VIDEO-SYRI TV/ Kosto gjigante: 22 milionë euro për 5 km rrugë fushore

11:32, 23/09/2022

Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpenzojë rreth 22 milionë euro për zgjerimin e aksit Labinot Fushë-Mirakë, një kosto tejet e fryrë për vetëm 5 km rrugë fushore. Ndërkohë Autoriteti i drejtuar nga Evis Berberi do të alokojë edhe 10 milionë euro shtesë edhe për Rrugën e Arbrit

SYRI TV

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur të shpenzojë rreth 22 milionë euro për zgjerimin e aksit rrugor Labinot Fushë-Mirakë, me një gjatësi 5 kilometra dhe që kalon i gjithi në një terren fushor.

Investimi përbën lotin e parë të projektit për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Këtë mesjavë, institucioni i drejtuar nga Evis Berberi, ka shpallur procedurën me fond limit 25 miliardë lekë të vjetra ose rreth 21.5 milionë euro.

Në dokumentet e tenderit tregohet se gjatësia e rrugës që do të zgjerohet është 5060 metra linearë. Ajo kalon në një terren fushor dhe do të ketë vetëm një urë rreth 23 metra, si edhe dy nënkalime të vogla, për banorët e zonave rurale në Mirakë.

Vepra publike ka vështirësi të vogël, pasi terreni është normal dhe nuk ka vepra arti të ndërlikuara. Ndaj, kostoja e përllogaritur në 4.5 milionë euro për kilometër konsiderohet tejet e fryrë.

Ndërkohë, ARRSH ka shpallur edhe një tender tjetër, me vlerë 9.6 milionë euro, për sistemimin e skarpateve në zonën e quajtur Shkalla e Tujanit, në hyrje të Rrugës së Arbrit. Kjo rrugë ka thithur dhjetëra milionë euro deri më tani, por përfundimi i saj duket ende larg.

Në 29 nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama ishte pjesë e një feste me daulle për inaugurimin e Rrugës së Arbrit. Por, menjëherë pas përfundimit të spektaklin, rruga u mbyll sërish nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, për të vijuar punimet, të cilat nuk dihet se kur do të mbarojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco