Hungaria e Sllovakia, Çekia dhe Bullgaria ende po i rezistojnë ndalimit të naftës ruse

Hungaria e Sllovakia, Çekia dhe Bullgaria ende po i rezistojnë ndalimit të naftës ruse

12:29, 09/05/2022

Bisedimet që synojnë të bihet dakord për një ndalim të gjerë të Bashkimit Europian për importin e naftës nga Rusia kanë hyrë në ditën e gjashtë.

Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Bullgaria po i rezistojnë miratimit dhe po kërkojnë dispozita të veçanta për të plotësuar nevojat e brendshme.

Pika kryesore e mosmarrëveshjes mbetet afati kohor ambicioz që parashikon Komisioni Evropian: një heqje graduale e të gjithë naftës së papërpunuar ruse për gjashtë muaj dhe e të gjitha produkteve të naftës së rafinuar deri në fund të vitit.

Për shkak të varësisë së tyre të rrënjosur te nafta ruse, të katër shtetet argumentojnë se nuk mund të shkojnë te ofrues të tjerë në një periudhë kaq të shkurtër kohore, pa vënë në rrezik ekonomitë e tyre kombëtare.

“Nuk ka ende asnjë propozim që mund ta pranojmë dhe qëndrimi i Hungarisë mbetet i pandryshuar”, tha Sekretari hungarez i Shtetit, Zoltán Kovács në një deklaratë të shkurtër për Euronews.

Kryeministri i vendit, Viktor Orbán, e kishte krahasuar më parë propozimin e Brukselit me një "bombë atomike" ekonomike sepse i injoronte "rrethanat" e Hungarisë.

Një kompromis fillestar i arritur javën e kaluar tregoi se Hungaria dhe Sllovakia mund të lejohen ta mbyllin këtë ndalim deri në fund të vitit 2024, dy vjet më vonë se ajo që ka propozuar Brukseli, thanë burime diplomatike.

Republika Çeke mund të përfitojë gjithashtu nga një përjashtim i zgjatur, deri në qershor 2024, ndërsa pret të lidhet me Gazsjellësin Transalpin, i cili sot lidh Italinë, Austrinë dhe Gjermaninë.

Tani, Bullgaria po kërkon një dispozitë të ngjashme në këmbim të dritës së saj jeshile.

"Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Nëse ka një përjashtim për disa nga shtetet, edhe ne duam të marrim gjithashtu një përjashtim," tha Zv.Kryeministri bullgar Assen Vasilev për një televizion kombëtar.

"Nëse jo, ne nuk do t'i mbështesim sanksionet. Por nuk pres që të arrijmë në këtë, bazuar në bisedimet për momentin."

Ndryshe nga Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, të cilat janë të gjitha pa dalje në det dhe furnizohen me naftë direkt nga tubacioni Druzhba, Bullgaria ka qasje në Detin e Zi, duke hapur një rrugë më të lehtë për furnizuesit alternativë për të sjellë fuçi të papërpunuara dhe për të mbushur boshllëkun që krijohet nga Rusia.

Është e paqartë se sa kohë do të jetë në praktikë përjashtimi i kërkuar nga Bullgaria.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco