Guvernatori i BQK-së thotë se u ngadalësua rritja ekonomike, sivjet do të jetë rreth 3 për qind

Guvernatori i BQK-së thotë se u ngadalësua rritja ekonomike, sivjet do të jetë rreth 3 për qind

16:50, 28/09/2022

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti ka thënë se ka ngadalësim të rritjes ekonomike në vitin 2022.

Në Komisionin për Buxhet dhe Financa, Mehmeti, tha se parashikimet gjatë këtij viti janë diku rreth 3 për qind. Kjo sipas tij po ndodh për shkak të dobësimit të fuqisë blerëse, zvogëlimit të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto.

Duke raportuar para deputetëve, Mehmeti tha se BQK-ja është e kufizuar edhe në marrjen e vendimeve sa i përket stabilizimit të çmimeve të produkteve, të cilat janë rritur për shkak të inflacionit.

“Rritja e lartë e aktivitetit ekonomik e realizuar në vitin 2021 pritet të ngadalësohet në vitin 2022 dhe parashikimet tona janë që të jetë diku rreth 3 për qind. Ngadalësimi i rritjes ekonomike pritet të jetë kryesisht pasojë e rritjes më të ulët të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto. Përderisa rreziqet nga pandemia janë zvogëluar, rritja e rimëkëmbjes ekonomike pritet të ngadalësohet nga pasojat e tashme të dy krizave, e para është pengesat ende evidente nga zinxhiri i furnizimit nga pandemia dhe presioni shoqëruese të inflacionit të kombinuara me efektet e kombinuara të luftës në Ukrainë që e përforcojë edhe më tej rritjen e çmimeve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e besueshmërisë”, theksoi Mehmeti.

Pikërisht për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve, deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi hapa konkret nga BQK-ja.

“Në raport thuhet se BQK-ja mbetet e kufizuar në marrjen e politikave për efekte të stabilizimit të çmimeve. A mund të na thoni pse e keni këtë përkufizim që keni probleme në marrjen e hapave të tjerë në politikave e stabilizimit të çmimeve”, tha Shala.

Mirëpo, guvernatori Mehmeti tha se inflacioni në Kosovë është i importuar dhe çdo masë e tyre vetëm do të pengonte rritjen ekonomike.

“Çdo masë e marrë në këtë drejtim neve na qon vetëm në stagflacion, pra ka shumë efekte dhe pengon rritjen e aktiviteteve ekonomike në vend. Përderisa inflacionin e kemi të importuar nga jashtë faktikisht me rritjen e përqindjes së rezervës të detyrueshme ne shumë pak do të mund të bënin në këtë drejtim dhe anën tjetër dëmi do të ishte i madh sa i përket pengesës që do të kishte në rritjen ekonomike në vend”, shtoi Mehmeti.

Nga ana tjetër, kritike karshi BQK-së u shpreh deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci.

Ajo tha se paralajmërimi për rritje të interesit për kreditë ekzistuese dhe ato të ardhshme është e dëmshme për ekonominë familjare, bizneset e vogla dhe të mesme.

“Thuhet që BQK-ja ka paralajmëruar rritje të interesit që do t’i prek kreditë e ardhshme, por edhe kreditë ekzistuese. Nëse i analizojmë disa prej indikatorëve, shohim se ky është një sektor me një profit pozitiv dhe të lartë. Vetëm në shtatë muajt e vitit 2022 ka profit neto diku 83 milionë, që krahasim me vitin e kaluar ka qenë 66.3 milionë. Kjo ndodh pa e prek normën e interesit, mirëpo vetëm përmes lëvizjeve që kemi diskutuar që kanë të bëjnë me tarifat dhe ndryshimet e çmimeve të sistemit bankar”, tha Statovci.

Duke iu përgjigjur komentit të deputetes së mazhorancës, Mehmeti tha se janë duke punuar që të ruhet norma e tanishme e interesit. Mirëpo sipas tij, Kosova është ekonomi e hapur, ku oferta dhe kërkesa përcaktojnë çmimet.

“Jemi duke punuar në drejtim të asaj që të ruajmë normën e interesit, por ju e dini se Kosova është ekonomi e hapur edhe me Kushtetutë, ku oferta dhe kërkesa janë ato që përcaktojnë çmimet”, shtoi ai.

Lidhur me këtë kritik u shprehën edhe deputetët e tjerë, anëtarë në këtë komision. Pas raportimit, komisioni vendosi që raportin për BQK-në gjatë vitit 2021 ta përcjellë në seancë plenare për votim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco