​ATK sfidohet me evazion fiskal, kërkon nga bizneset dhe këngëtarët të paguajnë tatimet

​ATK sfidohet me evazion fiskal, kërkon nga bizneset dhe këngëtarët të paguajnë tatimet

09:59, 25/03/2023

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje të të hyrave tatimore për rreth 25 milionë euro më shumë në muajt e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Megjithatë sfidë për këtë institucion tatimor mbetet evazioni fiskal.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj në intervistën për KosovaPress, ka folur për aktivitetet e ATK-së në luftimin e informalitetit, inkasimin e të hyrave tatimore dhe trajtimin e sektorit të estradës në aspektin tatimor.

Murtezaj ka theksuar se janë duke punuar në identifikimin dhe krijimin e të dhënave për individ apo biznese, si hotele dhe restorante, që kanë krijuar fitime kapitale, por që nuk i kanë paguar tatimet.

Ai u bëri thirrje edhe këngëtareve dhe grupeve muzikore që nuk i kanë raportuar tatimet, të paguajnë të hyrat e tyre.

“Dua të bëj thirrje që ta deklarojnë të gjithë ata të cilëve nuk ju ka filluar procesi i kontrollit tek këngëtari, grupi muzikor apo cilitdo aktivitet tjetër që të deklarojnë të hyrat reale. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe në trajtimin e fitimeve kapitale, kategori kjo e të hyrave të cilat në të kaluarën është raportuar, por jo në përmasat që kanë qenë të dhënat reale. Pra, në këtë drejtim jemi duke punuar në identifikim dhe krijim të te dhënave për inidivid apo bizneseve që kanë krijuar fitime kapitale dhe të cilat nuk kanë raportuar apo nuk kanë paguar tatimet”, tha Murtezaj.

Drejtori i ATK-së, ka pranuar se ka informalitet në Kosovë, por që sipas tij, janë në përpjekje për ta ulur këtë dukuri.

“Ne e dimë që ka informalitet ende në masë të konsiderueshme, por duke ju referuar digjitalizimit të procesit të punës në ATK nga dita në ditë ky informalitet po zvogëlohet, pra po minimizohet ose po zvogëlohet mundësia e informalitetit për shkak të avancimeve digjitale të ATK-së, pra krijimi i softuerëve të ndryshëm të cilët duke i gërshetuar informatat e ndryshme nga burime të ndryshme që vijnë, vënë në pah të gjitha rastet kur kemi informalitet. Kjo i referohet edhe faktit të inspektimeve që kemi pasur gjatë vitit të kaluar, shembull në sektorin e gastronomisë, në kuadër që hyjnë hotelet, restorantet, këngëtarë, grupe muzikore e të tjera dhe e dimë se gjatë gjithë vitit të kaluar përveç inspektimeve dhe komunikimeve të vazhdueshme që kemi pasur përmes takimeve të ndryshme, ne kemi vazhduar të bëjmë thirrje që të deklarojnë dhe të paguajnë secili këngëtar apo grup muzikor të hyrat që ata vërtetë i realizojnë dhe të paguajnë tatime. Kjo ka bërë që të ketë rritje të formalizmit, rritje të deklarimit të te hyrave të tyre nga rreth 10 milionë euro që ishte në vitin 2021 në mbi 21 milionë euro në vitin 2022 si dhe rritje të pagesës të tatimeve nga 800 mijë euro në rreth 2 milionë euro”, tha Murtezaj.

Drejtori Murtezaj thekson se falë reformave të shumta që kanë bërë është rritur performanca e ATK-së.

“ATK është duke vazhduar me një performancës të shkëlqyer në realizimin e të hyrave tatimore dhe në këtë periudhë dymujore të këtij viti vazhdon që ATK-ja të ketë rritje që është 19.6 për qind në raport me vitin e kaluar. Pra, nëse krahasohet me këta dy muaj, afër 150 milionë euro, që është për rreth 25 milionë euro më tepër se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Kjo tregon se ATK-ja po vazhdon të ketë rritje nga viti në vit. E dimë se vitin 2021 kishim një rritje rreth 28 për qind, 2022 ishte 21 për qind dhe tani sërish vazhdon të jetë rreth 20 për qind. E gjithë kjo falë rritjes së aktiviteteve tona, formalizmit të sektorit privat, por në të njëjtën kohë edhe iniciativave të ndryshme që kanë qenë nga qeveria në drejtim të formalizmit të punonjësve por edhe zhvillimi ekonomik”, theksoi Murtezaj.

Murtezaj po ashtu ka thënë se për ata që nuk paguajnë tatime, janë të obliguar të përdorin masa të ndëshkimit.

“Gjithsesi kjo nuk është ajo që të dhënat tona zyrtare që kemi siguruar nga kanalet e ndryshme të informatave që tregon se ata kanë përmbushur detyrimet tatimore dhe kjo bënë që ne tash të shfrytëzojmë metodën alternative ose metodën tjetër të cilën rasteve të cilat nuk i janë bindur thirrjeve tona, nuk janë vetëdijesuar në deklarim te të hyrave të tyre të aplikojmë formën e kontrollit ose mjetin e kontrollit përmes të cilit po prodhohen rezultate që janë jashtëzakonisht evidente”, thotë mes tjerash Murtezaj.

Ndër të tjera, Murtezaj ka thënë se kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit të deklarimit të rregullt të te hyrave. Ai kërkoi nga secili biznes apo qytetar ta bëjnë deklarimin në afatin e rregullt duke i paguar saktë detyrimet dhe të hyrat tatimore në mënyrë që t’i shmangen ndëshkimeve që ATK është e obliguar t’i aplikojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco