Ukraina, ‘shporta e bukës’ e Evropës: Si po i godet lufta fermerët ukrainas dhe sa po kërcënohen furnizimet globale…

Ukraina, ‘shporta e bukës’ e Evropës: Si po i godet lufta fermerët ukrainas dhe sa po kërcënohen furnizimet globale…

11:18, 09/05/2022

Ukraina, e quajtur “shporta e bukës” së Evropës, është një nga eksportuesit më të mëdhenj të misrit, grurit dhe tërshërës në Bashkimin Evropian.

Por lufta ka pasur një ndikim të madh te fermerët e vendit.

Përtej shkatërrimit të tokës bujqësore, bllokimi i porteve të Ukrainës në Detin e Zi nga Rusia do të thotë se drithërat mund të dërgohen jashtë vendit vetëm me transport hekurudhor dhe rrugor.

Para fillimit të agresionit të Rusisë, Ukraina eksportonte deri në 6 milionë ton drithëra në muaj. Por, sipas analistëve të APK-Inform, vetëm 300,000 ton u eksportuan në mars dhe 923,000 në prill, shkruan Euronews.

Veç kësaj, një zyrtar i OKB-së për ushqimin tha të premten se rreth 25 milionë ton drithëra janë bllokuar në Ukrainë dhe nuk mund të largohen nga vendi.

Dhe nëse një zgjidhje nuk gjendet së shpejti, pasojat do të jenë apokaliptike, paralajmëron Andrii Baran, i cili është CEO i kompanisë bujqësore ukrainase Agroprodservice, e cila ka më shumë se 40,000 hektarë tokë.

“Mendoj se kjo duhet të zgjidhet dhe për këtë kanë interes edhe vendet evropiane”, mendon Baran, i cili paralajmëron rritje të çmimeve të ushqimeve dhe madje edhe të urisë.

“Përndryshe, nëse ne nuk sigurojmë të gjithë atë ushqim, ata (BE) do të kenë edhe disa milionë refugjatë nga Afrika Veriore”.

Ai ka folur për Euronews rreth disa prej fushave të kompanisë në qytetin ukrainas perëndimor të Ternopilit dhe thotë se Agroprodservice është prekur nga mungesa e karburantit dhe kufizimet në importet e makinerive – plus pasojat e luftës në përgjithësi.

Në këtë drejtim, ai ka treguar se një pjesë e arave të kompanisë janë shkatërruar nga lufta në pjesën veriore, lindore dhe jugore të Ukrainës ose janë të pushtuara nga Rusia, gjë që e bën të pamundur prodhimin.

Megjithatë, problemi më i madh është se është e pamundur të eksportohet përmes porteve të Ukrainës në Detin e Zi për shkak të bllokadës ruse.

Ajo ka lënë vetëm rrugët tokësore përmes Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Hungarisë si opsione për eksport dhe megjithatë ato nuk janë në gjendje të marrin vëllime kaq të mëdha, shpjegon Baran, duke krijuar një problem real.

“Kështu që tani, ka shumë punë për të bërë me vendet evropiane për të arritur disi të krijojnë rrugë të sigurta për në portet ose ndoshta edhe për të gjetur se si ta bëjmë këtë me fqinjët tanë si Polonia”, tha Baran.

“Polonia nuk i ka të gjitha ato kapacitete sepse nuk kanë punuar me vëllime të tilla dhe ne kemi probleme me rrugën dhe hekurudhat”.

“Uria mund të godasë më të varfërit në botë”

Ukraina është një nga vendet më të mëdha bujqësore në botë dhe problemet në Ukrainë mund të bëhen shumë shpejt një problem global.

Sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë, Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 19% të eksporteve botërore të misrit dhe 29% të eksportit të grurit.

Ukraina është gjithashtu eksportuesi më i madh në botë i vajit të lulediellit dhe kërcënimi ndaj furnizimeve ka rritur çmimet, duke goditur konsumatorët.

“Ukraina ka shumë miliona ton drithë që nuk mund të eksportohen tani. Nëse ato nuk eksportohen, ato do të ‘zhduken’ në një mënyrë apo tjetrën”, ka paralajmëruar, Anders Aslund, një ekonomist suedez dhe ish-bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Atlantik.

Ai tha se problemet e eksportit dhe ulja e mundshme e prodhimit do të kenë pasoja të rënda për botën.

“Do të thotë se do të ketë uri në botë. Sipas mendimit tim, Rusia qëllimisht përpiqet të shkaktojë uri në vendet e botës së tretë”, vlerëson Aslund, duke theksuar se do të jenë vendet më të varfra në botë ato që do të goditen më rëndë nga rritja e çmimeve të ushqimeve.

Sipas tij, do të ishte e pamundur të kompensohej bllokada ruse e Detit të Zi duke rritur eksportet përmes kufirit tokësor me BE-në, pasi drithërat zënë shumë hapësirë.

Bllokadat shihen si një faktor pas rritjes së çmimeve të ushqimeve, të cilat arritën një rekord të lartë në mars, në vazhdën e pushtimit agresionit rus në Ukrainë, përpara se të lehtësoheshin pak në prill, tha Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO).

Ndryshe, sipas shkrimit të Euronews, Ukraina ka disa nga tokat bujqësore më të mira në botë dhe e ka modernizuar këtë sektor që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Kështu, në vitin 2021, Ministria e Politikës Bujqësore dhe Ushqimit të Ukrainës tha se Ukraina prodhoi 106 milionë ton drithë, bishtajore dhe fara vajore, që ishte një rekord.

Si e ka shkatërruar lufta, tokën bujqësore

Agresioni rus i Ukrainës sigurisht që ka ndikuar në këtë. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë vlerëson se “midis 20% dhe 30% e sipërfaqeve të mbjella për të korrat dimërore në Ukrainë do të mbeten të pa korrura gjatë sezonit 2022/23” dhe se ka “pasiguri të konsiderueshme rreth kapacitetit të fermerëve ukrainas për të mbjellë kultura gjatë ciklit të ardhshëm”.

Andrey Novoselov është një analist në kompaninë konsulente analitike Barva Invest me fokus në Ukrainë.

Ai thotë se fermerët ukrainas po përjetojnë mungesë karburanti, plehrash dhe pajisjesh. Shumë fermerë nga zonat përreth Ukrainës veriore – nga ku trupat ruse janë tërhequr kohët e fundit – kanë humbur shumë nga pajisjet e tyre dhe fushat e tyre janë plot me mina.

“Në zonën përreth Chernihiv dhe Kievit, disa fermerë na thanë se nuk mund të bëjnë asnjë punë në terren për shkak të minave”.

Andaj, Novoselov bëri thirrje që BE të ndihmojë në rritjen e eksporteve përmes kufirit tokësor të Ukrainës, veçanërisht nëpërmjet Polonisë dhe Rumanisë, nga ku mund të arrijë në portet e tjera.

Megjithatë, kjo nuk mund të kompensojë mbylljen e porteve të Detit të Zi të Ukrainës, shtoi ai.

“Por edhe nëse lufta përfundon, mund të duhen muaj për të pastruar të gjitha minat në Detin e Zi”, thekson Novoselov. “Dita ditës, sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më shumë do të rriten çmimet e grurit e kështu me radhë”.

Çfarë mendojnë fermerët ukrainas?

Roman Gorobets është një fermer në rajonin e Poltava në verilindje të Ukrainës. Ai tha për Euronews se ka gjetur fragmente nga raketat ruse – të rrëzuara nga mbrojtja ukrainase – në fushat e tij.

Megjithatë, ai është në një pozicion më të mirë se të tjerët. Ai ishte në gjendje të shiste shumicën e grurit të tij përpara fillimit të agresionit.

“Ne kemi likuiditet, para në bankë, që të funksionojmë normalisht për një ose dy muaj të ardhshëm. Por atëherë duhet të kuptojmë se çfarë të bëjmë më pas”, ka thënë ai për Euronews.

“Ne do të mbjellim si zakonisht dhe nuk do të ndryshojmë procesin tonë të rregullt. Pra, ne do të mbjellim sepse kemi nevojë për kompaninë tonë që të jetë në funksion. Të sigurojmë pagat për punonjësit. Të funksionojmë si normalisht me shumë shpresë se lufta do të përfundojë së shpejti, me fitoren tonë”.

“Por çfarë do të ndodhë më pas, askush nuk e di”.

Sidoqoftë, ai shpreh shqetësimin e të tjerëve që thonë se problemi më i madh është eksporti.

“Ne jemi shumë larg nga kufijtë perëndimorë në BE. Nuk është një katastrofë tani dhe ne po kërkojmë rrugë të reja logjistike”, tha Gorobets. “Por nëse asgjë nuk ndryshon para sezonit të korrjes, do të bëhet një çështje shumë e madhe”.

“Shpresoj që bota do ta ndihmojë Ukrainën të kuptojë se si të zhbllokojë portet tona”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco