SYRI TV/ Miliarda të tjera shqiptare për oligarkun e Putinit, mori 20 mln € nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit

13:02, 26/01/2023

Përveçse kontratave për ndërtimin e hidrocentralit të Shushicës dhe plantacionit me fruta në Karavasta, oligarku rus Oleg Deripaska ka përfituar edhe 20 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit përmes 3 tenderave. Edhe pse Deripaska nuk kishte ofertën më të ulët, ai u shpall fitues nga qeveria shqiptare. Marrëveshjet u lidhen pasi oligarku rus u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Thesarit për lidhjet e tij me regjimin e Vladimir Putinit

SYRI TV

Maxhoranca socialiste po mundohet të minimizojë faktet skandaloze, të cilat zbuluan se qeveria “Rama” i ka bërë oligarkut të Putinit, Oleg Deripaska, me kontrata preferenciale. Damian Gjiknuri deklaroi me ironi se një miliarder rus paska shprehur interes për plantacion frutash në Karavasta. “Syri Televizion” zbuloi se një kompani shqiptare, me pronar fundor Deripaskën, është shpallur investitor strategjik në vitin 2018 për një plantacion 800 hektarë në Karavasta, si edhe në vitin 2017, ka fituar kontratë koncesionare me ministrinë e Infrastrukturës së drejtuar në atë kohë nga Damian Gjiknuri, për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Shushicë.

Por nuk mbaron me kaq. Të dhëna të tjera tregojnë se kompania shqiptare “Trema Engieenering 2”, e kontrolluar nga shoqëria austriake “Strabag AG”, edhe kjo e fundit në pronësi të Oleg Deripaska, ka përfituar edhe të paktën tre kontrata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me vlerë totale rreth 20 milionë euro.

Kontratat janë fituar gjatë periudhës 2020-2021, në një kohë që Oleg Deripaska ishte sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit për lidhjet e tij me regjimin e Vladimir Putinit. Dokumentet zyrtare tregojnë se Fondi Shqiptar i Zhvillimit, nën drejtimin e Dritan Agollit, në prill të vitit 2020, ka shpallur fitues kompaninë “Trema Engieenering 2” në tenderin me fond rreth 2 milionë euro për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturor të Bashkisë së Shijakut, në kuadër të procesit të Rindërtimit.

Gjatë vitit 2021, kompania “Trema Engieenering 2” është shpallur fituese e tenderave për rikonstruksionin e rrjetit rrugor në aksin Peshkëpi-Selenicë në Vlorë dhe rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit Korçë-Përrenjas, me vlerë totale rreth 18 milionë euro. Në dy prej këtyre procedurave rezulton se “Trema Engieenering 2” nuk ka pasur ofertën më të ulët.

Gjithashtu, kompania shqiptare e oligarkut rus është projektuese e fshatit turistik “Thymos” në Himarë. Këshilli i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e Edi Ramës, miratoi në Tetor 2019 lejen e ndërtimit për resortin “Thymos”, me investitor biznesmenin shqiptar, Ilir Trebicka, i cili më herët ka qenë ortak me Oleg Deripaska.

Emri i miliarderit rus u shfaq në hetimet që po zhvillohen në Amerikë kundër ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal. Zyrtari i lartë i FBI-së akuzohet në dy procese të ndara për favorizimin e oligarkut rus, Oleg Deripaska, si edhe për korruptim nga persona të lidhur me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco