​Dedaj: Kosova synon eksporte një miliard euro deri në fund të vitit 2022

​Dedaj: Kosova synon eksporte një miliard euro deri në fund të vitit 2022

20:10, 28/09/2022

Kosova po bëhet vazhdimisht atraktive për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe në rritjen e eksporteve në tregjet e vendeve të tjera evropiane.

Kështu theksoi Zef Dedaj drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) gjatë Panelit të dytë të konferencës rajonale, me temë: “Çfarë ofron Kosova dhe vendet e rajonit për investitorët?”.

Sipas Dedajt në periudhën janar-qershor të këtij viti, 39 për qind janë më të larta investimet e huaja se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Dedaj në konferencën rajonale të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë sot në Prishtinë, tha se deri në fund të vitit pritet vlera e eksporteve të arrijë deri një miliard euro.

“Për gjashtë mujorin e parë ka rezultuar që t’i kemi 312 milionë euro investime apo 39 për qind rritje për 6-mujorin e parë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në vitin e kaluar, Kosova ka pasur rritje 22 për qind të investimeve ose më pak se 500 milionë. Nëse i referohemi statistikave është një tendencë e rritjes së investimeve që deri në fund të vitit të kemi një rritje signifikante të investimeve. Po ashtu, vitin e kaluar kemi pasur 714 milionë euro vlerë të eksportit, ndërsa për gjysmën e parë të këtij viti kemi 526 milionë euro. Edhe këtu ka tendencë që deri në fund të vitit t’i afrohemi vlerës 1 miliard”, theksoi ai.

Në këtë konferencë rajonale ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, partnerë e organizata vendore e ndërkombëtare, dhe përfaqësues të bizneseve nga të tri vendet, Dedaj tha se Kosova ka taksat më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit.

Në këtë panel, edhe Dragana Shofranac, menaxhere e Projektit në Odën Ekonomike të Malit të Zi tha se shteti tyre ka taksa favorizuese për investime të huaja.

“Ne jemi ekonomi e vogël dhe asetet financiare potenciale nuk janë të mjaftueshme për të financuar investimet vetëm nga ana jonë… Por, ne kemi taksën më të ulët të korporatave që është 12 për qind profitabile, kemi po ashtu indikatorë të tjerë lehtësues për investitorët e huaj në procesin e prodhimit”, tha ajo.

Sipas saj, në sektorin e turizmit ka klimë të favorshme për investime në Mal të Zi.

Edin Fakiq, udhëheqës i sektorit për kujdes për klientë dhe investitorë në Maqedoninë e Veriut, tha se në shtetin e tij ka rritje të investimeve të huaja për shkak të një imazhi të mirë dhe lehtësirave të shumta.

Për këtë ai tha se Kosova dhe Shqipëria po përpiqen të marrin shembull klimën e favorshme për investime nga Maqedonia e Veriut.

“Natyrisht se investitorët po vijnë nga Kosova, Mali i Zi, të cilat i konsiderojmë se janë nga rajoni. Një pjesë e shteteve të Evropës janë atraktive për investime në shtetin tonë për shkak të shpenzimeve të lira, dhe taksave të ulëta, si dhe kemi krijuar kushte për ardhjen e investitorëve të huaj. Shqipëria dhe Kosova po përpiqen të marrin si shembull Maqedoninë Veriore si garuese. Kështu që kërkojmë bashkëpunim me Kosovën, me Shqipërinë dhe Malin e Zi”, tha Fakiq.

Ndërsa, në panelin e tretë me temën “Dhomat dhe sfidat e përkrahjes së bizneseve” në kuadër të konferencës rajonale, Nebi Hoxha president i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, ka thënë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, megjithëse ende ka ngecje në ndërtimin e infrastrukturës rrugore nga ana e Shkupit në drejtim të kufirit me Kosovën.

Përkundër kësaj, ka një ngritje të hovshme të këmbimeve tregtare midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ky bashkëpunim në vite me radhë, ka qenë edhe më i lartë, por në vitet e fundit shohim një ndryshim të këmbimit tregtar Maqedoni-Kosovë dhe statistikat e fundit për 6-mujorin e këtij viti një ngritje të hatashme të eksportit të Kosovës në Maqedoni. Janë rreth 200 milionë euro eksporti i mallrave nga Maqedonia në Kosovë dhe import rreth 80 milionë… Problemet që shfaqen në bashkëpunimin rajonal, ku ne si odë gjithmonë kemi apeluar, janë përveç çështjes së qasjes së qeverive tona, është edhe problemi i infrastrukturës që na lidh vendet tona. Kosova ka bërë një punë të madhe sa i përket infrastrukturës rrugore, e cila ka një autostradë moderne, ndërsa nga ana tjetër Maqedonia, për një pesë shumë të vogël ka ngecur dhe ende nuk është në gjendje ta realizojë”, tha Hoxha.

Ai në fokus pati edhe edukimin e kuadrove të reja profesionale, që sipas tij nuk janë të mjaftueshme në rajon.

Në këtë konferencë, Skënder Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka thënë se vendet e rajonit duhet të jenë më të unifikuara për të pasur zhvillim ekonomik dhe rritje të shkallës së punësimit në rajon.

“Falë këtij bashkëpunimi, ne edhe me odat e tjera të vendeve të rajonit, shumë probleme të bizneseve i kemi zgjidhur, siç e përmendi z. Hoxha rastin e fundit ku ne si Kosovë kemi arritur falë përkrahjes së Odës së Maqedonisë të jemi pjesë e Forumit botëror ekonomik, por edhe ne kur ka pasur nevojë Oda e Maqedonisë, i kemi dalë në përkrahje, me rastin e bllokimit të maunave nga ana e Maqedonisë ku bizneset janë ankuar për taksën 1000 euro për një maune, dhe ne brenda dy ditësh e kemi zgjidhur këtë problem. Besojmë, që edhe me Malin e Zi, meqenëse është takimi i parë do të kemi bashkëpunim më të mirë duke i zgjidhur problemet, në mënyrë që të jemi ofertues dhe më unifikues për rritjen e prodhimeve, punësimit dhe rritjen e mirëqenies tonë dhe që të kemi qasje në tregun evropian dhe më të fuqishëm”, tha Krasniqi.

Sa i përket odave, Krasniqi tha duhet krijohet infrastruktura ligjore për punën e dhomave të tregtisë.

Ndërsa, Mladen Peraziq, drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën Ekonomike të Malit të Zi theksoi se vendet e rajonit duhet të investojnë më shume në edukimin dhe aftësimin profesional, në mënyrë që mos të ikin të rinjtë në vendet perëndimore.

Ndërsa, prodhuesit vendorë pjesëmarrës në këtë konferencë, veçanërisht prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit kërkuan nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut heqjen e barrierave tarifore dhe doganore, dhe të krijohen lehtësira për qarkullimin e këtyre mallrave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco