Monedha 2 euroshe, problematike në Kosovë

Monedha 2 euroshe, problematike në Kosovë

09:00, 16/02/2023

Dyshohet tashmë nga shumëkush- individë dhe subjekte juridike (shitore tregtare dhe kompani shërbimesh), për falsifikimin e shumtë numerik të monedhës 2 euroshe. Dhe shih për këtë dyshim, tani një kohë ka nisur edhe të refuzohet së pranuari nga shumë subjekte tregtare dhe shërbyese, por edhe nga qytetarë kosovarë, të ndikuar më shumë nga disa deklarata publike të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike shërbyese që ndodhën kohët e fundit.

Monedha me vlerë dy euro, e cila realisht është shumë e përdorshme në pothuajse shumicën e transaksioneve tregtare, sidomos në shitjen me pakicë në Kosovë, por edhe në kryerjen e shumë shërbimeve, ka javë, e mbase edhe muaj që është bërë problematike.

Dyshohet tashmë nga shumëkush- individë dhe subjekte juridike (shitore tregtare dhe kompani shërbimesh), për falsifikimin e shumtë numerik të kësaj monedhe. Dhe shi për këtë dyshim, tani një kohë ka nisur edhe të refuzohet së pranuari nga shumë subjekte tregtare dhe shërbyese, por edhe nga qytetarë kosovarë, të ndikuar më shumë nga disa deklarata publike të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike shërbyese që ndodhën kohët e fundit.

Më konkretisht, para dy ditësh, nëpërmjet ekranit të një shtëpie televizive të Kosovës, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, njoftoi duke ngulmuar se kompania të cilën ajo e përfaqëson, ka vendosur tash e sa ditë që të mos e pranojë në asnjë mënyrë monedhën 2 euroshe për pagesë nga klientela për shërbimet që kryen kjo kompani. Të nesërmen e këtij njoftimi, në autobusin urban numër 4 të kryeqytetit, që qarkullon në linjën nga Pishina e Gërmisë deri në Matiqan, dhe anasjelltas, duke përshkuar thuaja gjithë kryeqytetin, reporterit të Buletin Ekonomik i rastisi të shohë një skenë jo fortë të këndshme ndërmjet konduktorit dhe një udhëtarjeje, grua në moshë të mesme, që së paku me imazhin e saj nuk përngjasonte fare në ndonjë falsifikatore. Në kërkesën e konduktorit për të marrë biletën e udhëtimit, udhëtarja i ofron paratë e kërkuara, mirëpo konduktori pa një pa dy ia kthenë 2 euroshin udhëtares, duke i thënë se kjo monedhë është e falsifikuar. Udhëtarja e urbanit, që u ndie në njëfarë mënyrë keq, ia ofron sërish një monedhë tjetër, prap 2 euroshe dhe sërish konduktori ende pa e shkikuar mirë ia kthen duke e konstatuar edhe këtë si para të falsifikuar. Udhëtarja tani në siklet, me ndihmën edhe të ndonjë udhëtari mezi i bëri 50 centë për biletën.

Me të përfunduar kjo skenë, një udhëtar tjetër, në dukje serioz, që pokështu kishte rastisur të jetë shumë pranë ulëseve ku u zhvillua kjo skenë, me gjakftohësi e pyeti konduktorin, si e vlerësoni ju falsitetin e monedhës, në këtë rast të 2 euros, kaq lehtsisht dhe pa ndonjë ekspertizë të qëndrueshme, ose pa verifikimin e saj nëpërmjet aparatit përkatës. Konduktori, jo shumë bindës, ia ktheu se monedha e falsifikuar është më e lehtë dhe ka ca vija. Por dialogu në autobusin numër katër pasditën e 12 shkurtit nuk u ndal me kaq. Udhëtari që i bëri fillimisht pyetjen konduktorit insistoi që ta dijë se si me dorë të lirë mund të dallojë njeriu peshën më të rëndë dhe më të lehtë të monedhës, kur diferencën eventuale të peshës së monedhës e ka të vështirë ta konstatojë edhe peshorja e barnatorës. Kjo pyetje mbeti pa përgjigjen e konduktorit.

Po me 12 shkurt në një furrë buke, një konsumatore nuk pranoi të marrë kusurin në monedhën 2 euro, dhe në vend të saj kërkoi nga furrëtari që vlerën prej dy eurosh t’ia jap të ndarë nga një 1 euro. Po e njejta skenë u zhvllua të njëjtën ditë, pak çaste më pas, edhe te arka e një vetëshërbimi të madh në kryeqytet. Dhe, këto zhvillime, në disa raste edhe të pakëndshme fare, sepse të vëhet në siklet një person (siç ndodhi me udhëtarën e urbanit) pa asnjë faj të vetin nuk është hiç gjë e mirë. Siç rrëfyen shumë veta, pastaj, këto ngjarje nuk kanë ndodhur vetëm më 12 shkurt. Ato, praktikisht ka kohë që kanë zënë të ndodhin, ose më saktësisht qëkur zyrtarët e kompanive të ndryshme tonat, sikundër ndodhi edhe me njoftimin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal, janë deklaruar për mos pranimin e monedhës 2 euroshe si mjet pagese.

Me fjalë të tjera, në mungesë të një njoftimi më kompetent, qoftë edhe me shpjegime më të detajuara, të subjekteve që kanë obligim të monitorojnë qarkullimin e monedhave të falsifikuara, siç janë Banka Qendrore e Kosovës dhe Policia, është e mundshme të ndodhin këto skena. Po të kishte shpjegime të mjaftueshme për falsitetin eventual të kësaj monedhe dhe të tjerave, sikundër edhe të bankënotave eventuale, do të kishte shumë më pak raste të vlerësimit të falsitetit të monedhës nga konduktori, por edhe nga konsumatori dhe qytetari i rëndomtë.

Ndërsa, rasti i veprimit të Ujësjellsit Rajonal “Prishtina” është fare eklatant dhe i pashembulltë në praktikat e deritashme të transaksioneve të pagesave jo vetëm në vendin tonë. Ta shpallë të papranueshme monedhën zyrtare një kompani ujësjellësi është ‘non-sens’ dhe fare e pakuptueshme dhe e pakapshme në logjikën e funksionimit të një shteti. Sepse, Kosova ka institucione tjera kompetente për ta shpallur të papranueshme një monedhe, ka BQK-në, që do të duhej të reagojë dhe ta marrë situatën në dorë, duke evituar urgjentisht anarkinë në këtë fushë. S’ka më anarki se kujt t’i teket të shpallë të papranushme valutën zyrtare të vendit të tij.

BQK-ja, duhet pa humbur kohë, të deklarohet se si do ta zgjedhë këtë problem, që domosdo ka zgjidhje. Duhet të deklarohet se a ka aparate që do të zbulonin falsitetin e monedhës dhe nëse ka, të rekomandojë pajisjen e tregtarëve dhe të kompanive shërbyese të vendit. Ndryshe, do të vazhdojë anarkia në qarkullimin e dy eurove, siç ka nisur këtyre ditëve. BQK-ja, fundja e ka obligim ligjor të bëjë këtë. Dhe, nuk duhet pritur më të thellohet problemi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco