Thellohet deficiti tregtar më 13.8 për qind

Thellohet deficiti tregtar më 13.8 për qind

10:21, 26/01/2023

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.8% në muajin dhjetor 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 449.4 milion euro, krahasuar me deficitin prej 394.9 milion eurosh në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me vetëm 13.8%.

Kjo është bërë e ditur nga të dhënat e fundit të publikuara nga  Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2022.  

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2022 kishte vlerën 72.0 milion euro, ndërsa importi 521.5 milion euro, që është një rritje prej 10.8% për eksport dhe 13.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas të dhënave të ASK-së, grupet kryesore të eksportit 20.2% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 16.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11.4% e përbëjnë produktet minerale; 9.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.5% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; 5.4% e përbëjnë makineria, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.8% e përbëjnë produktet minerale; 12.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.0% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.2% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 5.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 19.1 milion euro, ose rreth 26.5% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (9.2%), Italia (4.5%), Holanda (3.2%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 217.2 milion euro, ose 41.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3.2%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.6%), Italia (5.4%), Greqia (3.9%), Sllovenia (3.8%), etj.

Në muajin dhjetor 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 29.6 milion Euro, ose 41.2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.8%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16.6%), Shqipëria (13.4%), Serbia (5.4), dhe Mali i Zi (4.7%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin dhjetor 2022, arritën në 92.7 milion Euro, ose 17.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 16.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.8%), Shqipëria (5.5%), dhe Maqedonia e Veriut (4.9%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 23.2 milion Euro, ose 32.3%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden SHBA me 15.7% dhe Zvicra me 8.2%./Indeksonline/

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 211.5 milion Euro, ose 40.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (18.2%) dhe Kina (9.3%).

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco