Shporta e kosovarëve po rëndohet, shtrenjtohet mielli, çaji, sheqeri e kafeja

Shporta e kosovarëve po rëndohet, shtrenjtohet mielli, çaji, sheqeri e kafeja

16:30, 29/03/2023

Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur në Kosovë. Edhe këto ditë është vrenjtur një lëvizje e çmimeve tek disa produkte elementare. 

Në fakt janë shtrenjtuar artikujt që më së shumti përdoren nga kosovarët; mielli, çaji, sheqeri e kafeja.

Çmimi i disa produkteve ushqimore përsëri është rritur.  Mielli, sheqeri e kafeja janë disa nga artikujt që janë shtrenjtuar.

Aktualisht pesë kilogram miell janë duke u shitur me 3 euro e 58 cent, nga 3 euro 24 cent sa ishte ditë më parë.

Po ashtu edhe sheqeri është shtrenjtuar për disa centë. Ditë më parë pesë kilogram sheqer kanë kushtuar 5 euro e 12 cent, kurse tani çmimi ka shkuar në 5 euro e 33 cent.

Një rritje e çmimit është vërejtur edhe tek kafeja.

Për 500 gram kafe tani qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë 6 euro e 53 cent nga 6 euro 28 cent sa ishte ditë më parë.

Nuk ka mbetur pa u prek edhe produkti më i konsumuar nga kosovarët, çaji.

Qytetarët tash për 800 gram çaj duhet të paguajnë 9 euro 73 cent, derisa ditë më parë çmimi ishte 9 euro e 46 cent.

“Sheqer – Agrokor, Kristal , 5 kg, 5,33, 5,12 euro.  Kafe e bluar – Prince, 500 gr 6,53, 6,28 euro.  Miell gruri – Dellino e të tjera, 5 kg 3,58        3,24 euro. Çaj – Emona (paketimi me ngjyrë të kuqe) , 800 gr 9,73 9,46 euro”, thuhet në publikimin ditor që ka bërë Agjencia e Statistikave.

Se rritje të çmimeve ka pasur edhe gjatë muajit shkurt, e ka treguar ditë më parë ASK në raportin Indeksi i Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.

Në këtë raport është thënë se inflacioni  në Kosovë është 10.5 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 10.5% në muajin shkurt 2023, krahasuar me muajin shkurt 2022”.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (27.7%); qumësht, djathë dhe vezë (26.1%); vajra dhe yndyra (22.4%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (20.9%); bukë dhe drithëra (20.7%); mish ( 17.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (17.5%); energji elektrike (15.8%).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim për media pati thënë se kur qytetarët kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë. Sipas tij, kur qytetarët e një vendi shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri, kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat.

“Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale”.

E qeveria që drejtohet nga Albin Kurti deri më tani nuk ka bërë ndonjë veprim që të rregullojë mirëqenien e qytetarëve. Paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë 170 euro.

Kurse, agat mesatare është veç  432 euro, dhe llogaritet si më e ulëta në krejt shtetet e rajonit.

Sllovenia 1480 euro. Kroacia 1029 euro. Mali i Zi 721 euro. Serbia 668 euro. Bosnja dhe Hercegovina 602 euro. Maqedonia e Veriut 537 euro. Shqipëria 437 euro. Kosova 432 euro.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco