Skandaloze/ Shteti lejon në heshtje kazinot e bastoret e paligjshme në Kosovë

Skandaloze/ Shteti lejon në heshtje kazinot e bastoret e paligjshme në Kosovë

09:54, 16/07/2019

Edhe pse me 10 maj 2019 u ndalua me ligj, biznesi i cili mori jetën e disa personave, zbrazi xhepat e qytetarëve, krijoi probleme familjare e vend ku shpërlaheshin parat, po vazhdon pa probleme punën në kryeqytet.

Fjala është për lojërat e fatit ose ndryshe bastoret.

Pikat e bastoreve që dikur ishin në çdo cep të kryeqytetit, tani kanë filluar të integrohen nëpër lokale të ndryshme, ku mundësia për dyshimin e organeve të sigurisë është e vogël.

Ligji i cili hyri në fuqi muaj më parë e nuk po përfillet nga pronarët e këtyre bizneseve, ndalonte funksionimin e lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm, duke shfuqizuar edhe ligjin e deritashëm për lojërat e fatit.

Mirëpo qytetarët e Prishtinës, edhe pas mbylljes se disa prej pikave të këtyre bizneseve, nuk e kanë pasur problem të gjejnë mundësi për të luajtur.

Ata kanë mundësi, që në disa prej pikave të fshehta të mbushin llogaritë e krijuara në sistemin online.

Rastet e evidentuara nga “Syri.net Kosova” në Prishtinë, tregojnë disa prej këtyre bizneseve të cilat po e shfrytezojnë këtë mundësi, e të cilat gjenden në rrugët Ali Vitia (Kalabri), Fehmi Agani(Te Qafa), Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Ilaz Kodra(Dardani), dhe Mati 1.

Image

 

Ndërsa duke pasur qasje në njërën nga këto faqe të cilat operojnë online, vërehet se vetëm njëra nga këto kompani në gjithë Kosovën, ka mbi 30 lokacione aktive, ku mund të deponohen të holla, mirëpo pa treguar detaje për lokacionet.

Image

Në pyetjen për ATK-në, se sa  janë në dijeni për këto raste dhe çfarë masash do të merren ndaj tyre, Valentina Bytyçi- Sefa nga ATK për “SyriKosova” konfirmon, se nga data 10 Maj 2019, ky institucion nuk ka kompetenca në lidhje me operimin e këtyre bizneseve.

“Me shfuqizimin e këtij ligji, shfuqizohen edhe kompetencat që ka pasur ATK për monitorimin dhe licencimin e subjekteve që kanë ushtruar veprimtarin e lojërave të fatit. Dhe pas datës 10 Maj çdo subjekt i cili nuk i përmbahet Ligjit 06/L-155 i cili ndalon aktivitetin e lojërave të fatit, do të merren organet e rendit dhe të drejtësisë.”

Ndërsa në një përgjigje për “Syri.net Kosova” Zyra për Komunikim e Policisë, për këto raste ka kërkuar që t’i adresohemi organeve kompetente për inspektimin e këtyre lokaleve.

“Policia e Kosovës si institucion i sigurisë në bashkëpunim me institucionet tjera si Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës përmes planit operativ të realizuar kohë më parë për lojërat e fatit, ka ndërrmarë të gjitha veprimet konform autorizimeve policore. Policia e Kosovës bazuar në ligj, identifikon të gjithë shkelësit e ligjit dhe të njëjtit do të trajtohen sipas procedurave të parapara,“ thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim të Policisë.

Policia bashkë me inspektorët e ATK-së dhe Doganës ditëve të fundit kanë zhvilluar disa aksione të ndryshme në qytete të ndryshme të Kosovës, ku u arrestuan disa persona dhe u konfiskuan aparatet përcjellëse, mirëpo asnjë nuk ndodhi në kryeqytet.

Rastet e fundit u evidentuan në Gjakovë ku veprimtaria e lojërave të fatit zhvillohej në një ëmbëltore , duke vazhduar në Podujevë e Viti.

“Syri.net Kosova”, merr vesh se përveq këtyre pikave të fshehura, personat që merren me këtë llojë biznesi, aktivitetin e tyre e kanë zbarkuar në zona të sigurta, në zonën neutrale në kufi me Serbinë.

Se a ekziston mundësia e bllokimit të lojerave të fatit Online për “Syri.Net Kosova” ka folur njohësi  i fushës së kibernetikës Dardan Gërbeshi.

Ai konfirmon se mundësia ekziston dhe  është shumë i lehtë bllokimi nga ana e shtetit.

"Sa i përket aspektit teknologjik, egziston mundësia e bllokimit të Web Faqeve të caktuara të cilat operojnë si lojëra të fatit në internet. Shumë shtete bëjnë bllokimin e çasjes së WebFaqeve për aryse të ndryshme dhe e njejta mund të bëhet edhe me lojërat e fatit.

Sipas Gërbeshit, zakonisht bllokimi i çasjes bëhet përmes ISP dhe në këtë mënyrë vetëm përmes ndonjë VPN apo browseri anonim, mund të i shmanget këtij bllokimi.

“Por egziston mundësia e aplikimit të ASN BLOCKING nga ISP me anë të secilës bëhet mashtrimi i routerit dhe me këtë rast pamundësohet çasja në faqet e ndaluara."

"Syri.net Kosova", gjatë vizitës në njerën prej këtyre pikave në bisedë e sipër me klientët merr vesh se këto pika vizitohen vetëm nga ata të cilët kanë luajtur edhe më heret në këto lokacione, pasi të tjerët nuk janë në dijeni.

“Kjo pikë ka mbetë e vetmja në lagje që po mujna me lujt, po kjo nuk është e vetmja mundësi për neve që luajmë bastore, pasi mundësitë me deponu pare online përmes bankës egzistojnë, se krejt faqet jon tu funksionu edhe online tash,” thotë njëri nga klientët që dëshiron të mbetet anonim.

Ndryshe, kujtojmë që Qeveria e Kosovës vendimin për mbylljen e lojërave të fatit, e kishte marrë pas iniciativës nga ana e partive opozitare pak javë, pasi që në dy kazino në dy qytete të ndryshme u vranë dy persona, ndërsa rreziku i përhapjes së tyre në mënyrë ilegale dhe moskontrollit nga asnjë insitucion mbetet e madhe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco