente me çmimet e produkteve të njëjta që vijnë nga importi.

Në jo pak raste, dhe në periudha të caktuara të muajve të fundit, ka pasur raste që çmimet e disa produkteve bujqësore të prodhuara në arat dhe kopshtijet e bujqve kosovarë, janë tregtuar edhe me çmim më të shtrenjtë se sa produktet e njëjta që në tregjet e vendit kanë ardhur nga importi, madje nga shtetet shumë të largëta. Duhet theksuar si rast të veçantë të tregtimit me çmim enorm të lartë dhe përtej çmimeve importuese, gjatë këtyre muajve çmimin e qepëve, por edhe të patates, lakrave, në shumë raste edhe të mollëve, dardhës dhe miellit të misrit.

Të gjitha këto produkte i prodhojnë bujqit kosovarë, pra i “bënë” toka jona, e cila në shumicën e rajoneve të vendit është dëshmuar se është tokë e përshtatshme dhe e favorshme për kultivimin e qepës, patateve, perimeve të shumta dhe gjithsesi, misrit të të gjitha varieteteve, dhe këta muaj po dëshmojnë se fermerët tanë sikur nuk e kanë ndjesinë për këtë favor të veprimtarisë së tyre. Mbase të zhgënjyer nga e kaluara me vështirësitë dhe peripeci të panumërta rreth plasimit të këtyre produkteve në tregjet e vendit dhe përtej-drejt eksportit eventual, ata në vitet e fundit, dhe sidomos në vitin e kaluar, ia kthyen shpinën kultivimit të këtyre produkteve në sipërfaqen e zakonshme, duke tkurrur ndjeshëm pastaj “korrjen’ e frutave të këtyre produkteve. Prandaj, qepët nga Kosova në këta muaj e kanë çmimin nga 1,5-2 euro për një kilogram, dhe konkurrojnë pa dyshim denjësisht çmimin e qepëve të importuara nga Holanda, Austria, Polonia dhe vende të tjera.

Pak a shumë, të njëjtat rrethana vlejnë edhe për produktet e tjera bujqësore. Në këtë mënyrë, qepët, por edhe patatja në shumë raste, mielli i misrit e sallatat e gjelbra, janë bërë mall që nuk mund t’i blejë, pra t’i ketë secila familja kosovare, edhe pse dihet varshmëria e përgatitjes së ushqimeve në secilën shtëpi por edhe në kulinarinë kosovare.

Doemos që është jashtë çdo logjike të tregut, që në rrethanat kosovare, një kilogram qepë, në tregjet e Prishtinës të tregtohet 1,6 euro deri në dy euro (nëpër minimarkete, markete të mesme dhe supermarkete) dhe 1,3 deri në 1,5, 1,6, 1,7 euro në tregjet e gjelbra të kryeqytetit.

Para 1-2 muajsh, kilogrami i qepës ka pasur thuaja çmimin standard 50 centë në të gjitha tregjet. Një thes i vogël me qepë, që rëndom ka me vite që iu është ofruar konsumatorëve kosovarë nga shitësit e këtij produkti, qoftë në markete, qoftë në tregjet e gjelbërta, dhe që peshon pak a shumë 1,5 deri më së shumti 1, 8 kilogram, këto ditë është shitur nga 2 – 2,5 euro (në tregjet e gjelbra) dhe 2,5 deri në 3 euro nëpër të gjitha llojet e marketeve dhe të shitoreve që tregtojnë edhe produkte bujqësore. I njëjti thes me qepë, jo shumë javë më parë, kudo është tregtuar me çmimin 1 euro.

Pse kaq çmim i lartë? Këtë pyetje të Buletinit Ekonomik, një shitës te Tregu kryesor i gjelbër (te ndërtesa e RTK-së), pa hezituar fare përgjigjet shkurt: “S’ka qepë në Kosovë”. Ai vazhdon të plotësojë përgjigjen e tij duke theksuar se në treg shumica e qepëve janë nga importi, sepse ka kohë që bujqit e Kosovës, me gjasë i kanë shitur të gjitha stoqet e tyre. Ose, shton ai, ndonjë nga prodhuesit e vendit, me të vërejtur lëvizjen e çmimit të qepëve, pret ngritje edhe më të madhe të çmimit, për të fituar më shumë.

“Nuk do sot kush të punojë. Aq më pak të punojë tokën”, thotë një tjetër shitës në këtë treg, i cili i bashkangjitet bisedës.

“Nuk ka tokë në Kosovë që nuk e bën qepën. Pastaj, qepa nuk do shumë punë, as ujitje, as ndonjë repromaterial të kushtueshëm, por nuk duan njerëzit të punojnë tokën”, vazhdon të flasë tregtari në tregun kryesor të gjelbër të kryqytetit.

Qepët, në këtë mënyrë janë bërë goxha mall i çmueshëm për familjet e shumta të varfëra kosovare me çmimin e tyre, të përafërt me çmimin e domateve ( domatet në tregjet e gjelbërta të Kosovësë tani tregtohen kryesisht me 2 euro për kilogram), të cilat tani tërësisht vijnë nga importi.

Një tregtar i vjetër që me vite të tëra tregton pemë dhe perime në tregun prishtinas, i ka thënë Buletinit Ekonomik se “këto qepët e rrumbullakta dhe shumë të mëdha janë nga importi, madje kryesisht nga Austria dhe Holanda. Një copë e kësaj qepe ndodhë të peshojë mbi gjysmë kilogrami, e edhe afro një kile”, thotë ai.

Ai shpjegon se qepët e tjera, po kështu të rrumbullakta, por që janë shumë më të vogla se ato holandezet, janë të importuara nga Serbia. Sipas tij, megjithë hijeshinë dhe pamjen impozante të qepëve nga importi, ato vendoret janë më të mira dhe më të kërkuara nga blerësit.

“Qepët e Rahovecit nuk kanë kund shoqen”, prandaj kërkohen më shumë, thotë tregtari prishtinas që preferon anonimitetin.

Por, tani çmimi është bërë shumë i lartë për kosovarët, me fuqi të limituara blerëse. Dje çmimet e produkteve bujqësore në tregjet e gjelbra të kryeqytetit nuk ndryshonin edhe aq shumë nga ato të javëve të mëparshme. Një kilogram domate tregtohej nga 1,7 deri 2 euro, 1 kilogram spinaq kushtonte 1-1,5 euro, specat tregtoheshin me 2-2,5 euro dhe nga 3 euro për një kilogram, ndërsa trangujt kushtonin në 1,5 euro kilogrami. Edhe kilogram i miallit të misrit, i bluar në mullinjtë e Kosovës, siç e pohojnë shitësit, vazhdon të ketë çmimin enorm të lartë prej 1,3 eurosh, ndërsa mollët vendore, të cilësisë mesatare, sikur kanë standardizuar çmimin prej 50-60 eurosh. /Buletini Ekonomik/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco